KLGJ/Reforma drejt bllokimit,
prokuroria 'djeg' Altin Hazizajn

KLGJ/Reforma drejt bllokimit,<br />prokuroria 'djeg' Altin Hazizajn<br>
Procesi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka marrë dje një rrjedhë të papritur. Partia Demokratike ka publikuar një raport të ish-drejtueses së sektorit të dekriminalizimit, Rovena Gashi, për Altin Hazizajn, i përzgjedhur me short nga Kuvendi si kandidat për anëtar në KLGJ.

Në raport thuhet se Altin Hazizaj preket nga ligji i dekriminalizimit pasi nuk ka deklaruar një dënim të formës së prerë në formularin e dekriminalizimit. Nëse organet përkatëse do ta konsiderojnë këtë raport, Hazizaj mund të përjashtohet nga gara dhe procesi të rinisë nga e para, duke zvarritur kësisoj zbatimin e Reformës në Drejtësi. “Subjekti deklarues përfshihet në fushën e veprimit të të Ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 17/2016.

Megjithëse dënimi me gjobë nuk përfshihet në fushën e ndalimit të ushtrimit të funksionit sipas nenit 2 të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, por sa rezulton më sipër, subjekti nuk ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë në formular edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit. Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj”, thuhet në raport.

Dënimi

Prokuroria ka konstatuar Altin Hazizaj është dënuar për kundërshtim të punonjësve të policisë. “Nga përgjigjet e ardhura dhe verifikimet e kryera rezulton se për subjektin Altin Hazizaj ka një dënim penal të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. 

Subjekti me vendimin nr. 603 datë 24.07.1996 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5000 lekë gjobë për veprën penale të parashikuar nga neni 236/1 i Kodit Penal “Kundërshtimi i punonjësve të policisë dhe rendit publik”. Këto të dhëna janë të pasqyruara dhe në Dëshmitë e Gjendjes Gjyqësore Nr. 11, datë 20.07.2017, përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresën nr. 3219 prot. datë 20.07.2017.

Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton subjekti vetëdeklarues ka të njëjtat gjeneralitete të cilat i ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Në këtë sistem nuk rezulton që ky subjekt të ketë qenë ndaluar/arrestuar/ hetim nga organet ligjzbatuese për kryerjen e ndonjë vepre penale. Në sistemin elektronik të Gjendjes Civile rezulton se subjekti ka të njëjtat gjeneralitete të cilat i ka deklaruar pa ndryshime”, thotë prokuroria.

Pasojat

Sipas prokurorisë, me fshehjen e dënimit, Hazizaj do të ketë pasoja ligjore, duke pohuar se subjekti mban përgjegjësinë e plotë dhe është i vetëdijshëm për pasojat ligjore në rast të deklarimeve të pavërteta, të paplota apo të pasakta, në lidhje me të kaluarën e tij kriminale. “Fakti që në formular, nuk është pasqyruar  asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me, vendimin penal të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e bën këtë subjekt, të përfshihet në kushtet e ndalimit duke passjellë përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.

Për sa më sipër, dhe bazuar në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe kreut V, pika 10, 11 të Vendimit të Kuvendit  nr.17 viti 2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138 viti 2015  “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, thuhet në raport. 

Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia