Klajdi Haruni: Pas “Mamicës”,
femrat më gjuajnë më shumë

Klajdi Haruni: Pas “Mamicës”, <br />femrat më gjuajnë më shumë
Nuk ka shumë kohë që është lançuar dhe është një këngët më të dëgjuara dhe të klikuara të momentit. Bëhet fjalë për këngën “Mamica”, e kthyer tashmë në fenomen, që këndohet nga Klajd Haruni, dhe që mban firmën e kompozitorit, Florian Mumajesi. Ndonëse është një këngëtar i ri, Haruni duket se do të radhitet përkrahë emrave të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Në intervistën e tij të parë pas publikimit të “Mamicës”, dhënë për suplementin THASH&THEM, 23 vjeçari nga Korça flet për pasionin e tij të hershëm për muzikën, si dhe për suksesin e arritur me këngën. Ndonëse merr pjesë për herë të dytë në Top Fest, Klajd Haruni këtë herë kaloi automatikisht në finalen e këtij kompeticioni. Ai premton se kjo këngë në 3 qershor do ta ndez sallën e Pallatit të Kongreseve, me anë të surprizave që do të rezervojë në performancë. Duke folur për subjektin e këngës, ai sqaron se ajo është një këngë gazmore, që nuk ka për qëllim t`i ironizojë aspak femrat, ndërsa shton se pas “Mamicës”, femrat kanë filluar t`i afrohen më shumë.

Klajd jeni zgjedhur automatikisht për të marr pjesë në finalen e Top Fest, si ndiheni?

Është një emocion shumë i madh për mua, duke qenë se jam një artist i ri. Në momentin kur Luana hapi zarfin , i cili kishte verdiktin e votave të publikut u ndjeva shumë i emocionuar dhe i gëzuar, pasi publiku është vlerësuesi më i mirë. Ndaj dhe i falenderojë të gjithë ata që më kanë votuar.

Do të këndoni për herë të parë live, në Pallatin e Kongreseve, ndjeni ndonjë përgjegjësi të veçantë?

Është hera e parë që këndoj live në “Pallatin e Kongreseve” dhe do të jetë një kënaqësi, por edhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Gjithsesi mendoj se do ta “djegim” Pallatin e Kongreseve, pasi do të ketë shumë surpriza në performancë (qesh).

Mund të na zbuloni ndonjë detaj?

Surprizat ngelen surpriza (qesh).

Do të kemi ndonjë “Mamicë” në skenë bashkë me ju?

Ajo mbetet enigmë që do ta zbulojmë në finalen e Top Fest.

“Mamica”, është kthyer tashmë në një fenomen, e menduat që do të kishte një sukses të tillë?

Këtë këngë që në tekstin e saj e kemi punuar të dy me Florin, shpeshherë duke pirë edhe ndonjë gotë dhe që kur kënga mori formën e saj fillestare, ne besuam se ajo do të bëhej një hit veror. Meqënëse dy këngët e mia të para kanë qenë balada, menduam të sillnim diçka ndryshe, një këngë që do të përcillte energji pozitive.

Pse mendoni që publiku e pëlqen?

Sepse iu përcjellë energji pozitive, alegri dhe i bën të harrojnë sadopak stresin e akumuluar nga monotonia e përditshme.

Klajd, kujt i kushtohet “Mamica”?

Mamica është thjesht një fenomen, nuk ka 1 person të veçantë, të gjitha vajzave në përgjithësi, qofshin të martuara ose jo (qesh).

Është një këngë që në një fare mënyre ironizon femrat, nuk menduat që suksesi mund t’iu kthehej në kontravers?

Kjo këngë nuk i ironizon femrat, por është një parodi e ngjashme me këngët e vjetra korçare. Po ta dëgjojmë këngën me vëmendje ajo flet për një “Mamicë”, që siç e thashë edhe më sipër mund të jetë kushdo, e cila ka çmendur gjithë qytetin me bukurinë dhe hiret e saj. Në pjesën e parë të këngës i thurren lavde “Mamicës”, ndërsa në pjesën e dytë, ky djali lodhet nga indiferenca e saj dhe do t`a “thumboj” pak.

Cilin çmim do donit të fitonit?

Kur konkurrova në Top Fest, objektivi im ishte të arrija në finale. Por duke pare sesa shumë është pëlqyer dhe klikuar kënga nga publiku, do isha shumë i lumtur nëse do fitoja çmimin e publikut. Ky çmim do më shijonte më shumë se çdo çmim tjetër.

Mbani mend, ndonjë moment të veçantë gjatë klipit?

Klipi ka qenë një eksperiencë e bukur, shumë “funny” si dhe vet kënga. Kemi qeshur pa fund hipur majë karrotrecit. Kemi patur marrëdhënie shumë miqësore edhe me njerëzit në rrugë, që qeshnin me këngën.

Mendoni që “Mamica”, ju bëri më të njohur?

