“Ky investim sjell një impakt mjaft të mirë mjedisor për zonën që ka qenë një nga vatrat më të nxehta të Shqipërisë në ndotjen mjedisore dhe duke e kthyer në një ambient rekreativ qoftë për plazhin qoftë edhe për ambientin këtu”- shpjegoi inxhineri.
Duke parë nga afër investimin, Ministri Klosi theksoi se projekti tregon realisht se çfarë do të thotë që një investim sjell një investim tjetër dhe sesi duhet menduar që të kemi një investim të qëndrueshëm turistik për ta shndërruar atë plazh që dikur ishte një vend vetëm për mbeturina në një destinacion turistik. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit vlerësoi reagimin e shtetit për të fshirë njëherë e mirë nga harta e ndotjes, një nga gangrenat më të mëdha në bregdet.
“Më vjen shumë mirë që shteti reagoi shteti vuri dorë në një nga gangrenat më të mëdhaja turistike të vendit tonë, të krijuar nga vetë njerëzit. Edhe pse jemi në vitin 2017, edhe pse pretendojmë që të kemi një turizëm të zhvilluar , ish- njësitë e pusthetit vendor vazhdojnë të derdhin mbetjet urbane në lumenjtë e Shqipërisë. Prandaj ka ardhur koha që ne të reagojmë të gjithë së bashku ka ardhur koha që të bëjmë atë që njerëzit presin nga ne; të mendojmë sesi duhet të zgjidhim nëpërmjet investimeve si ky i sotmi apo nëpërmjet mekanizmave të tjerë, një problem kaq të madh që është ndotja e mjedisit në vendin tonë”.- tha ministri Klosi duke kërkuar nga banorët e zonës dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal që të bashkohen në platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët.
“Nuk jemi vetëm për të evidentuar një vepër publike të bëra me fondet e buxhetit të shtetit, dhe me ndikimin shumë të fortë që kanë pasur kryetarët e bashkive dhe deputetët e zonës për realizimin e këtij projekti, por jemi këtu për ta hapur bisedën me qytetarët, se çfarë duhet të bëjmë për të mbrojtur mjedisin. Ka ardhur koha që të mos e pranojmë këtë gjendje kaq të mjerueshme që është kaq afër qendrave më të zhvilluara turistike të vendit. Jemi vetëm 20 minuta larg nga aeroporti. jemi shumë afër portit kryesor të vendit, jemi në zonat me zhvillim turistik aktual dhe të perspektivës dhe ja si ka qenë situata. Dhe është një krim mjedisor i realizuar nga njerëzit, nga ne që jemi këtu, me moskokëcarjen tonë, me mosvëmendjen tonë, me mosrespektimin e rregullave minimale të bashkëjetesës. Kjo nuk duhet të tolerohet. Dhe për këtë duam shumë që të hapim këtë aleancë me qytetarët, për këtë duam shumë që qytetarët të jenë ata që të vënë gishtin mbi një krim mjedisor”.
Më tej ministri Klosi garantoi se ndotësit e mjedisit do të penalizohen: “Do të ashpërsohen masat dhe kontrollet që do të bëhen nga institucionet tona për të verifikuar lejet mjedisore, kontratën që ka çdo përdorues i bukurive natyrore, çdo përdorues i burimeve minerare të vendit tonë, çdo përdorues i mjedisit tonë dhe shtetit. Ka disa kushte të cilat duhet të plotësohen. Ne nuk duhet të tolerojmë që të ndodhë kjo që ka ndodhur në këtë zonë”.
Lumi Ishëm, ka një basen të gjerë dhe grumbullon mbetje nga Tirana, Vora, Kamza, Fushë- Kruja dhe zona të tjera të bashkisë Kurbin duke shkatuar një ndotje të madhe për zonat e banuara dhe veçanërisht për zonat turistike dhe plazhet, por gjithashtu duke ndikuar negativisht në të gjithë faunën detare.
