Klosi & Shamku, Analizat, si ka
ndryshuar gjuha e Tiranës në vite

Klosi & Shamku, Analizat, si ka<br />ndryshuar gjuha e Tiranës në vite
TIRANE - Shqiptarja.com publikon sot dy analiza të Ardian Klosit dhe Ledi Shamkut si ka ndryshuar gjuha e Tiranës në vite. Repertori gjuhësor i Tiranës, dialekti i Tiranës, si ka jetuar e mbijetuar ai, ç’e ardhme e pret vallë?

DIALEKTI SI STREHË DHE SI REZISTENCË NËN SHEMBULLIN E TIRONSES
 
Tingëllimi i veçantë tironas prapëseprapë nuk ka humbur…
 
Gjuha jeton përmes dialekteve, që janë limfa e jetës së saj. Kjo e vërtetë megjithatë shpesh harrohet dhe dialektet shihen si një shfaqje “historike” dhe e tepërt, që njeriut modern nuk i duhet. Sidomos në kohën tonë të globalizimit dhe masmediave dialektet shumëkund janë në tkurrrje dhe shuarje të plotë. Në rast se, në globin tonë çdo dy javë shuhet një gjuhë, sikundër e nxirrte një studim amerikan, dialektet mund që ndoshta treten dita-ditës. E prapëseprapë askush nuk mund të thotë se ka rënë kambana e dialekteve ose të folmeve të veçanta dhe se njeriu modern nuk do t’i rikthehet edhe në këtë pikë asaj çka i kanë lënë trashëgim shekujt. Në shtjellimet e mëposhtme dukuria do të vrojtohet në shembullin konkret të dialektit të Tiranës: Si ka jetuar e mbijetuar ai, ç’e ardhme e pret vallë? Në hartën dialektore të Shqipërisë Tirana me fshatrat e saj bën pjesë në të folmet e gegërishtes jugperëndimore, dmth. në një zonë që përfshin ç’përmbledh trekëndëshi Durrës-Elbasan-bregdet.

Por edhe brenda kësaj zone Tirana ka veçantitë e saj gjuhësore, të cilat këtu nuk është vendi t’i rendisim m e hollësi , por megjithatë ndoshta për t’i cekur ato më kryesoret, ato që japin tingëllimin e vërtetë “tironas”. Ashtu si shumica e dialekteve të gegërishtes edhe e folmja e Tiranës ka zanore të gjata, të mesme e të shkurtra, ka zanore hundore, i asimilon tingujt mb, nd, ngj në m, n, nj (mâjta, nava, njita etj.), grupin va e bën vo (voj, vorr, votër), përdor infinitin e tipit me shku, me punu, formën e pakryer të foljeve e ndërton me sh: merrsha, bojsha etj. Këtyre do t’i shtonim disa veçori, që janë tipike ‚tironçe’: Zanorja a e theksuar bëhet ô: dhônri, fullônza, kom mor, moca, kurse a-ja e patheksuar shpesh del si o: gamori, damotja, aborri (Kur ishim fëmijë tregonim edhe këtë anekdotë: Mësuesi tironas u thotë nxënësve: “Sot, të dashun nxonës, do morim gërmën O. Përsrisni bashkë me mu: As-mo-ni-”  – fjala ishte për Osmanin); diftongjet ue, ye, ie zakonisht janë tkurrur në u:, y:, i:, duke u zgjatur këto zanore: gru, ftu, kryt, t’lyn, mill, qill, dill.

Zanorja ë kur është e patheksuar shumë shpesh nuk dëgjohet: kpuc, knet, shnet, gzim, klysh etj. Fjalët me burim turk theksohen në rrokjen e parafundit: páre, káfe, xháde, budállë, bakllávë, ndërsa disa fjalë të tjera e marrin theksin në fund: kaqí, aqí, gadí etj. Ndoshta edhe këto pak karakteristika mjaftojnë për të krijuar përfytyrimin e së folmes origjinale tironase, ku dallon në radhë të parë hundorësia dhe ndërrimet zanore që përmendëm. Përfytyroni që një fjali e gjuhës letrare si: “Ku t’i fshihem babait se më hëngri macja bakllavanë” në tironçe do të tingëllonte:  “Ku me iu mçef babs se m’hôngri moca bakllavën”  dhe e keni marrë aromën e veçantë të këtij dialekti. Është interesante të vihet re, sidomos me kalimin e tingullit hundor â në ô, se tironçja afron më shumë pikërisht me skajin tjetër të të folmeve gege, me kosovarishten.

