Kjo është opozita e fortë, që prisnit nga Berisha?

Kjo është opozita e fortë, që prisnit nga Berisha?

Sali Berisha dhe Albana Vokshi

Arsyeja kryesore se përse mbështetësit e Berishës brenda dhe jashtë PD-së u rreshtuan kundër Bashës ishte sepse e akuzonin atë për opozitë të dobët. Sipas tyre, në rastin më të keq Basha ishte i kapur nga Rama, në rastin më të mirë ishte i paaftë të bënte një opozitë të fortë që mund të sillte PD-në në pushtet.

Ndaj, në krye të PD-së duhet të kthehej Berisha sepse ndryshe nga Basha ai bënte opozitë të fortë dhe kishte mbështetjen absolute të popullit opozitar. Në fakt, vetë doktori premtonte se me t’u kthyer në krye të PD-së do fillonte protestat masive dhe për punë muajsh do e rrëzonte regjimin e korruptuar të Ramës. Ndonëse askush nuk e besonte këtë premtim, të gjithë ishin dakord se doktori bënte opozitë të fortë.

Sot që Berisha është kthyer në krye të PD-së, edhe pse jo formalisht, është e qartë që opozita politike kurrë nuk ka qenë me dobët dhe pa perspektivë se sot. Edhe në kulmin e ndasisë Basha-Berisha PD-ja arriti të ekspozonte korrupsionin e qeverisë Rama nëpërmjet komisionit të inceneratorëve. Ishte një komision që e vuri në siklet qeverinë dhe në mënyrë indirekte frymëzoi protestën popullore kundër rritjes së çmimeve.

Hetimi parlamentar i ndërmarrë nga PD-ja e përçarë nxori në pah jo vetëm skandalin e firmave fantazmë që kishin përfituar tenderin, por edhe faktin që këto firma vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit. Hetimi nxori në pah jo vetëm korrupsionin dhe rrumpallën administrative të “shtetit modern” të Ramës, por hapi edhe diskutim mbi deformimin e strategjisë kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Prioriteti që qeveria Rama i dha djegies dhe jo riciklimit të mbetjeve bie ndesh këtë strategji.

Të gjitha këto debate themelore që forconin jo vetëm opozitarizmin, por edhe demokracinë dhe mirëqeverisjen tashmë janë harruar. Në vend që t’i kërkojmë qeverisë Rama që të ndalojë pagesat ndaj firmave pronarët e të cilave janë në arrati, ne sot merremi me debatin Berisha–Kim. Në vend që të bëhen peticione për të ndaluar ndërtimin dhe pagimin e inceneratorëve bëhen peticione për largimin e Kim dhe debate bosh nëse jemi më sovran me Berishën dhe Metën apo me SHBA-të.

A thua se humbjen e sovranitetit tonë të SHBA-të në këto 30 vite nuk e kanë prodhuar Berisha dhe Meta? Natyrisht, mbështetësit e Berishës do më thonë se është ende herët. Se debatet BerishaKim janë të përkohshme. Me siguri ata besojnë se shumë shpejt Berisha do t’ia çjerrë maskën korrupsionit dhe keqqeverisjes Rama. Dhe unë nuk kam dyshim se doktori këtë e do më gjithë shpirt. 

Problemi është se nuk e bën dot. Jo prej moshës apo mungesës së energjive, por sepse shumë nga skandalet e mëdha të qeverisjes Rama kanë mbirë te qeverisja Berisha. Kështu, dhunimi i strategjisë kombëtare të menaxhimit të integruar të mbetjeve nga qeveria Rama fillon me qeverinë Berisha.

Në vitin 2011 kjo e fundit miratoi importin e mbetjeve, duke i dhënë grushtin e parë strategjisë kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve që kish si prioritet absolut reduktimin dhe jo shtimin e mbetjeve nëpërmjet importit. Grupime të shoqërisë civile si Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) që denoncuan këtë kontradiktë cilësoheshin si vegla të Ramës në atë kohë, edhe pse vetë Berisha kur doli në opozitë në vitin 2013 e pranoi publikisht se qeveria e tij kish gabuar me lejimin e importit të mbetjeve.

Ndaj sfumimi i aferës së inceneratorëve nuk ka të bëjë thjesht me betejën BerishaKim, por mbi të gjitha me faktin se mënyra korruptive dhe skandaloze se si janë menaxhuar dhe vazhdojnë të menaxhohen mbetjet te ne fillon me qeverinë Berisha dhe vazhdon me qeverinë Rama. Prandaj opozita doktoriane nuk asnjë shans ta zbardhë aferën e inceneratorëve në të gjithë dimensionin e saj, që shkon shumë përtej korrupsionit te mungesa e vizionit qeverisës.

E njëjta gjë ndodh me skandalin më të madh që nxori në pah lufta në Ukrainë, shkatërrimi i industrisë sonë të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Nuk ka skandal më të madh se fakti që ndërkohë që çmimi i naftës shkon në stratosferë rafineria e përpunimit të naftës në Ballsh (ARMO) shitet për skrap teksa qeveria Rama bën sehir. Ndërkohë që harxhon miliona euro për inceneratorë fantazmë, qeveria jonë nuk ka bërë përpjekje serioze për të rigjeneruar ARMO-n apo industrinë tonë të naftës, çka jo vetëm do hapte mijëra vende pune, por do stimulonte edhe prodhimin bujqësor dhe industrial në vend. Skandal më të madh se ky nuk ka.

