Johannes Hoesflot Klaebo është njeriu i artë i Lojërave Olimpike. Norvegjezi bëri një garë të jashtëzakonshme në Cross-Country, duke rregjistruar kohën më të mirë, në disiplinën e ‘10 kilometrave +10 të tjera skiathlon’. 29-vjeçari e nisi garën me një qetësi për t’u admiruar dhe në fund rezultoi ajo që pritej: medalje e parë e artë në këto Lojëra Olimpike dhe e 6 në karrierën e sportistit.
Pas norvegjezit u rendit francezi Mathis Desloges, i cili mori medaljen e argjendtë, ndërsa në podium u ngjit edhe norvegjezi tjetër Nyenget.
Në skitë alpine, disiplina Downhill për vajza, medalja e artë shkoi për amerikanen Breezy Johnson. 30-vjeçarja bëri një garë spektakolare në Cortina, duke e mbyllur me kohën 1 minutë, 36 sekonda dhe 10 të qintat. Johnson la pas gjermanen Ema Aicher si dhe italianen Sofia Goggia e cila mori medaljen e bronztë. Ky sukses ishte një lehtësim për ekipin amerikan, që përjetoi frikën e Lindsey Vonn, e cila u dëmtua rëndë gjatë garave.
Kur janë mbyllur 10 nga 116 eventet e Lojërave Olimpike Dimërore Norvegjia është e para me dy medalje të arta, ndërsa 8 shtete të tjera duke përfshirë edhe Italinë organizatore kanë nga një të artë. Organizatorët mund të mburren deri më tani si shteti më me shumë medalje, duke përfshirë të argjendtat dhe të bronztat.
Komente