Por flasim gjithmonë për hartën dialektore të Shqipërisë dhe një gjendje që mbizotëronte në Tiranën para 1944-s. Deri në atë kohë, në dekadat e para të shtetit shqiptar, e folmja tironase u zgjerua dhe u bë mbisunduese në kryeqytetin e ri të Shqipërisë; kjo për dy arsye: mënjanë u zgjerua jeta tregtare dhe ajo e zanatçinjve, sidomos me Pazarin e Vjetër; së dyti, gjuhë zyrtare e Shqipërisë ishte vendosur që në vitin 1918, me Komisinë Letrare të Shkodrës gegërishtja jugore, konkretisht elbasanishtja, që duke mos qenë larg tironçes ndihmoi që kjo e folme të mos humbte asgjë nga karakteri i saj i mirëfilltë. Natyrisht që vendosja e pushtetit komunist mbas 1944- s do të ndryshonte shumë gjëra në të folmet e Tiranës, sikurse ndryshoi në gjuhën zyrtare të saj dhe të gjithë Shqipërisë.

Dihet se toskërishtja u bë menjëherë mbisunduese, ngaqë edhe shumica e brigadave partizane dhe e udhëheqësve komunistë vinin prej Jugut të Shqipërisë. Në vitin 1972 gjuhë standarde e Shqipërisë u vendos toskërishtja me disa ndryshime të vogla njësuese, duke u ndaluar njëkohësisht shkrimi dhe përdorimi publik i varianteve gege. Në Tiranë erdhën e u vendosën shumë familje nga gjithë Shqipëria, por kryesisht nga qytetet dhe fshatrat e jugut, si të zonës së Vlorës, Gjirokastrës, Korçës etj. Nga ana tjetër armiqësimi me Jugosllavinë dhe izolimi gjithmonë e më i madh i Shqipërisë bënë që Tirana të mos ketë më asnjë lloj komunikimi me Kosovën dhe Maqedoninë, ku dhe ishte përqëndruar popullata më e madhe që fliste dialekte të ngjashme me ato të zonës së Tiranës. Të gjithë këta faktorë bënë që të ndryshojnë katëcipërisht raportet dialektore dhe raporti i së folmes vendase me gjuhën zyrtare në kryeqytet.

Mirëpo gjuha dhe dialektet e saj janë njësi të qëndrueshme dhe njëkohësisht kryeneçe. Nuk e mbaj mend tani se kush njeri i shquar e ka thënë: gjuha është si një shtëpi, një strehë e jona. Aty ndihemi mirë, brenda saj lëvizim lirshëm, ndiejmë, përçojmë e shijojmë të gjitha nuancat e jetës. Kjo është dhe arsyeja që edhe në vendet më të qytetëruara, megjithë zhvillimin marramendës informatik- masmedial, dialektet vijojnë të ruhen krahas gjuhëve zyrtare. Merrni edhe vetëm shembullin e Zvicrës, ku ‚Schwitzerdutsch’ ka gati statusin e një dialekti kombëtar. Kur studjoja në vitet ’80 univesitetin e Insbrukut në Austri më dukej në fillim gati e pabesueshme që një pjesë e studentëve përdornin në seminare të folurën tiroleze. Më ngjante ky dialekt disi i pagdhendur dhe fshatar, me tingujt e tij grykorë, sikur nuk ishte i aftë të përçonte dije shkencore.

