Klodeta Dibra: Prioriteti im studenti 
ballafaqim sipas modelit amerikan

Klodeta Dibra: Prioriteti im studenti <br />ballafaqim sipas modelit amerikan
Klodeta Dibra, prej 8 vitesh mban detyrën e Dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ndërsa ka vendosur të bëhet pjesë e një gare të rëndësishme, atë për Rektorin e ri të universitetit më të madh në vend.

E ftuar në emisionin "45 minuta" të Denis Mingës në Report TV, Dibra tha se vendosi të bëhej pjesë e procesit për t'i ofruar Universitetit një vizion ndryshe. Në qendër të platformës së saj është studenti, i cili duhet të gjallërojë universitetin dhe jo kafenetë rreth tij. "Nëse do të zgjidhesha Rektore e Universitetit të Tiranës, prioriteti im do të jenë studentët, që të rinjtë të gjallojnë në universitete. Sot studentët gjallojnë nëpër kafenetë rreth e rrotull universiteteve dhe jo në korridoret e universiteteve", u shpreh Dibra.

Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja shprehu përsëri rezerva për ligjin e Arsimit të Lartë, duke kërkuar amendimin e tij, në pikat e kontestuara nga trupa pedagogjike. Tarifat e larta të studimeve, Dibra tha se janë shqetësuese.

Sipas saj, tarifat që duhet të paguajnë studentët, duhet të jenë të moderuara, në përputhje me të ardhurat mesatare të familjeve shqiptare. Ajo theksoi gjithashtu se një problem më vete për Universitetin e Tiranës, është mungesa e një kampusi universitar.

Dibra ngriti edhe shqetësimin e bllokimit të doktoraturave nga Ministria e Arsimit, duke e konsideruar si antiligjore dhe antikushtetuese njëkohësisht. 

Nëse do të zgjidhej Rektore e Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibra do të ishte e para femër në këtë pozicion. 

Znj.Dibra, dua ta nis së pari me faljen nga Presidenti të Nazime Vishajt, e njohur prej vitesh nga publiku për shkak të një vrasje të saj, ajo u fal sot nga Presidenti? Si do ta gjykoni?
Nuk është një rast i lehtë për tu gjykuar e interpretuar. Duhet parë në rrjedhën e vet që ka patur që nga fillimi. Aktin e faljes e vlerësoj, pavarësisht rrethanave që e shtynë, por akti i faljes është pozitiv, nëse konsiderojmë se është një vajzë e re të cilës i jepet një shans i dytë për të krijuar jetën, ndërtuar familjen e saj, e për tu ndërgjegjësuar për atë që ka bërë. Pasi vuajtja në burg është një vuajtje që kushdo s'do të donte ta provonte për herë të dytë. Lidhur me kontekstin social, është një vajzë e rritur në një familje të varfër, sigurisht në një moshë mjaft të re, e cila bëri një gabim, megjithëse do ta quaja faj të personit që abuzoi mbi Nazimen, por edhe faj të atyre personave që e dinin dhe nuk reaguan. U bë një krim ndaj Nazimes, u dhunua mosha e saj e re, dashuria e saj, iu krijua një premisë për të mos krijuar një jetë, dhe fajin e parë e bëri ai që mori atë që meritoi, por duhet ta merrte nga drejtësia dhe jo nga Nazimja.
 
Nazimja ka thënë se do të rinisë shkollën...
Është mënyra më e mirë për ri-integrimin e saj në shoqëri. Shteti ka detyrimin që të mos humbasë një qytetar, pavarësisht nga profesioni që ajo do të fitojë. Psikologjikisht, 3 vjet pas  burgut, ajo është një njeri me një personalitet të rrënuar, ku shoqëria do ta përçmojë atë. Ndaj, Shoqëria Civile duhet t'i vijë në ndihmë për ta ndihmuar atë. Të miturat që ndjehen të dhunuara, duhet të kenë guximin, ai guxim që i mungoi Nazimes dhe e çoi në burg, ato me guxim duhet të denoncojnë dhe dënojnë njerëzit që bëjnë veprime të padëshirueshme.
 