Fjala e plotë e ministrit Klosi
Përshëndetje! Në radhë të parë të gjithë banorëve të zonës, banorë të një zone me shumë vlera nga të gjitha këndvështrimet, por unë do të doja ta shikoja nga këndvështrimi i zhvillimit të turizmit. Ne flasim shumë që duam të kemi një turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri, flasim shumë që duam të kemi të ardhura nga turizmi dhe kjo është e vërtetë dhe të ardhurat po na shtohen, por a jemi ne në fazën që realisht mund të ftojmë turistë të huaj për të ardhur në vendin
tonë, në fazën që realisht mund t’i themi njerëzve që të vijnë në Shqipëri dhe këtu të gjejnë një mjedis të pastër. Këtu është dhe problemi dhe këtu është edhe ndërthurja ndërmjet këtyre dy sektorëve brenda Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, pra nga një anë kërkohet që të kemi turizëm të zhvilluar, por nga ana tjetër duhet të pastrojmë mjedisin. Dhe projekti punimet e të cilit po ndjekim dhe që është në fazën e fundit të zhvillimit, ka mbetur edhe faza përfundimtare dhe pastaj do të vijmë të bëjmë inaugurimin dhe të kemi mundësi që të shikojmë realisht se çfarë do të thotë që një investim sjell një investim tjetër, sesi mund të mendojmë ne që të kemi një investim të qëndrueshëm turistik në një plazh siç ka qenë para 6-7 muajve, si mund të pranojmë që të vijnë turistët dhe të shikojnë një mjedis të tillë dhe të vazhdojnë të bëjnë plazh. Ky investim që bëhet është një investim që mund të sjellë shumë investime të tjera për zonën dhe prandaj duhet që të gjithë së bashku këtu jemi me të gjitha strukturat e mbrojtjes së Mjedisit të zonës, me strukturat të cilat bëjnë mbrojtjen e zonave të cilat janë për zhvillim të fuqishëm turizmi për të diskutuar dhe menduar cfarë duhet të bëjmë për të pasur një Shqipëri të pastër. Ne kemi filluar prej disa kohësh aksionin “Të pastrojmë Shqipërinë ”. Të pastrojmë Shqipërinë nuk do të thotë që për një moment të caktuar të pastrojmë vendin pasi kjo nuk është e mjaftueshme. “Të pastrojmë Shqipërinë” do të thotë që të bëjmë të treja fazat siç është ky projekt pra të kemi mundësi të pastrojmë problemin siç po e pastrojmë, të kemi mundësi të bëjmë investimin i cili rehabiliton situatën tragjike që ka pasur kjo grykëderdhje dhe pastaj të mendojmë sesi do ta mbajmë të pastër mjedisin. Dhe ky është në fund të fundit edhe thelbi i gjithë aksionit tonë.
Si do të mundemi ne së bashku me qytetarët të kemi mundësinë që të evidentojmë të gjitha problematikat e papastërtisë të vendit tonë, çfarë do të bëjmë ne që të ngrejmë një valë të tërë të opinionit publik, çfarë do të bëjmë ne që të bëjmë çdo qytetar të kësaj krahine pjesë të aksionit, çfarë do të bëjmë ne që shkollat e zonës, jo vetëm t’i thërrasim në një ditë të diel dhe t’i vëmë të pastrojnë se ajo është shumë e rëndësishme por ama të jetë pjesë e evidentimit të çdo problematike që ka të bëjë me turizmin dhe me mjedisin në këtë zonë. Çfarë do të bëjmë ne që strukturat e shtetit shqiptar në mbrojtje të Mjedisit të kenë një aleancë me qytetarët për të pasur mundësi që të pastrojmë në çdo cep të Shqipërisë. Ne që folëm jemi në fakt administratorë politikë edhe lokal edhe qendror edhe kemi bërë shpeshherë fushatë. Unë kam qenë deputet i kësaj zone. Matanë lumit është zona e Fushë- Krujës dhe e Ishmit, zona në të cilat unë kam qenë deputet. Kam qenë para 5 vitesh edhe në këtë zonë. Ka ndodhur një ngjarje tragjike, dy të rinj janë mbytur nga plehrat. Ne atëherë kemi bërë shumë debate në parlament, se çfarë duhet bërë që mjedisi të marrë një vlerë më të madhe dhe sot më vjen shumë mirë që shteti reagoi shteti vuri dorë në një nga