Por dalëngadalë dëgjova që e përdornin edhe një pjesë e profesorëve dhe kuptova se ai dialekt ishte jo vetëm shtëpi dhe strehë për gjithë ata djem e vajza të reja, si dhe për shkencëtarë të një rangu botëror, por edhe njëfarë rezistence ndaj hegjemonisë së gjuhës së madhe gjermane, ashtu siç flitet nga stacionet ZDF e ARD ose shkruhet nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Der Spiegel”. Nëmënyrë të pan - dërgjegjshme, por këmbëngulëse dhe depërtuese, gjatë gjithë periudhës së diktaturës tironçja përbëri mënyrën kryesore të mbijetesës së shpirtit tironas, të gjithë atyre shtresave artizanësh, zanatçinjsh, tregtarësh, kafexhinjsh a kopshtarësh, që nuk pranonin të asfiksoheshin dhe vdisnin nën peshën e aparatit, i cili kërkonte “krijimin e njeriut të ri” - ashtu siç u shkatërrua dhe vdiq Pazari i tyre i Vjetër ose rruga e Barrikadave.

Tironçja vazhdonte të flitej jo vetëm te Pazari i Ri dhe në kafenetë tironase, te “Tymi”, te “Derri” e te “Postiqja”, jo vetëm në dy stadiumet dhe te Pallati i Sportit, por ajo flitej edhe nëpër takime, në bulevard dhe lulishtet e mëdha të kryeqytetit, ku njerëzit haheshin për sport ose vinin baste fshehurazi. Tironçja flitej jo vetëm nga tironasit denbabaden (me pus dhe carac në oborr), por për çudi edhe nga shumë të rinj, prindët e të cilëve vinin prej qyteteve të Jugut ose Veriut të Shqipërisë e “17 Nëntorit”, që ishte ekipi më i mirë i kryeqytetit dhe i Shqipërisë, edhe pse “lart” nuk e donin shumë (të gjithë udhëheqësit e atëhershëm ishin ose me “Partizanin” ose me “Dinamon” dhe nuk linin rast pa e dëmtuar, duke i marrë nganjëherë lojtarët e mirë për ekipet e “tyre” ose duke mos i lënë të dalin jashtë shtetit futbollistët  “me biografi të keqe”.

Mirëpo me biografi jo të mirë ishin shumica e atyre futbollistëve, për arsye se vinin nga familjet e zanatçinjve ose tregtarëve jokomunistë tironas: e pra shihet se si rreth klubit “17 Nëntori” erdh e u mbodh njëfarë rezistence e heshtur, ku tifozllëku kundër ekipeve të Ushtrisë Popullore ose Sigurimit të Shtetit ishte po aq i rëndësishëm sa edhe kryerja e këtij tifozllëku në dialektin më të skajshëm tironas. Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet thënë se tiranasit kanë qenë e janë në përgjithësi një popull i butë, që shohin pikësëpari kopshtin e tyre, rakinë që duhet ta nxjerrin sa më të mirë dhe muhabetin e shtruar. Nuk ishin pra, bie fjala, aq kokëfortë e kryengritës sa shkodranët, banorët e një qyteti me histori shumë më të vjetër e që ishte goditur kulturalisht në një mënyrë shumë më të tmerrshme sesa Tirana. Ndërkohë kishte marrë hov gjuha letrare, nëpërmjet shtypit, botimeve, radios e më vonë televizionit.

Me shtimin e shkollave të mesme dhe studentëve universitarë, u rëndua ana tjetër e peshores gjuhësore, duke u krijuar, krahas ngjyrimeve lokale që vinin prej zonash të tjera, një gjuhë standarde gjithmonë e me më neutrale nga ana dialektore, një proces që ndodh thuajse në të gjitha vendet që hyjnë në rrugën e qytetërimit. Vetëm se ky mbisundim i “gjuhës së kulturuar” bëri që tironçja ta ndjejë veten gjithmonë e më të zmbrapsur e të diskriminuar, si zhargon i një rruge “pa nivel”. Në publik ajo s’përdorej asnjëherë, e shumta në ndonjë skeç estrade dhe te komedia e mrekullueshme “Prefekti” , që krijonin të gjitha së bashku idenë e një gjuhe të njerëzve të pakënduar. Natyrisht që kjo gjë u vinte për mbarë udhëheqësve dhe personazheve të tjerë që bënin politikën gjuhësore-kulturore në Shqipëri; ata kishin arritur të degradonin në gjuhë estrade edhe variante me një histori shumë më të madhe shkrimi, siç ishte shkodranishtja, e jo më të shqetësoheshin për margjinalizimin e tironçes.

