TIRANE - Ambasada Amerikane në Tiranë përmes një shkrese zyrtare drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka shprehur falenderimet për Policinë e Shtetit lidhur me masat e marra për garantimin e mbarëvajtjes së vizitës së Sekretares së Shtetit të SHBA, Hillary Clinton, e cila u ndodh në Tiranë më 1 nëntor.

“Në emër të Ambasadës së SHBA në Tiranë, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për Ju dhe punonjësit e Policisë së Shtetit Shqiptar për mbështetjen e dhënë në garantimin e mbarëvajtjes së vizitës së Sekretares së Shtetit“ - tha ambasadori Aleksandër Arvizu.

Po ashtu Ambasadori Amerikan shpreh vlerësimet e tij dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë nga Policia e Shtetit.

“Ndihmën tuaj e vlerësojmë së tepërmi dhe ju falenderojmë për mbështetjen e vazhdueshme” - u shpreh Arvizu në përfundim të shkresës drejtuar Burgaj.

(Foto, HIllary Clinton në aeroportin e Rinasit)

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)