Botërori është futur në një fazë mjaft vendimtare. Sot zhvillohen dy ndeshjet e para çerekfinale Francë-Gjermani  dhe Brazil-Kolumbi. Franca ndryshe nga sa pritej ka bërë një Botëror mjaft të mirë dhe është një nga 3 skuadrat, që u kualifikua në çerekfinale brenda 90-minutave.

Gjermania u duket se do ta kishte të lehtë mbërritjen në finale pas fitores së thellë me Portugalinë, por barazimi me Ganën dhe fitorja e vështirë me SHBA dhe me Algjerinë kanë krijuar shumë hije dyshimi, pasi ekipi ka treguar lodhje. Disa nga futbollistët kryesor nuk janë në gjendje optimale, mes tyre Shvaishtaiger. Por pavarësisht formës së momentit, historia, statistikat dhe kuotimet e basteve favorizojnë Gjermaninë. Fitorja e gjermanëve kuotohet 2,4 kundrejt 3, të Francës.

Kjo është hera e katërt, që këto dy skuadra përballen në çerekfinale dhe historia flet për Gjermaninë. Megjithatë si Deshamp, ashtu edhe Lëv nuk e nënvlerësojnë aspak njëri tjetrin duke u mobilizuar maksimalisht në një sfidë që vlen një biletë mes 4 ekipeve më të mira të botës. Ndeshja tjetër është mes Brazilit dhe surprizës, Kolumbi, që nuk është e kënaqur me arritjen deri këtu. Bazuar te loja e grupit dhe me një sulmues si Rodrigues, Kolumbia ka frikësuar maksimalisht brazilianët.

Historia është me Brazilin që nuk humbet në shtëpi një ndeshje zyrtare prej pothuaj 39 vjetësh. Hera e fundit që ‘Seleçao’ është mposhtur në Brazil daton në 30 shtator të 1975, në Belo Horizonte, u mposhtën nga Peruja, gjysmëfinalja e Copa America.



d.b/shqiptarja.com