Karakteristikë e gjithë zhvillimeve demografike- kulturore, ku hyjnë edhe zhvillimet gjuhësore, në Shqipërinë e pas vitit 90 është gjendja e pakontrolluar, shpesh anarqike. Këto zhvillime përfshinë në radhë të parë Tiranën, ku erdhën e u vendosën banorë të shumtë, sidomos nga Verilindja e Shqipërisë, por edhe nga zonat e Jugut, që shpërnguleshin herë-herë si fshatra ose fise të tëra në rrethinat e kryeqytetit. Në pikëpamje gjuhësore kjo bëri që dikotomisë tradicionale gjuhë e kulturës-tironçe, kryeqytetit t’i shtoheshin një numër dialektesh ose gjysmë-dialektesh; nga ana tjetër fuqizimi i masmediave ka bërë që shqipja standarde, me gjithë gabimet e shumta dhe vërshimin e fjalëve të huaja nga italishtja dhe anglishtja, të depërtojë përherë e më thellë në masat e banorëve që thuajse janë trefishuar në vetëm dymbëdhjetë vjet.

Tingëllimi i veçantë tironas prapëseprapë nuk ka humbur. Ndoshta në brumin e vet më origjinal atë mund ta dëgjosh vetëm nga njerëz të moshuar që vijnë kryesisht prej fshatrash përreth. Por – dhe kjo është e habitshme – tironçen vazhdojnë ta bëjnë të vetën edhe të rinj që vijnë prej trevash të tjera të Shqipërisë, sidomos nëpër kantieret e ndërtimit, në dyqanet e kafenetë e shumta që u hapën prej 1991-shit e këndej. Me sa duket është një tharm i fortë që s’ka për të vdekur asnjëherë. Aq më shumë kur njerëzit ta kuptojnë dalëngadalë se përdorimi i një dialekti nuk tregon as prapambetje e as injorancë, por mbart jetë dhe ngrohtësi njerëzore si shumëpak tjetër gjë e kësaj bote.

ardian klosi
(Në foto: Ardian Klosi)

DREJT NJË GJUHËSIE EVOLUTIVE
 
Tiranë, aty ku shkrihet e përzihet gjithë ç’ofron shqipja
 
Çdo individ qëkurse lind gjendet në mënyrë të pavullnetshme, pra pa e zgjedhur ai vetë, në gji të një kulture e të një gjuhe të caktuar. Pikërisht kjo gjuhë, apo kjo mater-gjuhë, e lejon atë të formësojë mendimet e veta, të kuptojë e të kuptohet brenda një bashkësie njerëzish. Këta njerëz, në fakt përdorues të së njëjtës idiomë, formojnë kësisoj një bashkësi të caktuar gjuhësore. Për rrjedhojë Gjuha nuk mund të mendohet pa Bashkësinë Gjuhësore që e ushtron, sikurse edhe kjo e fundit merr kuptim veç falë një gjuhe të dhënë, gjë që i jep bashkësisë qoftë formën, qoftë përmasat. Në shestën e grupimeve gjithfarë, Bashkësia Gjuhësore rezulton më e rëndësishmja pasi ndihmon të depërtuarit në domenet e psikës dhe kulturës së masave folëse. Me fjalë të tjera Gjuha, pasqyrë e strukturës sociale të një vendi, është lëmi ku vërehet më mirë se kudo shtresëzimi i bashkësisë që veçon kësisoj hapësira, rregulla, stile komunikimi apo forma të marrëdhënieve shoqërore. Lidhur me këtë Orioles thotë: “Shoqëria ndahet në grupe dhe gjuha, njëlloj si ajo, ndahet në dialekte, sociolekte, regjistra dhe varietete të tjera”.