Le të kthehemi te gara për Rektoratin e UT.  Gjithmonë ka prodhuar garë. Nuk e di a ka më rëndësinë që ka patur në të kaluarën. Pse e keni ndërmarrë këtë iniciativë?
Është një periudhë mjaft e gjatë për të pranuar në ndërgjegjen tënde vullnetin për të pranuar një garë. Kjo është një garë e hapur që përmbush disa kritere dhe është mjaft e rëndësishme që të kemi garë dhe zgjedhje demokratike, sa i përket mënyrës sesi zhvillohen. Votuesit janë stafi akademik dhe studentët, ku kjo garë do të shtrihet në të gjitha universitetet publike në vend. Në respekt të garës dhe vullnetit personal, por edhe dëshirës për të ndryshuar diçka, më bëri që të mendohesha thellë dhe të thoja me veten time, para se këtë vendim tua komunikoja miqve të ngushtë dhe kur mendova se do t'i bëja shumë mirë garës, atëherë thash pse të mos marr pjesë në garë... Unë jam mësuar me gara, por kjo është një garë akademike, vlerash e kontributesh. Shpresoj të ketë sa më shumë pjesëmarrës, se kjo sjell përplasjen e vlerave, kontributeve, e platformave, e kjo i jep mundësi stafit akademik e studentëve të zgjedhin vizionin e duhur, e mundësisë së tyre për një universitet bashkëkohor, ku investojmë sot për një të ardhme më të mirë.
 
Garat kanë gjithçka, mungesë sinqeritetit, vjedhje votash. Janë këto brenda Universitetit?
Kjo varet nga lojtarët. Nëse në një stadium ndodhin incidente ndodhin se ka një nxitje, e nxitjen ia japin lojtarët. Fakti kur lojtarët, nëse arbitri favorizon njërën palë, krijon te sportdashësi të nxiten disa instinkte inati, ku siç ndodh zakonisht shkulim stolat e stadiumeve etj. Nuk besoj se gara në Universitetin e Tiranës, të jetë një amfiteatër romak. Unë dua ta besoj dhe kjo mbetet deri ditën e nxjerrjes së kandidatëve fitues. Këtu garohet edhe për dekanët, shefat e departamenteve dhe senatin e UT. Përsa kohë do të respektohet një lojë fair në arenë, nuk do të kisha asnjë merak.
 
Ajo çka i mungon garës politike, është ballafaqimi ose debati i hapur. Në universitet do ta bëni një gjë të tillë?
Absolutisht që po. Besoj se të gjithë kanë dinjitetin e tyre, që ta pranojnë këtë përballje dhe kjo është në të mirë të kandidatëve dhe atë atyre që do të dinë të zgjedhin vizionin. Jam shumë e hapur dhe do të isha për modelin amerikan të ballafaqimeve. Të mund të merreshin salla në të cilat do të ftoheshin të gjithë kandidatët dhe të dilnim përpara të gjithë stafit akademik, ku kushdo të shpaloste platformën, përballë atyre që do të bashkëpunojë. Nuk dua ta besoj dhe nuk e besoj se një garë në universitet, është e ngjashme me një garë politike. Një garë vlerash, i bën nder garës, individit dhe Universitetit të Tiranës, si universiteti më i mirë dhe më i kërkuar në Shqipëri.
 
Ju jeni koshiente se sfida juaj ka dy gjëra të rëndësishme, në aspektin tuaj të jetës personale dhe nëse zgjidheshit, do të ishit e para grua Rektore në UT...
Emocioni s'më ka munguar asnjëherë, sepse ndjeshmërinë njerëzore e kam shumë të lartë. Kam marrëdhënie njerëzore me të gjithë kolegët, studentët të cilët i dua shumë. Nëse unë kam marrë përsipër të bëj diçka për Universitetin e Tiranës, së pari janë studentët, për një edukim dhe për një Shqipëri më të mirë në të ardhmen. Në aspektin e pjesës së dytë, besoj se femra shqiptare i ka kapërcyer shumë barrierat dhe fakti që garohet, tregon se është një kandidate e mundshme për të fituar. Në universitet tona kemi gra apo vajze, që kanë detyra të rëndësishme dhe nëse do të isha e para, diçka do të shkruhej në historinë e Universitetit të Tiranës. Por këtë garë e bëj për të kontribuar në demokracinë e brendshme në Universitetit të Tiranës.
 
