Dibër- Një incident i rëndë është shënuar këtë të mërkurë në Dibër, ku një efektiv i forcave “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim.
Gjatë ndërhyrjes, Klodian Llomi i cili ishte në shënjestër të aksionit ka shtyrë nga një mur rrethues policin Gentjan Meda.
Meda është nisur me helikopter në Tiranë për shkak të dëmtimeve që ka marrë në kokë, ndërkohë i plagosur lehtë ka mbetur edhe kolegu i tij, Bilal Gjapi.
Nga ana tjetër 35-vjeçari që ishte në kërkim ndërkonbëtar nga Italia për Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” tentoi të arratisej duke u hedhur nga banesa dy katëshe por, pa rezultat. Llomi u arrestua dhe u dërgua në Komisariatin e Dibrës për veprime të mëtejshme.
Nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Apelit të Romës, 35-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Komente