Tashmë mund ta pohojmë pa droje se larushia gjuhësore me kodet që ndërrohen e kapërthehen, me strukturat gjuhësore heterogjene që japin e marrin sipas ligjësive vetjake, me çerdhet e fjalëve ku i huaji “rosak i shëmtuar” shndërrohet në mjelmë joshëse, është diçka më se e zakontë në cilindo vend të botës dhe nuk haset vetëm ndër repertoret e gjuhëve në kontakt. Ideja se folësi i qaset gjuhës si ndonjë mali vëngërosh, si diçkaje monolite, “masive, statike, të patundshme, të pandjeshme”, ka nisur t’i lerë vend një konceptimi më real: folësi përdor shpengueshëm mjete gjuhësore të çdo idiome që njeh e që shfaqet më e thjeshtë për t’u zgjedhur. Dhe nëse marrëdhënien folës-gjuhë e mendojmë kështu, afërmendsh duhet të ndryshojmë edhe mendimin tonë mbi gjuhën.

Kush ngulmon të mbesë rob i një konceptimi të shtangët mbi gjuhën, duhet të pranojë çka thotë Jakobsoni: “cilido folës i realizon përdorimet vetjake gjuhësore përmes një përkthimi Normë-Usus”, por m’anë tjetër s’ka si të mos shohë shumllojshmërinë e përdorimeve gjuhësore brenda shtratit standard. Teorikisht të gjitha përdorimet gjuhësore të lartpërmendura priren të konvergojnë drejt dy fokuseve, që (prapë teorikisht) gjenden fare pranë njeri-tjetrit: Norma standarde dhe Tradita gjuhësore. Tash le t’i kthejmë sytë nga harta sociolinguistike e Tiranës, metropolit të vetëm autentik të Shqipërisë. Si paraqitet bashkësia sociale e kësaj kryeqendre në raport me qendrat e tjera urbane? Pa ngurruar asfare mund të themi: më e plota. Të shkolluar, gjysmë të shkolluar, analfabetë, zyrtarë, drejtues, gazetarë, artistë, punëtorë krahu, të papunë, studentë, shtëpiake, politikanë…, lista mund të zgjatej prore. Po përkatësia gjeografike e kësaj bashkësie? Mjafton t’i biesh kryq e tërthor Tiranës, nga qendra drejt rrethinave të saj dhe mund të hasësh gjithë krahinat e Shqipërisë. Jo rrallë qëllon që nëpër labirintet mes blloqeve të banimit oshëtimat muzikore janë tinguj ku përzihen ritmi i çiftelisë me isopolifoninë e zgjatur, duke marrë rrëshanë edhe ca hip-hope të hutuara.

Sipas parimeve të alkimisë, guri i çuditshëm filozofal ngërthen në vetvete zana- fillën e të gjitha lëndëve. Ai i shpërbën ato duke mundësuar shndërrimin e çdo metali të prunjtë (të varfër) në flori. Pak rëndësi ka nëse një metal i dhënë është bakër alumin apo hekur; kontakti me këtë gur, e kthen atë në ar. Atanori i kësaj alkimie bashkëkohore është pikërisht mjedisi ku kryhet fuzioni rrethina-qendër, ndërsa si gur filozofal shërben prestigji social-kulturor i gjuhës së lëvruar. Tirana e ka këtë gur filozofal, ndonëse është ende e pavetëdijshme për të. E folmja e saj, për meritë të prestigjit social që u jep përdoruesve, vijon të mbetet sociolekti më i rrahur i shqipes. Aty derdhen pa reshtur prurje gjithfarësh: të folme krahinore, nëndialekte, sociolekte e deri idiolekte të rrethinave e zonave suburbane. Këto prurje, krejt inferiore e pa status nëse shihen veçmas, kur hyjnë në kontakt me të folmen e Metropolit, shndërrohen në prurje të çmuara, të cilat me t’iu shpërbërë lënda e tyre e varfër, kthehen në rivlerësuese të një “standardi” jo zyrtar, por tashmë përdorur nga të gjithë.