Patjetër që më ka bërë më të njohur. Kjo këngë ka qenë një katapultë shumë I madh për mua, duke parë që është klikuar rreth 800 mijë herë, që besoj se janë shumë për një artist të ri. Ajo është kudo nëpër rrjetet sociale, 1 në 2 makina nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë, dëgjon “Mamicën”, luhet në shumë klube, pube e karaoke, madje edhe shumë banda e kanë bërë pjesë të repertorit të tyre (qesh).

Klajd, folëm për suksesin e “Mamicës”, po kritikët e saj a kanë qenë të shumtë?

80% e komenteve kanë qenë pozitive, ndërsa ka patur edhe komente negative në aspektin se kjo këngë, tallet me femrat. Por siç u shpreha edhe më sipër kjo këngë nuk është konceptuar kështu, është thjesht një parodi që të ngre humorin.

Cilat janë projektet tuaja pas Top Fest?

Meqënëse “Mamica” është pëlqyer dhe dëgjuar kaq shumë kudo në Shqipëri, më motivon për të punuar dhe për të shpalosur projekte te reja. Por për momentin po shijoj suksesin e saj .

Do të jetë baladë kënga juaj e radhës?

Baladat i dashuroj shumë duke qëne se jam edhe nga Korça, të cilat ngjajnë me serenatat korçare, që unë i dua pa fund. Besoj se projekti i ardhshëm mund të jetë diçka mes të dyjave (qesh).

Do të bashkëpunoni përsëri me Flori Mumajesin?

Që kur fillova ta marr seriozisht muzikën bashkëpunimi im i parë ka qenë me Florin. I dyti erdhi si një duet me Florin me këngën ‘Lutem unë sot”, e treta ishte “Mamica” por edhe produksioni i katërt e të tjera në vijim, do të mbajnë firmën e Florian Mumajesit. Unë kam një marrëdhënie të ngushtë me Florin dhe mendoj se bashkëpunimi i yni, do të jetë një “datë pa skadencë”.

Si jeni takuar për herë të parë?

Mua më ka pikasur Flori. Të dy frekuentonim të njëjtin karaoke, ku unë këndoja për qejf dhe aty mes disa miqve tanë të përbashkët, u krijua lidhja me Florin.

Do të jeni pjesë e koncerteve nëpër Shqipëri, gjatë sezonit verorë?

Nga sot unë do të marr pjesë në koncertin tim të parë, që do të bëhet në Himarë me rastin e çeljes së sezonit të ri turistik. Do të jem përkrahë emrave të njohur të muzikës shqiptare si, Elvana Gjata, Julka, Flori Mumajesi, Andy Gramm, etj.

Çfarë është muzika për ju?

Muzika ka qenë pasioni im, që i vogël dhe vazhdon të jetë. Madje përpara se unë ti futesha kësaj rruge profesionalisht, mblidhesha gati 3 herë në javë me kitarë me shokët e mi dhe këndoja. Nuk e mendoj dot jetën pa muzikë dhe jam shumë i lumtur që kam gjetur njeriun e duhur për të bashkëpunuar e për të sjell, këngë të bukura që vetëm Flori di t`i bëj.

Sa e vështirë për një artist të ri , të futet në botën e muzikës?

Në fakt është shumë e vështirë të evidentohesh, por unë jam i lumtur se qysh në fillimet e mia, arrita të bashkëpunoj më njerëzit e duhur. Gjithë suksesin e arritur deri tani ia dedikoj Florit, sepse është përkushtuar më shumë seç duhet për çdo detaj.

Cili është këngëtari juaj i preferuar?

Më pëlqen Elvana Gjata. Për mua është një artiste që është shumë pak të quaj e kompletuar, por gjithashtu edhe një njeri i mrekullueshëm. Mund të them që më ka ndihmuar shumë në videoklipin tim të parë ‘Lutem unë sot”.

Po familja sa ju mbështet , për këtë zgjedhje tuajën?

Familja ime e ka patur ëndërr që unë të vazhdoja rrugën e artit, pasi kur kam qenë i vogël më thonin që kisha shpirt artisti. Në çdo gëzim familjar kam qenë protagonisti kryesor, ndërsa kohët e fundit janë mërzitur me mua, pasi nuk kalojë më shumë kohë pranë tyre (qesh).

Krahas angazhimeve tuaja në art, duam të dimë edhe për jetën tuaj private, jeni i lidhur?

(Qesh) Aktualisht jam beqar.

Në fakt me këngën e “Mamicës”, vështirë t’iu afrohen vajzat?

Femrat më janë afruar gjithnjë. Por tani që doli dhe kënga e “Mamicës”, do të jetë e kundërta e kësaj që thoni ju. Jo për gjë po ka filluar të ndihet “era” e detit (qesh).

Kë do donit të falendernit për suksesin e arritur deri tani?

Një falenderim i veçantë shkon për “Threedots Production”, gjithashtu edhe për Provideo që ka realizuar të dy videoklipet e mia, “Absolut Style” që merret me lukun tim, si dhe çunat e performances, që do ta “ngrenë” në këmbë Pallatin e Kongreseve. Gjithashtu dua të falenderoj edhe suplementin “THASH&THEM”, pasi është intervista e pare që jap në median e shkruar për “Mamicën” (qesh).

(xh.k/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë