VLORE- Shfaqja e peshkut helmues në Gjirin e Vlorës ka ngritur shqetësim për sigurinë e qytetarëve dhe dëmtimin e ekosistemit detar. Kjo specie e rrezikshme, nuk është tipike për ujërat shqiptare.
“Për t’u shqetësuar nuk është vetëm prania, por edhe përmasat e peshkut. Bëhet fjalë për një individ që peshonte mbi 1.2 kg dhe kishte gjatësi rreth 46 cm, ç'ka tregon se nuk është e rastësishme, por një specie që mund të ketë kohë që ka populluar Gjirin e Vlorës", tha Nexhip Hysenkolaj, specialist i zonave të mbrojtura.
Po sipas tij, përhapja e specieve të tilla përbën rrezik të drejtpërdrejtë si për gjallesat detare, ashtu edhe për njerëzit, sidomos gjate verës. Kontakti apo konsumimi i këtij peshku mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, pasi permban disa toksina.
“Këto specie janë të dëmshme për habitatin dhe speciet autoktone të gjirit. Njëkohësisht, ato paraqesin rrezik edhe për shëndetin e njeriut, sepse nuk njihen nga peshkatarët apo konsumatorët. Disa prej këtyre peshqve përmbajnë toksina shumë të rrezikshme, të cilat në raste të caktuara mund të jenë edhe fatale nëse konsumohen”, tha ai.
Eksperti bën thirrje për kujdes të shtuar nga peshkatarët por dhe turistet që dalin me skafe në Gjirin e Vlores që të shmangin kontaktin me specie të tilla.
Peshku helmues “Lagocephalus sceleratus” ka hyrë në Mesdhe përmes Kanalit të Suezit i favorizuar nga ngrohja e ujërave dhe rrymat detare dhe është përhapur në brigjet e Jonit dhe Adriatikut.
"Një nga rrugët kryesore të depërtimit mbetet Kanali i Suezit, që lidh dy ekosisteme të ndryshme detare, duke mundësuar hyrjen e specieve invazive në Mesdhe. Përveç këtij rasti, janë raportuar edhe raste të shpeshta të peshkut luan, një tjetër specie invazive”, tha Nexhip Hysenkolaj, specialist i zonave të mbrojtura.
Autoritetet pritet të rrisin monitorimin në zonë, ndërsa theksohet nevoja për informim dhe ndërgjegjësim të publikut për rrezikun që paraqet peshku helmues.
Komente