Po si pritet të jetë bashkësia gjuhësore e Metropolit? Nga më të çmuarat që mund të hasë gjuhëtari. Pa iu kthyer edhe një herë përimtisht përbërjes sociale të bashkësisë, por gjithsesi duke e mbajtur në vëmendje, pohojmë se repertori gjuhësor i Tiranës i përmban të gjitha: dialektet, sociolektet, teknolekte, burokratishten, zhargonet, krahinorizmat, ligjërimet sektoriale; të gjitha të pranëvëna, dhe ç’është më e rëndësishmja, të gjitha që priren të konvergojnë drejt prestigjit – Gjuhës së Lëvruar. Banorët e Tiranës kanë mbi pesëmbëdhjetë vjet që kanë nisur të mbrujnë kodin e tyre sociolinguistik, Shqipen Pop; ajo s’do ngatërruar me Shqipen Folk, pasi është fjala për një Sociolekt. Pikërisht kjo Shqipe Pop që formësohet nga zgjedhje gjuhësore të thjeshta, të lirshme, funksionale e me prestigj paraqitet si Substandardi i Ri i Shqipes. Mungojnë ende studimet glotologjike mbi Shqipen Pop.

Ndërmarrja e këtyre studimeve do të ketë si lëndë të parë qoftë përdorimin e folur të Shqipes Pop (regjistrin e shpenguar dhe gjysmëformal), qoftë atë të shkruar (mesazhe dhe shënime në familje, letërkëmbime, ditarë, kartolina urimi, kërkesa formale drejtuar institucioneve nga shkrues të ndryshëm, titra filmash përkthyer në shqip etj). Interesin më të madh e paraqet shqyrtimi dhe përshkrimi i tipareve të saj morfologjike, sintaksore, semantike, por edhe kontekstuale. Sa u përket tipareve fonetike dhe fonologjike, ato ndryshojnë diatopikisht, duke ndjekur pakashumë hartën e varieteteve krahinore. Megjithatë duket se Shqipja Pop, e folur apo e shkruar, shpesh i largohet fonologjisë së formave të sakta që përcakton norma. Flitet e shkruhet përditë për gjuhën tonë që po hepohet nën trysninë e ardhurizmave (forestierizmave) perëndimore. Nuk është ky problemi më emergjent i Shqipes.

Standardi i shqipes ne fakt po konkurron me Substandardin e saj; thënë ndryshe po konkurron forma “si mendohet të jetë” me formën “si është në terren”. Për sa kohë do të vijojë të shpërfillet kjo konkurrencë, përdoruesit e shqipes do të mbeten në Situatën e Gjendjes së Përkohshme, në të cilën përdorimi gjuhësor kudo dhe kurdo ka rezultuar pragmatik, pra gjuha që është shtënë në punë ka qenë e një cilësie të dobët dhe përdoruesi nuk e ka aktivizuar ndërgjegjen e tij gjuhësore. Sikundër po vërehet, shqipfolësit kanë një Sjellje Gjuhësore Pragmatike, e cila, për nga vetë natyra nuk orvatet së tepërmi të zgjedhë lema me përdorim të atrofizuar, por priret drejt rinovimit të shenjuesit. Nuk do harruar se në cilëndo gjuhë zgjedhjet parapëlqejnë vetiu minimumin e lodhjes për maksimumin e rendimentit sasior (parimi i Ekonomisë Gjuhësore). Fatkeqësisht përdoruesit e shqipes së folur ndjekin paralelisht dy shtigje:
 
• I përmbahen ekonomisë së tyre gjuhësore përmes polisemisë, pra përdorimit të shumëzëshëm të së njëjtës shenjë. Mjafton të përmendet këtu paradigma e fryrë e shenjuesve si: grykë, qafë, bisht etj. P.sh.: grykë mali, grykë topi, gryka e fytit, grykë vullkani, grykë thesi, grykë çizmeje, grykë shisheje, grykë zjarri, grykë trikoje etj. etj. etj. Disa zëra, pra, do të përdoren në vend të të tjerëve, duke çuar në varfërim të komunikimit.
 
