Klodeta Dibra në Report Tv: PS konkurron fort me programin dhe integritetin e kandidatëve, Basha nuk bëri asnjë shkollë kur ishte në bashki

E bindur se PS do ta fitojë mandatin e tretë, kandidatja për deputete në listën e PS për qarkun e Tiranës, Klodeta Dibra, tha se futja në listë nuk ishte spontane pasi ajo ka kontribuar prej vitesh në këtë forcë politike. Në një intervistë në studion e Report TV Dibra tha se lista e PS është mbështet gruan në politikë.

“Nuk është futje spontane në lista unë kam disa vite që jam angazhuar në strukturat e PS. Prej vitit 2015 jam anëtare e këshillit bashkiak, dhe në 2019 pata një mandat të dytë si anëtare e këshillit bashkiak, dhe prej 2 vitesh drejtoj forumin e gruas socialiste, një strukturë mbështetëse e PS dhe përthithë gra dhe vajza socialiste që shfaqin idetë e tyre dhe ne i përcjellim më tej në PS. Si e prita lajmin? Faktikisht e prisja jo vetëm se jam kryetare por edhe duke parë vizionin e PS në angazhimin maksimal të grave dhe vajzave sigurisht e prita me shumë kënaqësi dhe e vlerësoj maksimalisht pasi në tiranë dhe në gjithë Shqipërinë ka plot gra dhe vajza që e meritojnë të jenë në kuvend, prandaj do ta vlerësoja dhe çmoja si një përgjegjësi ndaj elektoratit dhe qytetarëve të kryeqytetit dhe më gjerë edhe ndaj qarkut të Tiranës”, tha Dibra.

Akademikja Dibra thotë se një nga arsyet pse duhet vlerësuar dhe votuar kandidatura e saj është eksperienca e saj në arsim, duke pretenduar se i njeh problemet dhe zgjidhjet që duhen për sistemin arsimor. Dibra thotë se tek PS qytetarët kanë hapësirë të votojnë si programin, kandidatin por edhe subjektin.

“Unë besoj se duhen vlerësuar të treja, dikush voton program këtu hyn kategoria që e ka ndjekur punën e qeverisë. Dikush do të votojë subjektin sepse ka besim tek PS por sigurisht që ka edhe të tjerë që duan të shohin kandidatët e tyre, ku unë jam njëra prej tyre dhe do dëshirojë të isha në parlament, duke kërkuar votëbesimin e kolegëve të mi, të një shtrese të jashtëzakonshme siç janë mësuesit sepse duke qenë se jam pjesë e arsimit dhe i njoh problemet pretendoj se i njoh edhe zgjidhjet e problemeve. Kam mjaft për të bërë dhe kërkuar ajo që mbetet është se elektorati do të dijë të zgjedhë partinë, programin dhe kandidatin”, thotë Dibra.

Për pedagogen, qasja që partia Socialiste ka ndjekur në hartimin e listave është e mirëmenduar, pasi vë përball njerëzve figurat me kontribut në PS, madje vendosjen në ‘vijën e rrezikut’ të shumë deputetëve aktual ajo e shikon si një shtysë për maksimizimin e votës. E veçanta në program dhe strategjinë e PS është edhe përfshirja e grave në lista.

“Besoj janë dy risi në konceptimin e listave. Risia e parë që në 12 qarqe në pjesën më të madhe emri është një grua apo vajzë dhe ky është besim dhe vlerësim që i jepet grave dhe vajzave, në çdo rast ruhet kuota rinore. Ti besosh një gruaje në çdo qark të vendit është një vlerësim maksimal. Vendosja e figurave që kanë kontribute në vijën fundore, nuk do e quaja të tillë pasi për mua çdo numër çdo kandidat pavarësisht pozicionit ka rolin e vet, ka marrë detyrat për tu harmonizuar me skuadrën. Nuk e shoh një risk, por si një shtysë ku figurat që kanë dhënë një kontribut të mbështeten nga qytetarët, sepse çdo mbështetje e individit shkon automatikisht për PS. Është një strategji shumë e mirë-menduar dhe e zgjuar”, shprehet Dibra.

Nga ana tjetër kur flitet për arsim në programin e kundërshtarit, zotit Basha, Klodeta Dibra sjell një vëmendje se nën drejtimin e kryedemokratit në bashkinë Tiranë nuk u bë asnjë ndërtim apo rikonstruksion shkolle.

