Banorët e fshatit Kurdari në Bashkinë e Klosit vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e një hidrocentrali të vogël në “Përroin e Lusës”. Mëngjesin e kësaj të premte banorët kanë përzënë përzënë drejtuesin e mjetit bashkë me fadromën.
Rezistenca e banorëve të Kurdarisë vijon prej më shumë se 8 muajsh duke mos lënë firmën të punojë. Banorët shprehen se futja e ujit në tubacione do të thotë vdekje e jetës në fshat, ndaj janë të vendosur për të mos e lejuar zhvillimin e këtij projekti.
Ata i bëjnë thirrje kompanisë që të mos rikthehet më si dhe institucioneve shtetërore të ndalin masakrën siç e quajnë ata të një fshati me prodhimtari të lartë bujqësore.
“Kjo firmë do të mbajë përgjegjësi për çdo gjë. Firma nuk ka asnjë lloj dokumentacioni, kjo është shtëpia e Kurdarisë. Do të rezistojmë deri në vdekje”, tha një banor i revoltuar.
“Kemi tetë muaj që protestojmë në mënyrë paqësore pa dhunë pa kulturë”, tha një tjetër.
“Sot kemi përzënë punonjësin së bashku me fadromën. Kjo nuk është firmë është një grabitqar, i bëjmë thirrje të na lënë të qetë në shtëpinë tonë. Çështjen e kemi çuar në gjykatë. Kurdaria është hambar i qytetit të Burrelit”, tha një banor tjetër.
Ndërkohë investitori i firmës ‘Doma’ shprehet se për punimet ata kanë një leje. Besmir Domo thotë se kërkojnë ndihmën e institucioneve përkatëse për sqarimin e banorëve në lidhje me punimet.
“Prej tetë muajsh kemi hasur vështirësi me banorët e fshatit. Për punimet ne kemi një leje ndërtimi. Para punimeve administratori i kompanisë ka njoftuar me shkresa institucionet përkatëse. Me banorët kemi pasur përplasje fizike dhe kërcënime. Më kanë ardhur banorët në kantier, kemi njoftuar policinë. Kërkojmë ndihmëm e policisë dhe institucionet përkatëse që të sqarojnë bamorët. Gjykata thotë që mos të pezullojmë punimet”, tha Besmir Domo, investitori i firmës ‘Doma’.
Protestat e vazhdueshme të banorëve të Kurdarisë janë zhvilluar duke mos lejuar kompaninë të shkojë në kantier. Sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimet ujore që përdoren për vaditje dhe furnizim me ujë, duke vënë në rrezik tokat bujqësore, pemtarinë dhe blegtorinë, të cilat janë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e zonës.
Komente