• Përdorin si t’u vijë mbarë çdo lloj fjale të huaj që u ofrohet më shpejt e thjesht se fjalët e fondit; p.sh. : lançoj (hedh, lëshoj), bekgraund (përvojë), ispiroj (frymëzoj) e kështu me radhë. Pikërisht te kjo sjellje duhen kërkuar shkaqet e pranisë përmbytëse të lëndës së huaj në shqip. Për sa kohë nuk do ta marrim në sy konkurrencën mes Shqipes Standarde dhe Shqipes Pop, do të vijojë të vërtetohet proverbi se kur hahen dy vetë fiton i treti. Pra prestigji gjuhësor i huaj, i cili i ka zgjidhur disi mirë ngërçet e veta, nuk ngurron ta ofrojë kontrabandë zhdërvjelltësinë dhe kthjelltësinë e tij për nevojat tona kumtonjëse. U tha më lart se përdorimet gjuhësore vetjake, për hir të pasaportës sociale që folësit kërkojnë të fi tojnë falë gjuhës, priren të konvergojnë drejt 2 fokuseve, që (prapë teorikisht) gjenden fare pranë njeritjetrit: Norma standarde dhe Tradita gjuhësore. Në rastin e shqipes, a është verifikuar distanca mes këtyre dy fokuseve?

Natyrisht nuk mund të shërbejnë ligjet apo rregullat si matësa të kësaj distance, por ai proces i domosdoshëm tek i cili ngulmojmë kaherë: Katalogimi i Substandardit të Shqipes, vjelja dhe skedimi i përdorimeve të lira gjuhësore, por që bazohen mbi normën në fuqi. Sillet shpesh Franca si shembull i një politike të mirë gjuhësore, ngase të rreptë, por duke folur kësisoj, është dëftuar vetëm gjysma e së vërtetës. Franca vërtet në vitet ‘80 hartoi një ligj të paqmë për mbrojtjen e pastërtisë dhe integritetit gjuhësor të frengjishtes, por po ajo Francë bëri më parë azhornimin e standardit të saj në përputhje me zhvillimet dhe prirjet gjuhësore të kohës. Dhe jo më kot azhornimi nisi si proces me idenë e Guiraud-së, i cili më 1967 shkroi: “Duhet t’i kthejmë sytë nga sociolekti i Parisit; ai ka shumë për t’i ofruar frengjishtes standarde”.

Dhe s’ka kuptim ajo që thotë dikush se azhornimi i frengjishtes u krye pasi standardi i saj qe disashekullor, e për rrjedhojë ky yni s’paskësh nevojë pasi mosha e tij s’është veçse disadekadëshe. Nuk është mosha e standardit që kërkon ose jo azhornim, por baza dhe prapavija e tij. Ai, sikur thamë, po përballet me substandardin. Kushtet sociale, politike, kulturore, ekonomike të Shqipërisë së viteve ’70 – kohë kur u vendos standardi – ndryshojnë kryekëput me të sotmet. A nuk duhen verifikuar këto ndryshime? SI PARAQITET bashkësia sociale e Tiranës si kryeqendër në raport me qendrat e tjera urbane? Pa ngurruar asfare mund të themi: më e plota. Të shkolluar, gjysmë të shkolluar, analfabetë, zyrtarë, drejtues, gazetarë, artistë, punëtorë krahu, të papunë, studentë, shtëpiake, politikanë… Gjuha Lagjia e gjuhëtarëve të Kosovës vijon të mbetet pararojë e fortë në punë të shqipes.