gangrenat më të mëdhaja turistike të vendit tonë, të krijuar nga vetë njerëzit . Po të krijuara nga njerëzit sepse këto mbetje janë mbetje që i prodhojnë qytetet tona që akoma fatkeqësisht vazhdojnë të derdhin mbetjet urbane në shtretërit e lumenjve, akoma edhe pse në vitin 2017, edhe pse pretendojmë që të kemi një turizëm të zhvilluar , ish- njësitë e pusthetit vendor vazhdojnë të derdhin mbetjet urbane në lumenjtë e Shqipërisë. Prandaj ka ardhur koha që ne të reagojmë të gjithë së bashku ka ardhur koha që të bëjmë atë që njerëzit presin nga ne; të mendojmë sesi duhet të zgjidhim nëpërmjet investimeve si ky i sotmi apo nëpemrjet mekanizmave të tjerë, një problem kaq të madh që është mjedisi i pastër në vendin tonë. jemi
këtu dhe kemi bërë fushatë, ç’po ndodh me guroret. Ja ku është mali. Sa gurore po prishin mjedisin? Sa gurore janë jashtë kushteve minimale të miratuara edhe në vetë lejet mjedisore që ata kanë marrë. Ne nuk jemi kundër biznesit të guroreve. Ne jemi pro biznesit. Por ama biznesi siç ka dëshirën e madhe që të përfitojë para, duhet të ketë edhe detyrimin e madh që të plotësojë kushtet minimale të cilat nuk dëmtojnë mjedisin, por edhe e rehabilitojnë atë. Dhe si mund të zhvillohet kjo? Nuk është një negociatë që bëhet me çdo gurore tek e tek. Kjo duhet të jetë një paketë ligjore që duhet të shkojë për të gjithë ata që ndotin mjedisin. Dhe të ashpërsohen masat për ata që ndotin mjedisin. Do të ashpërsohen masat dhe kontrollet që do të bëhen nga institucionet tona për të verifikuar lejet mjedisore, kontratën që ka çdo përdorues I bukurive natyrore, çdo përdorues I burimeve minerare të vendit tonë, çdo përdorues I Mjedisit tonë dhe shtetit. Ka disa kushte të cilat do të duhet të plotësohen. ne nuk duhet të tolerojmë që të ndodhë kjo që ka ndodhur në këtë zonë. Akoma njësitë tona, apo fabrika, apo punishte, apo thertore apo fasonë mbetjet i hedhin në lumë. kësaj duhet t’i vijë fundi. Ne kërkojmë që të kemi një sezon të shkëlqyer turistik vitin tjetër, të bisedojmë me operatorët turistikë për të pasur mundësinë që zona të ketë zhvillim shumë më të madh turistik.
Këto janë biseda që kanë një moment reflektimi dhe ne duam që ta hapim këtë bisedë me sa më shumë qytetarë, ndaj jemi këtu. Nuk jemi vetëm për të evidentuar një vepër publike të bëra me fondet e buxhetit të shtetit, dhe me ndikimin shumë të fortë që kanë pasur kryetarët e bashkive dhe deputetët e zonës për realizimin e këtij projekti, por jemi këtu për ta hapur bisedën me qytetarët, se çfarë duhet të bëjmë për të mbrojtur mjedisin. Mekanizma fare të thjeshtë, por që ka ardhur koha që të mos e pranojmë këtë gjendje kaq të mjerueshme që është kaq afër qendrave më të zhvilluara turistike të vendit. Jemi vetëm 20 minuta larg nga aeroporti. jemi shumë afër portit kryesor të vendit, jemi në zonat me zhvillim turistik aktual dhe të perspektivës dhe ja si ka qenë situata. Dhe është një krim mjedisor i realizuar nga njerëzit, nga ne që jemi këtu, me moskokëçarjen tonë, me mosvëmendjen tonë, me mosrespektimin e rregullave minimale të bashkëjetesës. Kjo nuk duhet të tolerohet. dhe për këtë duam shumë që të hapim këtë aleancë me qytetarët, për këtë duam shumë që qytetarët të jenë ata që të vënë gishtin mbi një krim mjedisor. Por qytetarët duhet të jenë edhe ata që vënë gishtin mbi një mosrespektim të rregullave nga gjithë këto institucione që ne kemi dhe që janë në mbrojtje të mjedisit, në ruajtje të standarteve, në mbrojtje të zonave që ne i kemi si zona të mbrojtura për të menaxhuar zhvillimin turistik të vendit.
[gallery]24549[/gallery]
d.c./shqiptarja.com

VIDEO











