KLOS – Në një ceremoni zyrtare dhe mbresëlënëse, Bashkia e Klosit ka vlerësuar sot kontributin e spikatur të aktivistit dhe intelektualit Alban Daci, duke e nderuar atë për rolin e tij si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë. Këshilli Bashkiak i Klosit i akordoi z. Daci "Certifikatën e Mirënjohjes" (Nr. 290, datë 27.02.2026), në një aktivitet ku morën pjesë figura të larta të pushtetit vendor.
Në tryezën e nderit ishin të pranishëm Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Hazbie Dedolli, Kryebashkiakja e Klosit, znj. Valbona Kola, si dhe Kryetari i Qarkut Dibër, z. Armand Gjini, të shoqëruar nga zv.kryetaret Freskida Arriku e Blerina Pllumbi, si dhe anëtarë të Këshillit e drejtues sektorësh.
Motivacion për një Emigrant Model
Motivacioni që shoqëron këtë titull vë në dukje punën e palodhur të Alban Dacit në dobi të bashkëkombësve:
"Mirënjohje dhe vlerësim i veçantë për kontributin e vyer dhe angazhimin e palodhur në përfaqësimin dinjitoz të komunitetit shqiptar në Itali, në forcimin e lidhjeve me diasporën dhe promovimin e vlerave më të mira të vendit tonë."
Gjatë fjalës së tyre, znj. Dedolli dhe znj. Kola vlerësuan lart figurën e z. Daci, duke e cilësuar atë si një shembull të suksesit të shqiptarëve jashtë vendit, të cilët kurrë nuk harrojnë rrënjët dhe punojnë për të lartësuar imazhin e atdheut.
Dedikimi Prekës:
Për Alban Dacin, ky vlerësim nuk ishte thjesht një arritje personale, por një amanet i çuar në vend. Gjatë fjalës së tij të rastit, ai u shpreh i prekur dhe mirënjohës ndaj institucioneve, duke ia dedikuar këtë titull njeriut që e frymëzoi në çdo hap:
"Këtë mirënjohje ia dedikoj të ndjerit, babait tim, Fatos Daci, Mjeshtër i Madh," deklaroi ai. Ky dedikim u prit me duartrokitje, duke nderuar kështu jo vetëm Albanin, por edhe kujtimin e babait të tij, një figurë emblematike për të gjithë zonën dhe më gjerë.
Ceremonia u mbyll me shkrepjen e fotove zyrtare, duke lënë pas një dëshmi të rëndësishme se si vlerat e emigracionit dhe forca e diasporës po gjejnë gjithnjë e më shumë vend në vëmendjen e qeverisjes vendore në Klos.
Komente











ca ka bere albani?
Përgjigju