Pasi nxorën dy herë rresht botimin anastatik të Fjalorit të ’54, pasi botuan gjithaq si anastatikë tre fjalorët e harruar të shqipes: atë të Gazullit, të Tases e të Shoqërisë “Bashkimi”, pasi hartuan ata vetë një Fjalorth fjalësh të rralla të shqipes, së fundmi, të vëmendshëm e objektivë edhe ndaj zhvillimeve të shqipes bashkëkohëse, ata patën kurajën të dalin me një dokument të quajtur Orientime të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për çështje të shqipes standarde ku, përpos njohjes së efekteve unifikuese të një gjuhe të përbashkët standarde, kanë shtruar jo pa qëllim një platforme të re pune. Në dokument i mëshohet faktit se “krijimi i një forme të përbashkët të gjuhës, sado e përsosur që të jetë ajo, nuk është veçse një moment në histori të një gjuhe.

Ajo shënon një kohë të ndalur në zhvillimin e gjuhës, kështu që format e saj, duke qenë të qëndrueshme, vijnë e ngurtësohen dhe e humbin zhdërvjelltësinë natyrore të jetës. Gjuha e përbashkët nuk mund të qëndrojë e fiksuar po u desh që ajo të jetë vijmisht e përdorshme si e tillë. Rrethanat e reja kërkojnë nga gjuhëtarët përgjigje të shpejtë përmes një politike gjuhësore, e cila do të synonte zgjerimin e aftësive komunikuese, rritjen e fleksibilitetit të normave të standardit, ngritjen e shkallës së pranueshmërisë së standardit, gjithë duke përpunuar më tej të arriturat e tri dekadave të fundit e duke mos lejuar alternativa të skajshme të varieteteve të folura. Rezultatet e kësaj politike gjuhësore do të ndikonin që të shmangen për një kohë të gjatë zhvillimet e ndara në të gjitha kodet e gjuhës.

Studiuesit e shqipes standarde do të kenë për detyrë që të përcaktojnë prirjet e zhvillimit në ndërthurje të varieteteve të gjuhës së folur mbi bazën e gjuhës së shkruar unike dhe të mundësisë së saj që të përfshihen në normë ato elemente që ndihmojnë që gjuha standarde të fitojë gjithnjë në spontanitet e t’i pasurojë mundësitë e saj shprehëse”. Kështu për herë të parë në këto vite shfaqet një platformë që sugjeron t’u përmbahemi prirjeve të shqipes duke përcaktuar më pas një politikë, e cila rrit shkallën e pranueshmërisë së standardit. Me fjalë të tjera është e udhës që gjuhëtarët të bashkërendojnë punën për të hetuar dhe orientuar proceset alkimike, me të cilat po gatitet vetiu substandardi i shqipes (tashmë me risinë e një komunikimi me shtrirje të pakufizuar në gjeografinë e shqipes). Afërmendsh kjo është rruga që jep shumë më tepër rezultat në dobi të gjuhës, sesa “përkujdesja” për të vijuar mbajtjen në ngrirës të Standardit aktual nëpërmjet gjobave administrative dhe masave ndëshkimore (?!).

Arsyeja është e thjeshtë: rruga që kalon përmes shkencës garanton evolucionin gjuhësor në përputhje me evolucionin shoqëror (gjuha ngërthen në vetvete evolucionin, jo revolucionin). Duhen gjurmuar pra këto zhvillime bashkëkohëse gjuhësore, që për shqipen më tepër se kudo vërehen në qendrat e mëdha urbane dhe kulmojnë natyrshëm në Tiranën-Metropol. Aty po shkrihet e përzihet thuajse gjithë ç’ofron shqipja. Hierarkia dhe dozat e kësaj alkimie gjuhësore janë në një farë mase procese vetërregulluese mbi të cilat gjuhëtari vepron. Nuk mbetet tjetër veçse ta shfrytëzojmë këtë përftesë të alkimisë metropolitane. Katalogimi i saj, pa e tjerrë gjatë, është hapi i parë i sigurt.
 
Ledi Shamku
(Në foto: Ledi Shamku)

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024