“Nëse do e shohim me vëmendje se çfarë është bërë dhe çfarë pritet është një vijë shumë logjike, pasi çfarë është bërë të jep shumë besim dhe të krijon atë idenë që do ketë vazhdimësi. Pra një shkolle që i është ndërtuar kati i parë ka nevojë të ndërtohet kati i dytë e me radhe. Në këtë aspekt duke parë punën për rikonstruksionin e shkollave, të mendojmë për 4-vjeçarin kur ishte kryetar bashkie zoti Basha dhe në një pyetje që i është bërë më thuaj vetëm një emër shkolle për rikonstruksion, kryetari i opozitës që kërkon të mandatohet si kryeministër nuk arriti të thoshte qoftë edhe një emër, ndërkohë shifrat janë kokëforta janë 263 shkolla të rikonstruktuara, që janë bërë me mjedise moderne. Janë shumë shkolla që janë në proces ndërtimi që tregon vëmendjen që ka qeveria për arsimin”, sqaroi ajo.

E pyetur se si ndjehet e renditur në vendin e 29 në listën e kandidatëve, Dibra thotë se numri nuk ka rëndësi më shumë se vlerësimi për tu bërë pjesë e kësaj skuadre. Ajo thotë se lista e forcës politike me të cilën garon ka figura me integritet dhe profesionistë, dhe përmend zonjën Bozo dhe Çomo.

“Besoj që elektorati është njohur me figurat e listave, ka emra të njohur me kontribut në PS, por sigurisht ka edhe një rifreskim të listës. Nuk bëhet vlerësimi vetëm në moshë por edhe me figura siç është rasti i profesoreshë Najadës dhe i zonjës Bozo, por edhe të prurjeve të reja që janë figura profesionale dhe meritojnë të jenë pjesë e listës. Lista përfshin shumë grupe interesi dhe profesionistë të ndryshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse Kuvendi ka nevojë për profesionistë që do të dinë të bëjnë edhe politik-bërjen kështu që e vlerësoj shumë listë, në lidhje me pozicionin tim, në vendin e 29. Për mua është vlerësim që jam pjesë e një skuadre. Të gjithë jemi për të dhënë kontribute të çmuara për të fituar mandatin e tretë për Partinë Socialiste. Numri 29 për mua është thjesht një numër, kërkoj që qytetarët të vlerësojnë figurat”, u shpreh kandidatja.

Edukimi i ligjërimit në parlament, përfaqësimi i qytetarëve dhe premtimi se nuk do të ndryshojë janë disa nga objektivat dhe sfidat e Klodetës nëse ajo arrin të futet në parlament.

“Një nga sfidat e mija nëse do të isha pjesë e parlamentit është për të edukuar një ligjërim ndryshe pa shpifje, pa ofendime apo fyerje por thjeshtë dhe vetëm një debat i shëndoshë në mënyrë që njerëzit të kenë dëshirë të ndjekin një emision politik dhe jo për të ndryshuar kanal. Nëse do jem pjesë e parlamentit do të jem zëri i qytetarëve. Të kesh një eksperiencë 33 vjeçare akademike, më jep forcën për të besuar që Klodeta Dibra nuk ndryshon sepse e tillë është gatuar, dhe jo vetëm që foltorja e Kuvendit nuk do të na ndryshoj por do të na bëjë përfaqësues dinjitoze të elektoratit, pavarësisht ngjyrave elektorale”, shtoi ajo.

Gjatë intervistës teksa në fokus ishin të rinjtë dhe edukimi i tyre, Dibra dha edhe një mesazh për ata.

“Është e rëndësishme që për mua të rinjtë të harxhojnë kohë në politikë, të shpenzojnë kohë të njihen me politikën, për të marrë përgjegjësi për brezin e tyre në mënyrë që e sotmja ti japë mundësi për tu edukuar dhe nesër çdo gjë të mbetet në dorë të këtij brezi, që është i mirë-arsimuar”, është shprehur kandidatja e PS për deputete në Tiranë Klodeta Dibra.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Bie fluksi në Kapshticë, punohet me 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje

Bie fluksi në Kapshticë, punohet me 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje