Klevis Kaso, drejtues i Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, është prezantuar publikisht për mediat. Në fjalën e tij, Kaso evidentoi disa prej problematikave në rrjetin e ujit të pijshëm në qytet, duke theksuar se këtë detyrë e ka marrë si përgjegjësi personale.
Sipas tij, përgjegjësia qëndron në përmirësimin e qytetit dhe në ndryshimin e qasjes së institucionit edhe ndaj qytetarëve. Kaso premtoi gjithashtu investime të reja sa i përket rrjetit të ujit të pijshëm, si në qytet ashtu edhe në fshatrat e Vlorës.
Në fjalën e tij, Klevis Kaso u ndal edhe te projekti i ujësjellësit të Vlorës, duke bërë të ditur se puna vijon dhe se deri më 5 maj pritet të përfundojë riasfaltimi i segmenteve rrugore. Sipas tij, ka mbetur vetëm lidhja e rrjetit në disa lagje të qytetit.
Kaso bëri me dije se projektet që po kryhen dhe që do të vijojnë përfshijnë ndërtimin e rrjeteve të reja për Radhimën, fshatin Zvërnec, si dhe për Akërninë.
Ai theksoi se janë marrë masa edhe për sezonin veror, ku janë ngritur grupe në terren në gatishmëri për çdo avari që mund të shfaqet në qytet.
Sezoni veror është shumë afër dhe një nga sfidat kryesore mbetet menaxhimi i furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe reagimi i menjëhershëm ndaj avarive të ndryshme në qytet.
Komente