Çfarë problemesh keni konstatuar në UT, që do t'i ndryshoni?
Në detaje nuk hyjmë dot. U bë një reformë në arsimin e lartë, ku u ngrit një grup pune nga Ministria e Arsimit të përbërë nga pedagogë të universiteteve dhe u ngritën një tërësi problematikash, jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por edhe në rrethe dhe ato janë problematika të dukshme dhe pati një përpjekje për të bërë një reformë. Dimë të tërë atë që ishte një seleksionim institucional, siç ishte mbyllja e disa universiteteve, por edhe universitet e sotme kanë probleme. Jam besim plotë te serioziteti i kompanisë britanike te seleksionimit dhe akreditimit të universiteteve. Në mënyrë që të lëmë ato universitete që plotësojnë standardet, boll më me diploma pa vlerë.
 
Jeni dakord për mbylljen e të tjera universiteteve?
Për mua të gjitha universitetet që të rrinë në treg, që do të ekzistojnë, shteti duhet të japë mbështetjen e tij. Universitetin nuk e bën tulla, por burimet njerëzore, pedagogët.  
 
Ka zëra se ligji i Arsimit të Lartë nuk po funksionon. Ju keni qenë kritike...
Kam përgëzuar nismën e Ministrisë së Arsimit, për të sjellë ligjin në diskutime me stafet akademike. Jo gjithmonë, pedagogët e kanë ndjeshmërinë për të qenë pjesë e një reforme, jo të gjithë e kanë lexuar me përgjegjshmëri akademike ligjin e qeverisë. Dhe kjo ka bërë që një pjesë ta kenë marrë seriozisht dhe pjesa e mirë, mazhoranca, s'e kanë lexuar fare, duke komentuar një ligji të komentuar nga të tjerët dhe jo të lexuar nga ata vetë. Kjo i bën dëm procesit. Kjo edhe për të patur e mbrojtur Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Se kush duhet të shihte vetveten për të gjithë investimin e bërë për Fakultetin. Personalisht, kam qenë mjaft aktive në oponencën që i është bërë ligjit, ku gjej rastin të përgëzoj senatin e Universitetit të Tiranës, ku nuk u bë asnjëherë palë me atë që mund të ishte e dëmshme për UT. Kam objeksionet e mia në lidhje me ligjin, për të kërkuar amendime të cilat do t'i shërbenin më mirë institucioneve të Arsimit të Lartë.
 
Një tjetër problem është bllokimi i doktoraturave, si do ta zgjidhni?
Është një absurditet prej 3-vitesh. Sa kohë Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ka kërkuar kuota, ka një program të akredituar në doktoraturë dhe ka marrë kuota, të ndërpresësh këtë aktivitet s'i bën mirë jetës akademike, por është edhe shkelje e ligjit, kushtetutës dhe të drejtës së njeriut për tu arsimuar. Ti si Ministri, aty ku procesi shkon lejoje, aty ku nuk shkon, mbylle. Ministria nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë situatë të papranueshme. Bllokimi i ciklit të tretë të studimeve është një shkelje e ligjit dhe kushtetutës.
 
Si do ta zgjidhni këtë proces?
Jemi përpara një ligji të ri të Arsimit të Lartë që për mua duhet të amendohet se gjërat nuk po shkojnë që tani, se ai duhet të pasurohet me aktet nënligjore. Është një lëvizje e madhe që do të ndodhë edhe për shkak të Agjencisë së Akreditimit për të rifreskuar kurrikulat dhe pjesë e tyre do të jenë edhe doktoraturat. Doktoraturat nuk janë më në formën e tyre tradicionale, por kuotat do të shpërndahen brenda vetë institucionit, duke patur parasysh kapacitet akademike.
 
Keni një gjykim pse është bllokuar procesi? Ka zëra se është bërë për të favorizuar sektorin privat, edhe pse ai që e mbaron në publik, e ka marrë më me vështirësi se në sektorin privat...E mendoni që është e qëllimshme?
Universiteti i Tiranës ka një titullar institucioni që është Rektori dhe besoj se ka bërë përpjekjet e veta. E ka për detyrë për të bashkëbiseduar, dialoguar, për të rënë në kompromis me qeverinë e Ministrinë e Arsimit. Në postën time zyrtare në universitetit, s'më ka ardhur asnjë përgjigje se pse nuk jemi pajisura me kuotat e doktoraturës. Nuk dua ta besoj që është bërë me qëllim.
 
Universitetit të Tiranës i mungon kampusi...
Aktualisht, sot në Universitetin e Tiranës, jemi në disa godina, ku nuk arrijmë as të integroheni si shoqëri akademike, e as studentore, për të bërë shumë gjëra bashkë. Jemi në disa ishuj të ndarë ku nuk kuptojmë se çfarë bëjmë. Nuk kemi një qendër kërkimore shkencore, nuk kemi një bibliotekë. Është shumë i vonuar kampusi për Universitetin e Tiranës, për këtë ikonë të vetme të Arsimit të Lartë në Shqipëri, që vitin e ardhshëm bën 60-vjet. Duhet të bëjmë për universitetin atë që universiteti i ka dhënë shoqërisë shqiptare në 60 vite. Është pioneri i zhvillimit të shoqërisë shqiptare.  
 
Si i shikoni tarifat e studimeve për Arsimin e Lartë?
Jam për tarifa të moderuara, tarifa për të ardhura të mesme, mesatare të familjeve shqiptare. Rrogat e pedagogëve t'i sigurojnë nga të ardhura të tjera dhe jo nga tarifat e studentëve. Universitet kanë aq shumë grante, sidomos nga BE, dhe këtu duhet mençuri për të thithur fondet, të cilat do të ndihmonin jetën akademike. Të ardhurat e studentëve duhet të përdoren për të përmirësuar jetën e studentëve, e jo për investime në universitete. Këtë "Jo".
 
Nëse paratë harxhohen për pllaka etj, dihet se abuzohet me fonde. Ka korrupsion?
Unë di të them atë që di më mirë. Në 8 vitet e mia si Dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, pllakat janë ndërruar vetëm njëherë. Kur bëhet një investim bëhet për të jetuar, dhe jo për t'i ndërruar përsëri vitin tjetër. Paratë e studentëve janë për studentët. Nëse do të zgjidhesha Rektore e Universitetit të Tiranës, prioriteti im do të jenë studentët, që të rinjtë të gjallojnë në universitete. Sot studentët gjallojnë nëpër kafenetë rreth e rrotull universiteteve dhe jo në korridoret e universiteteve. Sot jemi në kushtet kur mekanizmi i maturës shtetërore ka dështuar. Plotësimi i formularëve me një listë prioritetesh nga 1 te 10-a, bëri që në universitet, në raportet maturë shtetërore-mesatare, të kishim disbalancë të frikshme.
 
Mendoni se Shoqëria Civile në Shqipëri është e pandikushme nga politika?

Unë jam pjesë e shoqërisë shqiptare. Shoqëria akademike është vetë një Shoqëri Civile, që duhet të jetë në oponencë të vazhdueshme për qeverinë. Në këto vite Shoqëria Civile ka filluar të kultivohet, por nuk është e lehtë të kultivohet një Shoqëri Civile. Kemi mundësi që thjesht të shohim botën si është kultivuar Shoqëria Civile. Shoqëria shqiptare duhet të jetë më e guximshme. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Rutte përsërit mbështetjen e NATO-s për Ukrainën në luftën kundër Rusisë

Rutte përsërit mbështetjen e NATO-s për Ukrainën në luftën kundër Rusisë