TIRANE - Është 14 vjeç por të gjithë jetën e tij e ka kaluar në ambientet e spitaleve pasi vuan nga një infeksion i rëndë në veshka. Klajdi Kule është djali 14 vjeçar i cili prej 12 vitesh vuan nga një infeksion i rëndë në veshka e që duket se ditët e fundit problemi i tij nuk po gjen asnjë zgjidhje.
 
Prej pesë muajsh të dyja veshkat e Klajdit kanë dalë jashtë funksionimit e në pamundësi të gjetjes së një dhuruesi nga trungu familjar, mjekët nuk pranojnë që të ketë një dhurues vullnetar që nuk është pjesë e familjes.
 
Babai i Klajdit, Imiri thotë se tashmë ka mbetur në një udhëkryq pasi spo mundet të gjejë dot një zgjidhje për djalin e tij.
 
Prej moshës 2 vjeçare kur Klajdi është sëmurë ai ka humbur edhe aftësinë e të folurit e të dëgjuarit, dhe tashmë flet me prindërit përmes shenjave.
 
I gjendur përballë nevojës për një transplant të mënjëhershëm të veshkës për djalin e tij, babai Imiri bën një apel për ndihmë që të mund të mbledhë të ardhura për të kuruar djalin e tij
 
Pamundësia ekonomike nuk i lejon prindërit e Klajdit që ta dërgojnë atë jashtë shtetit e apeli për ndihmë duket se është e vetmja zgjidhje që u ka mbetur për të shpëtuar jetën e djalit të tyre.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)