Tirana dhe Vllaznia luajnë nesër në 13:30 për javën e 17-të në Superligë. "Klasikja" e Shqipërisë në futboll do zhvillohet në "Selman Stërmasi" mes dy skuadrave që ndër vite prodhojnë futboll sulmues.
Për ndeshjen foli edhe trajneri i shkodranëve. Qatip Osmani vlerësoi sfidën dhe shtoi se duli është specifik sa i takon historisë dhe se e ka ekipin të plotë. Pas javës së 16-të, Tirana me 23 pikë mban vendin e tretë dhe Vllaznia me 20 pikë vendin e pestë.
"Të gjitha ndeshjet ne i përgatisim ashtu si duhet, por kjo ndaj Tiranës ka një specifikë të caktuar për shkak të historisë në mes dy skuadrave, rivalitetit dhe prestigjit të tyre. Jemi munduar që ta presim sa më të gatshëm këtë ndeshje dhe besoj se jemi të gatshëm për lojën me Tiranën.
Na duhet qetësia në këtë pragndeshje në mënyrë që ta presim si duhet këtë takim. Fitorja me Dinamon na ka ndihmuar nga ana psikologjike dhe për këtë arsye do të hyjmë në fushë me qëllimin e vetëm për ta fituar këtë takim. Pozitive është gatishmëria pas shumë kohësh e të gjithë lojtarëve dhe kjo do të na ndihmojë në këtë takim", tha Qatip Osmani.
Veç Qatip Osmanit, një tjëtër Osman rikthehet në Tiranë. Bëhet fjalë për ish-drejtorin bardheblu, Tefik Osmanin, që pak muaj më parë dha dorëheqjen dhe kaloi në Shkodër.