Klodi Kadillari, shkëlqimi i shqiptares që luan në filmin e Cristiano Mattei-t

Klodi Kadillari, shkëlqimi i shqiptares që luan në filmin e Cristiano Mattei-t

Klodi Kadillari

Ajo ka arritur të jetë ndër më të mirat aktore dhe regjisore,por edhe shkrimtare dhe gazetare e mirë. Klodi Kadillari e ka nisur rrugën e artit me rolin e parë të Vasiliqisë në dramën e “Ali Pashë Tepelenës” përkrah aktorëve të njohur Lazër Filipi, Drita Pelingu, Agim Qirjaqi.

Më pas është shfaqur në skenë me Natalia Stepanovan, Mbretëreshën Gertrudë, Zhaklinen dhe kështu ajo e ka kurorëzuar suksesin më të madh me Nënë Terezën në monodramën “Pikëllim dhe dashuri”, sukses që pasoi njëherazi me filmin dokumentar “Një rrëfim për Nënën”, ku u vlerësua si aktorja me interpretimin spontan nga kritika në Festivalin e Dokumentarëve në Europë! Ka përfaqësuar Shqipërinë në festivalin e Monodramës dhe ka fituar Çmimin Aktori më i Mirë në Europë me monodramën “Shtëpi kukulle”, ku Klodi Kadillari është vlerësuar si aktorja më e mirë femër, duke marrë pjesë në shumë festivale brenda dhe jashtë vendit!

Në fillimet e saj të punës në Radio-Tirana, ajo ka sjellë për publikun romanin e parë "Kodi i Trëndafilit", botuar në vitin 2009. Në vitin 2013, Klodi Kadillari ka botuar romanin "Pengu", ku esencialisht dhe në simbiozë të dy romaneve është katrahura e viteve më gri që përjetoi Shqipëria gjatë ‘91-’97-s, ku ndodhi edhe përçmimi, persekutimi,dhunimi i vajzës dhe bijës shqiptare…!

Prej vitesh, Klodi Kadillari ka realizuar një sërë dokumentarësh dhe reportazhesh social-kulturore, derisa në vitin 2017, ajo e lidhi fatin e saj me Sardenjën, për të studiuar për kinematografi, dokumentarë e fotografi. Aktualisht, ajo jeton aty në Sardenjë, në ishullin fantastik të Italisë, aty ku sapo ka kërcyer nga një pedan më i lartë drejt një karriere më të ndritshme, të cilën me fjalë të kursyera e sjellje modeste e rrëfen në intervistën për “Shqiptarja.com”.

Intervista

Klodi Kadillari ju jeni artistja që prej një viti i mungon Tiranës, televizionit, skenës. Tashmë destinacioni i saj është Sardenja, Akademia Mario Sironi Sassari! -Përse Sassari,përse zgjodhët Akademinë Mario Sironi?

Mbas ndërhyrjes time kirurgjikale në Sardenjë, unë me dëshirën dhe vullnetin tim kërkova të bëja një tjetër zgjidhje të jetës, shkëputa marrëdhëniet me RTSh, ku punoja prej 10 vitesh për të ndjekur një specializim 2-vjeçar në Kinematografi -Dokumentar-Fotografi dhe jam e lumtur që kreva me sukses vitin e parë me rezultate të shkëlqyera!

Emra të njohur brenda dhe jashtë Italisë janë përkrah teje! Janë profesorët e tu....?

Po jam me fat që marr leksione në regji nga profesor Lorenzo Hendel dokumentaristi i njohur i Rai-t babai i dokumentareve oservacional, po ashtu profesori gjerman Ansel Jappe një ndër filozofët, sociolgët dhe botues i shume veprave në Europe dhe Perëndim si edhe emra të njohur si Nicola Contini, Marcellino Garau.... Këtë vit në akademi pata nderin të isha pjesë e ligjëratave të regjisorit me famë botërore fitues i çmimit Oskar Fredrik Wieseman. Aty u përballa me një tjetër realitet. Të qenit dokumentariste sipas meje do të thotë- të jesh njësh me realitetin pa kërkuar ta sforcosh apo ta zbukurosh, dhimbja dhe vuajtja në dokumentar nuk njeh gjuhë,kombe dhe racë

Si erdhi kërkesa për të luajtur në filmin e Cristiano Mattei në fabulën "Dhembët e prishur"?

Kur konkurrova, profesorët që pata në juri mësuan që unë isha e diplomuar në Aktrim dhe Psikologji. U njohën me pas me disa nga rolet që kisha realizuar dhe kërkesa erdhi direkt nga akademia!

Ju interpretuat në rolin e Fata del Lampione, rolin e një prostitute të viteve '70..., si u prit ky rol si u ndjetë?

Unë shpeshherë edhe me të qeshur, u drejtohesha profesorëve të mi:-Nga një Nënë Terezë në Shqipëri, me shndërruat në një prostitutë me zemër të madhe këtu në Sardenje...Gjithsesi rolet janë të ndryshme dhe jam e kënaqur qe u përballa edhe me këtë rol me kolegë të huaj dhe falënderoj Zotin qe ja dola dhe shkëlqeva në interpretim dhe me prurjen e këtij karakteri...

Di që në qershor ju merrni një ftesë në ekspozitën e artistit Sard Giovanni Sechi, si e ftuar nderi? Si erdhi kjo ftesë nga ana e Sechit për të qenë e ftuar nderi nga Shqipëria ku edhe mediat Sarde shkruajtën dhe cituan “artisja Kadillari në bashkëpunim me piktorin Sechi...”

Me Giovannin isha njohur përmes dokumentarëve të mi të realizuar në Shqipëri në ciklin Shqipëria në Telajo...Ky sukses më çoi që të jem sot edhe pjesë e jurisë në përzgjedhjen e veprës më të mire në konkursin e Quajtur" të pikturosh duke përkëdhelur" ku jam në krahë të emrave të njohur të artit figurativ si Angelo Salvatore Baghino dhe Alessandra Botondi.

Ndodheni aktualisht në Tiranë, për të pushuar apo për të punuar me , shfaqjen “Shtepi kukulle” të autorit Henrik Ibsen që prezantohet në teatrin Mulineddu?

Në mes të shtatorit me ftese të artistit dhe presidentit të festivalit Bruno Petretto, jam e ftuar që monodrama ime “Shtëpi kukulle” me të cilën në festivalin ndërkombëtar fitova çmimin “Aktorja me e mirë femër” të jem pjesë e mbylljes së këtij festivali, ku e gjithë energjia dhe përkushtimi im në këto ditë të nxehta janë provat e kësaj premiere në gjuhë italiane me një staf krejtësisht tjetër dhe me një tjetër performance të Norës, ku gjej mundësinë të falënderoj stafin me të cilët po bashkëpunoj në realizimin e kësaj vepre teatrale si Massimo Piermatteo- Konsulent, piktorin Giovanni Sechi-skenograf, Serena Giua-n, kostumografe.

Drama vihet në skenë me muzikë të Enrico Armentano-s, ku unë interpretoj dhe sjell regjinë. Shpirti im fle kur ndiej se hapat e mi ecin mbi dërrasat e skenës, frymëmarrja ime përplaset në muret e teatrit dhe kur publiku jeton dhe njehsohet me rrahjet e zemrës time! Në këtë monodrame nuk do mungojnë elementet shqiptare muzika, vallja dhe ninulla do të jene pjese e identitetit të vendit tim.

Sa e vështirë është përballja e një artiste shqiptare me një vend të huaj?

Vështirësia nis qe kur le pragun e shtëpisë dhe lë gjuhën e mëmës...dhe tërheq valixhen neper aeroporte dhe nëpër rrugë duke mbartur vuajtje, emocione dhe përvojë. Nuk është e lehte aspak, por ai motivi që është brenda meje më ushqen dhe më bën shoqëri edhe kur qaj në heshtje, duke i thënë vetes- do ja dalë edhe këtu ku ndodhem.

E nis gjithmonë nga zero duke u përpjekur përherë të respektoje liritë e hapësirës time dhe të jem në paqe me njerëzit qe me rrethojnë. Nga roli i Nene Terezës përfitova shume - Mjafton një buzëqeshje për ta nisur ditën mbarë... Falënderoj Zotin që më riktheu në jetë dhe më jep force për të vazhduar përpara.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • [email protected]: 11/08/2018 04:20

    Nje sukses i merituar,urime per suksese te metejshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

​Kosovë/ 100 eurot për fëmijë dhe pensionistë, fushatë zgjedhore apo ndihmesë?

​Kosovë/ 100 eurot për fëmijë dhe pensionistë, fushatë zgjedhore apo ndihmesë?