Po ky nuk është një skandal që mund ta hetojë apo ta denoncojë Berisha sepse degradimi dhe vjedhja e ARMOS filloi me privatizimin e saj tek oligarku Taçi gjatë qeverisjes së doktorit. Ndaj PD-ja berishiste nuk ka moralin të qajë shkatërrimin e industrisë sonë të naftës. Aq më pak ka besueshmërinë për të propozuar rigjenerimin e saj apo të sektorit energjetik në përgjithësi. Mjafton të kujtojmë privatizimin korruptiv të KESH te CHEZ gjatë qeverisjes Berisha.

Për të njëjtën arsye, opozita e doktorit dhe mediat pranë saj kaluan në heshtje një tjetër skandal madhor që para pak kohësh u shfaq në mediat tona; faktin që Shqipëria nuk përfiton as gaz dhe as qera nga gazsjellësi TAP. Ky është një tjetër megaskandal që tregon se shteti shqiptar ka negociuar në mënyrë tejet inkompetente dhe/ose korruptive me TAP-in. Tregon edhe mungesën e madhe të vizionit të qeverisë Rama që nuk ka asnjë plan për gazifikimin e Shqipërisë apo të industrisë së saj edhe pse në territorin tonë kalon një nga tubacionet kryesore të transportit të gazit në Evropë.

Po edhe ky skandal nuk mund ndriçohej nga PD-ja berishiste, sepse dështimi në negocimin me TAP mbaron me qeverinë Rama, por fillon me qeverinë Berisha. Ishte kjo qeveri që negocioi në mënyrë skandaloze kontratën me TAP duke dëmtuar interesat afatgjatë të ekonomisë dhe buxhetit shtetëror shqiptar. Jo vetëm kaq, por kur ishte Kryeministër Berisha gënjente haptazi se Shqipëria do gazifikohej me TAP-in. Madje, në vitin 2012 deklaroi se do ngrinte edhe një komitet për gazifikimin e vendit (shiko artikullin këtu: https://shqiptarja.com/lajm/berisha-vendi-do-te-gazifikohet-br-tap-pret-finalizimin-e-projektit).

Natyrisht, skandalet e pushtetit aktual janë të shumta. Ai vazhdon të bashkëpunojë dhe të vjedhë vota me politikanë të shpallur non-grata nga SHBA-të si Tom Doshi apo Aqif Rakipi. Është skandaloz fakti që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk u distancua nga Aqif Rakipi, duke vendosur të mbajë si deputet djalin e tij.

Natyrisht, që në demokraci bijtë nuk kanë se përse të përgjigjen për krimet e baballarëve. Ama, vetëm për sa kohë nuk janë përfshirë në to dhe nuk përfitojnë prej tyre në mënyrë direkte. Ndërkohë, djali i Aqif Rakipit është zgjedhur me votat e babait dhe është zgjatim i tij në Parlament. Pa përmendur faktin që qenia deputet është privilegj dhe përgjegjësi përpara se të jetë një e drejtë politike.

Ky është një tjetër skandal që zërohet nga opozita aktuale e PD-së pasi standardi non grata tashmë është eliminuar. Në vend që të denoncojë rastin në fjalë si provë e faktit që pushteti socialist i Ramës i blen votat me të fortë, opozita hesht. Një nga instrumentet kryesore të saj për të denoncuar lidhjen e pushtetit me krimin, kapjen dhe blerjen e votës tashmë nuk ekziston, sepse Berisha është non grata.

Problemi nuk është thjesht se tashmë Berisha e ka zëvendësuar përplasjen me Ramën me përplasjen me SHBA-të. Pa dyshim që ky është një problem themelor. Të luftosh njëkohësisht SHBA-të, BE-në dhe qeverinë Rama, është recetë e pastër dështimi politik. Lufta e Berishës me SHBA-të minimalisht do tërheqë vëmendjen nga keqqeverisja dhe skandalet e pushtetit socialist.

Problemi është se Berishën refuzohet jo vetëm nga SHBA-ja, por nga shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar. Mbështetja e zhurmshme e militantëve berishistë dhe propaganda e Berishës se e mbështet 70% e popullit opozitar fsheh faktin e thjeshtë që ai është minorancë në elektoratin shqiptar, ku në rastin më të mirë e simpatizojnë midis 14 dhe 24% e votuesve (po t’u besojmë sondazheve të Zaloshnjes, shiko këtu https://www.balkanweb.com/fabula-e-berishes-per-rikthimin-ne-pushtet/).

Në çdo vend minimalisht demokratik do ishte skandaloze që në krye të opozitës të vendoset dikush me nivele kaq të ulëta popullariteti në elektorat. E vetmja arsye se përse ky fenomen nuk diskutohet te ne është sepse Berisha është varrmihësi më i madh i skandaleve në politikën e tranzicionit shqiptar. Ai ka varrosur masakrën elektorale të 1996, krizën piramidale të 1997, Gërdecin dhe vrasjet e 21 janarit. Skandale të tilla varrosen në gropa aq të mëdha saqë ofrojnë mjaftueshëm hapësirë edhe për skandalet e qeverisë Rama.

Ndaj Berisha sot është varrmihësi më i madh i skandaleve të qeverisë Rama, që nga inceneratorët deri te kriza energjetike apo te TAP. Për të varrosur megaskandalin e shpalljes non-grata për korrupsion dhe minim të demokracisë nga SHBA-të, ai ka hapur një gropë të madhe që e quajti “Rithemelimi i PD-së”. Kjo gropë politike është transformuar tashmë në një vrimë të zezë që thith dhe eliminon çdo skandal të qeverisë Rama.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Boti: 28/04/2022 14:16

    Po pse cfare e pengon Bashen dhe ceten e tij te deputeteve te vazhdoje madje forcoje retoriken anti Rama ne Kuvend apo me gjere?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë