KLD pezullon gjyqtarin që liroi
Xhakjen, hapet rruga për hetim

TIRANE - KLD pezullon nga detyra dhe i hap rrugë të plotë hetimeve të Prokurorisë mbi gjyqtarin e Durrësit Neritan Tabaku, i cili jo vetëm liroi nga burgu Ilir Xhakjan, autorin e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, i dënuar për një tjetër krim me 21 vite burg, por nuk zbardhi ndërkohe dhe vendimin për lirimin e tij.

Vendimi i KLD-së për pezullim të Tabakut është marrë pasditen e kësaj të premteje pasi ky institucion mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarit. Vendimi i sotëm i KLD-së e zhvesh gjyqtarin Tabaku nga imuniteti dhe i hap rrugë të lirë prokurorisë për hetime.

"Në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, Këshilli unanimisht miratoi këtë kërkesë, duke i dhënë rrugë procedimit penal ndaj gjyqtarit të sipërcituar, për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, si dhe duke pezulluar nga detyra gjyqtarin në fjalë.", lexohet në njoftimin zyrtar të KLD-së.

Procedimi penal ndaj Neritan Tabakut është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës dy ditë pas vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj, në Katund Sukth të rrethit të Durrësit. Ky mban numrin 4291 ndërsa gjyqtari akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sipas prokurorisë, gjyqtari Neritan Tabaku ka cënuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohë ndaj shtetasit Ilir Xhakja, person me precedentë të theksuar penal.
Neritan Tabaku gjyqtari i Durrësi shpalli të pafajshëm në 9 shkurt të 2011 Ilir Xhakjen pasi ishte dënuar më parë më 21 vite burg për vrasje, e në një kohë kur prokuroria kërkonte shtim të ndëshkimit me 24 vite izolim.

Në vendimin e firmosur nga 3 gjyqtarët, kryetari Neritan Tabaku dhe anëtarë te trupit gjykues Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, konkludohet se nuk provohet që Xhakja të ketë kryer vrasje. Por ky vendim nuk u zbardh në kohë nga gjyqtari Neritan Tabaku, por vetëm pak kohë më parë pas vrasjes së kryekomisarit të Shijaku.

KLD, MASA DISIPLINORE EDHE NDAJ GJYQTAREVE TE TJERE
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen plenare të datës 05.10.2012, pati në fokus të rendit të ditës, shqyrtimin e kërkesave për procedime disiplinore të disa gjyqtarëve.

Në këtë kuadër, Këshilli trajtoi edhe çështje lidhur me veprime apo mosveprime nga ana e gjyqtarëve, në kundërshtim me ligjin, duke theksuar domosdoshmërinë dhe angazhimin maksimal për të evidentuar në kohë, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme, të gjitha ato raste që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, si dhe një reagim të menjëhershëm institucional.

Këshilli shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, për të cilën u vendos masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Këshilli, pasi shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Shyqyri Çobo, vendosi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, të rrëzojë kërkesën për masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, me argumentimin se mos shqyrtimi përfundimtar nga Prokuroria i kallëzimit të bërë nga ILDKP ndaj gjyqtarit në fjalë, është kusht vendimtar për një vendimmarrje të drejtë nga KLD.

Këshilli vendosi shtyrjen e mëtejshme të shqyrtimit të një kërkese tjetër të Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj një gjyqtari, pasi u konsiderua domosdoshmëri administrimi dhe njohja e anëtarëve me disa akte shtesë.

(ns/Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën