Vizitat e oligarkut të shëndetësisë Klodian Allajbeu në SPAK tashmë janë bërë të zakonshme. Njeriu i koncensionit të dyshuar korruptiv të hemodializës, me vlerë 84 milionë euro, kamufluar me një gomisteri në periferi të Beratit dhe me kushërirën e tij, u paraqit ditën e sotme në SPAK. Allajbeu është marrë tre orë në pyetje në lidhje me hetimet që po zhvillohen me koncensionin tjetër, atë të laboratorëve, me përfitues në letra Janis Karathano, i dyshuar si prestanome i Allajbeut, të ndërlidhur me interesa dhe transaksione nga Tirana në Holandë.

Disa ditë më parë, forca të shumta policie dhe agjentë të BKH zbarkuan në ambientet e kompanisë “Evita” sh.p.k, në pronësi të biznesmenit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu. Forcat e BKH-së kanë ushtruar kontrolle edhe në një firmë tjetër dhe në një banesë në zonën e Selitës në Tiranë. Aksioni është urdhëruar nga prokurorja e posaçme, Dorina Bejko, e cila po heton biznesmenët Klod Allajbeun dhe Janis Karathano për korrupsion dhe pastrim parash. Allajbeu kontrollon koncensionin korruptiv të hemodializës me vlerë rreth 84 milionë euro, ndërsa Karathano, prestanome i tij, kontrollon në letra koncensionin korruptiv 130 milionë euro të laboratorëve, për të cilin KLSH ka referuar një kallëzim penal në SPAK.

Të gjitha këto zhvillime kanë gjetur pasqyrim masiv në media. Vetëm një televizion nuk ka raportuar dhe nuk raporton asgjë për hyrje-daljes e Klod Allajbeut në SPAK, kontrollet e BKH-së dhe veprimtarinë korruptive të oligakut të shëndetësisë, një nga oktapodët e pastrimit të parave, skemave mashtruese, aferave korruptive, përfitimit të parave dhe pasurive publike, ndikimeve të paligjshme, korruptimit të politikanëve, segmenteve të medias dhe drejtësisë.

Bëhet fjalë për Syri Tv, televizioni i Familjes Berisha, i njohur edhe Syri i Shkëlzenit apo TV Zeni, meqenëse Shkëlzen Berisha konsiderohet si pronar i televizionit, me gjethe fiku Çim Pekën. Ashtu si Partia Demokratike, e cila denoncon vetëm koncensionet e sterilizimit dhe të check up-it, por jo dy koncensionet e Allajbeut, hemodializën dhe laboratorët, edhe Syri Tv ruan të njëjtën linjë, duke evituar çdo raportim rreth Allajbeut, i cili shërben si bankomat i Shkëlzen Berishës.

Arsyet se pse Syri Tv ka mbyllur gojën për veprimtarinë e zezë të Klod Allajbeut dhe vizitat e tij në SPAK, janë qartësisht korruptive. Klod Allajbeu, me paratë dhe pasuritë publike të përfituara në rrugë të dyshuara korruptive, financon Shkëlzen Berishën dhe televizionin e tij në rrugë bankare. Përmes kartelit të komapanive të tij, të cilat i nxjerrë çdo vit me humbje për të mos paguar taksa, Klod Allajbeu paguan Shkëlzen Berishën, ndërsa financon edhe televizionin Syri Tv, i cili ka një dosje voluminoze për pastrim parash në Prokurorinë e Tiranës.

Fakte dhe rrethana

Deri në vitin 2019, kompania e koncensionit të hemodializës, Dia Vita, ishte në pronësi të kompanisë Evita, në masën 85%. Evita, të cilën Klodian Allajbeu e kishte kamufluar fillimisht në emrin e kushërirës së parë, Majlinda Fetiu, ka marrë edhe dhjetëra tendera në shëndetësi me vlerë mbi 50 milionë euro. Evita vijon të përlajë para publike. Vetë kompania Evita, me administratore të besuarën e Allajbeut, Elona Saraçi, ishte në pronësi të kompanisë Arimo, e cila u ble nga kompania fantazmë suedeze në 2019.

Arimo, me të cilën Allajbeu kontrolloi koncensionin deri në 2019, kishte si adresë Holandë, Nassaulaan 2 A, 2514 JS, Willemspark, Haaglanden. Të njëjtën adresë ka edhe një kompani tjetër Vendeka, me pronar përfitues Klodian Allajbeun. Kompanitë e Allajbeut kanë patur të njëjtën administratore me kompanitë e Janis Karathono në Holandë, që kontrollojnë koncensionin e laboratorëve.

Vendeka ka në pronësi kompaninë e qiradhënies dhe shitjes së ushqimeve Agromark. Kompania Agromark, me 1 punëtor, kryen transaksione në shuma të mëdha parash me kompaninë Logal shpk, me pronar Shkëlzen Berishën.

Të dyja kompanitë, si Agromark, ashtu edhe Logal, rezultojnë pa aktivitet në terren, por janë aktive me transaksione parash, bazuar në librat e shitjes dhe blerjes. Në këtë skemë është e përfshirë edhe kompania e frutave të pyllit, Agromel, me pronar sërish Klodian Allajbeun.

Një degë e Agromel rezulton me adresë në Marqinet të Gërdecit, pikërisht në vendin ku Shkëlzen Berisha ka blerë disa magazina dhe prona për të ngritur fabrikën e boronicave, e cila deri më tani ‘po përpunon vetëm para’.

Për të justifikuar blerjen me vlerë 1.8 milionë euro, Shkëlzen Berisha ka marrë një kredi në dhjetor 2018, po 1.8 milionë euro, duke lënë kolateral pronat, që i kishte blerë 5 ditë para se të merrte kredinë. Vlera e pronave është dukshëm më e ulët jo vetëm se sa vlera e principalit të paktën 2.3 milionë euro, por edhe sa vetë kredia 1.8 miliinë euro pa interesa.

Ndërkaq, Shkëlzen Berisha ka punuar edhe si konsulent ligjor i kompanisë Agromel të Klodian Allajbeut. Në një rast, në vitin 2017, Shkëlzen Berisha deklaron në ILDKPKI se përmes Logal ka marrë një pagesë prej 30 milionë lekë të vjetra nga Agromel. Në vitin 2018, Agromel ka marrë një shumë prej 200 milionë lekë nga AZHBR-ja si mbështetje nga shteti për të përpunuar fruta pylli.

Mes tre kompanive, Agromel dhe Agromark të Klodian Allajbeut dhe Logal të Shkëlzen Berishës, pritet fatura për shërbime të dyshuara fiktive. Këto kompani fantazmë qarkullojnë miliona euro. Dhe si vend kanë gjetur pikërisht Gërdecin, ku Shkëlzen Berisha ngriti biznesin e vdekjes në vitin 2008, kamufluar në emër të disa biznesmenëve të besuar, dhe me zbatues ministrat e babit, Fatmir Mediun dhe Aldo Bumçin.

Po cili është pronari fundor i koncensioneve të hemodializës dhe laboratorëve, Klod Allajbeu apo Shkëlzen Berisha?/ Prapaskena

--------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë