Një ditë pas vetëdorëzimit, Policia e Shkodrës ka arrestuar 7 persona pas përplasjeve të dhunshme me policinë dhe rojet private në kantierin ku po ndërtohet resorti i Bashkim Ulajt.

Sipas njoftimit të bluve të ndaluarit nga mosha 19-vjeç deri në 60-vjeç u rëndojnë veprat penale ‘Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik’ dhe ‘Plagosja e rëndë me dashje’.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet një 55-vjeçar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.  

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale të ndalimit të shtetasve: P. K., 20 vjeç, banues në fshatin Luarzë, S. K., 19 vjeç dhe D. Sh., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Pulaj, A. P., 46 vjeç dhe S. K., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Torovicë, P. M., 60 vjeç dhe A. M., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Baks-Rrjoll, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më datë 28.02.2026, në fshatin Rrjoll, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, banorë të zonës, kanë organizuar protestë për pengimin e punimeve që po kryhen nga një firmë ndërtimi.

Gjatë protestës, ata kanë goditur punonjësit e kompanisë së sigurisë private, njëri nga të cilët është dëmtuar rëndë, si dhe kanë shkatërruar makineri të firmës që po kryen punimet. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. P., 55 vjeç, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, njoftoi sot policia.

Gjatë protestës së 28-shkurtit dhjetëra banorë të fshatit shkodran dhe jo vetëm, thyen xhamat e eskavatorëve dhe kabinave të kompanisë "Gener 2" në pronësi të Ulajt, si dhe dëmtuan makinat e kompanisë private të sigurisë, "Breçani Security", e cila prej disa ditësh është kontraktuar për ruajten e kantierit. Sipas banorëve botuesi dhe biznesmeni Bashkim Ulaj po u grabit pronat për të ndërtuar një resort të tijin

Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.