TIRANE - Gjykata Kushtetuese mbyll shqyrtimin gjyqësor në procesin e ish-kryetarit të komunës Rrethina në qarkun e Shkodrës.

Ish-kreu i Komunës Rrethina, Kleves Muja ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave, vendimi i cili më datë 25 korrik 2012 i hoqi Mujës mandatin e fituar në zgjedhjet lokale si kryetar komune.

Vendimi i Këshillit të Ministrave asokohe u bazua në motivacionin e shkeljeve të rënda ligjore të kryetarit të komunës Rrethina. Ndërkaq, i përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës, Aridan Visha, Muja ka kërkuar të shfuqizohet shkarkimi i tij nga detyra me argumentet se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.

Sipas Vishës pretendimet e ngritura nga shteti italian për përfshirjen e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës nuk qëndrojnë për aq kohë sa gjykata ende s’ka dhënë një vendim të formës së prerë dhe këto akuza s’mund të prezumojnë pafajësinë e klientit të tij.

Këshilli i Ministrave, i përfaqësuar nga Ivi Kasa ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së Mujës, duke argumentuar se shkarkimi i tij është i ligjshëm, duke thënë se Kleves Muja është i përfshirë në trafikun e drogave dhe të dhënat e marra nga Interpol janë të mjaftueshme për ta konfirmuar këtë përfshirje.

Trupi gjykues pasi dëgjoi palët vendosi të mbyll shqyrtimin gjyqësor për të dalë në një vendim përfundimtar brenda pak ditësh.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)