Klosi: Reagimi i KLD ndaj Ministrisë
së Drejtësisë është i turpshëm

Klosi: Reagimi i KLD ndaj Ministrisë<br />së Drejtësisë është i turpshëm
TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka reaguar pas deklaratës së sotme të nënkryetarit të KLD-së, Elvis Cefa, lidhur me përplasjet me ekzekutivin për hetimin e gjyqtarëve. Deputeti Klosi shprehu shqetësimin e PS dhe grupit Parlamentar në lidhje me vendimmarrjen e KLD-së për asnjë masë disiplinore ndaj gjyqtarëve të korruptuar, ndërsa e cilësoi të turpshëm reagimin e KLD.
 
Në reagimin e tij, deputeti Klosi tha se “në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë të korruptuar që mbrojnë zullumet e njëri-tjetrit”, duke shtuar se për këtë çështje qeveria kërkon ndërhyrjen e Parlamentit.
 
“Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të skandalizuar nga vendimmarrja e njëpasnjëshme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që arriti kulmin ditën e hënë kur ndaj gjyqtarëve me probleme flagrante në deklarimin e pasurisë, vendosi të mos merrte asnjë masë e të mos fillonte asnjë hetim.
 
Akoma më i turpshëm ishte reagimi i KLD pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë.
 
Një reagim që përforcoi edhe njëherë akuzën tonë se sistemi i drejtësisë po kthehet çdo ditë e më shumë në një rrjet ku bëjnë pjesë gjyqtarë kryekëput të korruptuar, që nuk punojnë për të vendosur drejtësi, por punojnë vetëm e vetëm për tu pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve.
 
Një rrjet gjyqtarësh të korruptuar që po kthehen në një sekt, që bëjnë gjithçka për të mbrojtur e shpëtuar njëri-tjetrin nga zullumet korruptive ku janë zhytur.
 
Që sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk funksionon, këtë e di sot i madh e i vogël.Ishte kjo arsyeja pse një vit më parë shqiptarët votuan Koalicionin për Shqipërinë Europiane. Është kjo arsyeja pse kjo maxhorancë është e vendosur që drejtësia në Shqipëri të vihet në lëvizje dhe shumë shpejt shqiptarëve tu kthehet besimi tek drejtësia. Partia Socialiste mbështet deklaratën e djeshme të Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare për të kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit.
 
Përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që janë zgjedhur aty nga Parlamenti për të përfaqësuar Parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit”, tha Klosi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë