Kryesocialisti Edi Rama komentoi shkurtimisht edhe kontratën e lobimit të PD-ADSHM me kompaninë amerikane ‘Continental’, të cilën Sali Berisha dje e shpjegoi si të ligjshme, akt të disa patriotëve shqiptarë që po financojnë për të përmirësuar imazhin e partisë në SHBA.
Teksa shpjegonte shifrat e arritjeve në tre mandate, ai mori si referencë qeverisjen e kaluar dhe ‘thumboi’ me ironi Lulzim Bashën, por duke dalë te qëllimi kryesor, “bufi i kënetës”.
“E pamë këtë punën e matematikës së tyre dhe shifrave. E pamë kur Luli thoshte 7 herë 7 bëjnë 42. Mirëpo ne s'kishim parë gjë akoma. Se tani ka dal bufi e thotë jo, 7 herë 7 bëjnë 6 milionë dollarë! Se thotë aq janë, po s'janë të miat, e dëgjuat? Po të kujt janë? Dhe na thotë se do i paguajnë patriotët, na kanë dalë ca patriotë që do i paguajnë për PD-në, se na janë mërzit për gjendjen e saj e do e ndihmojnë! Dhe kjo duket se është një dardhë që e ka bishtin shumë të gjatë, e që do dali më vonë!”, komentoi Rama, duke vijuar me tabelën e radhës në shifra.
Lajmi kryesor:
Rama: Dardha e lobimit të 'bufit' ka bisht të gjatë mbrapa! Edhe 9 ditë nga takimi me historinë, fatin e vendit s'mund ta lëmë në lojën e dominosë! Dibra do kthehet metropol (VIDEO)

