TIRANE-“Në rast se Klement Balili është fajtor është i gatshëm të paraqitet para drejtësisë. Por gjithmonë kur të ketë akuza, nuk bëhet pjesë e lojrave politike”.

Kështu u shpreh në një lidhje telefonike për Report Tv, Bako Balili, vëllai i Klemend Balilit, i akuzuar nga drejtësia greke si Baron i drogës në Ballkan e nga sot zyrtarisht në kërkim nga Policia Shqiptare. Sipas Bakos, vëllai i tij është i pafajshëm dhe se gjithë kjo që po ndodh ndaj tij është një lojë politike e pastër, ku kanë bashkëpunuar dhe grekët.

Bako Balili tregon operacionin e Policisë sot në banesën e tij dhe të vëllezërve Balili. Vëllai i të ashtuquajturit, ‘Eskobar i Ballkanit’ nga drejtësia greke, thekson se policia ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe të vëllezërve.

Sot rreth orës 4 e mëngjesit është rrethuar fshati, u paraqit Policia para shtëpisë, kërkoi dokumenta, kontrolloi disa shtëpi tonat, dhe të byrazerëve të tjerë, është përdorur dhunë dhe i kanë vënë prangat njërin vëlla madje e mbyllën e mbajtën me pranga në furgon. Sesi ka mundësi në orën 4 të mëngjesit, bëjnë kontroll e terrorizojnë familjet.
Nuk na kanë paraqitur asnjë dokument, na thanë vetëm "Hapeni derën, Policia e Shtetit, kontroll", duke rrethuar shtëpinë, rrethuan shtëpinë, mbi 100 forca policie kanë qëndruar deri në drekë. Nga ora 4 e mëngjesit deri në orën 1 e gjysëm të drekës pa lëvizur.


Bako Balili thekson se familja Balili nuk i shmanget kurrsesi drejtësisë.
Ne nuk i shmangemi ligjit, drejtësisë, ju bëj me dije se kemi besim të drejtësia, të mos përdoret dhuna, terrori, ne shikojmë hallin tonë”.

Madje sipas tij, pronat që janë kontrolluar, nuk janë të Kelmend Balilit.

Bako Balili thekson se gjithë kjo histori ndaj të vëllait është e sajuar.
“Çdo gjë është e sajuar, por kini besim se cdo gjë do të zbardhet shumë shpejt”.

I pyetur nëse ka dijeni ku ndodhet Balili dhe nëse ka kontaktuar kohët e fundit me të, Bako Balili shprehet se: "Nuk e di ku ndodhet, nuk para i ka qejf telefonat dhe s’para mban telefon”.

Mandej Bako Balili akuzon grekët se kanë sajuar gënjeshtra dhe mbi pronat e Balilit, ndërsa shton se grekët nuk janë vetëm në gjithë këtë.
“Kam besim tek drejtësia shqiptare, jam shtetas shqiptar dembabadem. Drejtësia greke i ka sajuar këto. Santa Kuaranta kanë thënë pronë e Klementit dhe ndërkohë që ajo është pronë e Balilëve e Bashkim Balilit ortak dhe grekët kanë sajuar dhe nga ata që duan të bëjnë të tilla gjëra. Nuk është vetëm pala greke”.

Reagimi i tij vjen kur mëngjesin e sotëm, rreth 200 forca policie, të Policisë se Shtetit, forcat e lëvizshme operacionale, të ndihmuar nga efektivët e Sarandës dhe të Gjirokastrës kanë nisur operacionin për prangosjen e Kelmend Balilit, pas lëshimit të urdhërarrestit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Kelmend Balili cilësohet nga mediat greke si "Eksobari i Ballkanit". 

(d.b/Shqiptarja.com)