Në Shqipëri numërohen 31 mijë vende të lira pune, të cilat nuk mund të plotësohen për shkak se tregu i punës nuk ofron formimin e duhur profesional. Shqetësimi është ngritur nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi gjatë Konferencës Kombëtare të Punës. Ai tha se është e domosdoshme të studiohen rrugët që formimi profesional i punëkërkuesve të përputhet me nevojat e bizneseve.
 
"Si mund të bëjmë përputhje më të mirë të kërkesës së tregut të punës me aftësimin profesional dhe me kërkesën e të papunëve. Kemi në zyrat tona një numër që po vjen duke u reduktuar i punëkërkuesve të papunë por në të njëjtën zyrë kemi edhe kërkesat e bizneseve. Problemi është mungesa e kualifikimit. Është problemi i mos trajtimit të mirë të kërkesave që vijnë nga punëdhënësit dhe punëmarrësit," u shpreh Klosi.
 
E pranishme në takim, Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi tha se Shoqatat e Punësimit duhet të bashkëpunojnë me Dhomat e Tregtisë për të orientuar tregun e punës drejt nevojave reale të bizneseve.
 
"Duke pas parasysh që rritja ekonomike vjen nga këta sektorë,domethënë nga procesi i përpunimit, nga nxitja e industrisë së turizmit, nga përdorimi i materialit gjysëm të gatshëm, Dhomat e Tregtisë dhe Shoqatat e kuptojnë menjëherë se nevoja për një profesion të ri po vjen në treg,"
tha Ekonomi.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)