Blendi Klosi i shoqëruar nga Evis Kushi, Milva Ikonomi por dhe strukturat drejtuese të PS së bashkisë së Vlorës kanë  organizuar një takim në ambientet e Pallatit të Kulturës në Vlorë.

Takimi bëhet për riorganizimin e PS së Vlorës, ndërkohë që Klosi ka deklaruar për mediat e Vlorës qëllimin e këtij riorganizimi në kuadër të kongresit të PS që do të mbahet në 4 nëntor në Tiranë.

“Partia Socialiste e Shqipërisë ka filluar thellësisht reformat e saj të brendshme për tu përgatitur për zgjedhjet e  vitit 2025. Fitorja e mandatit të katërt nga PS kërkon një punë të imtësishme, të organizuar dhe titanike në të gjithë vendin, për të pasur mundësi për të fituar edhe një mandat dhe po ashtu të vazhdojmë të bëjmë atë për të cilën jemi betuar para qytetarëve, që tu shërbejmë atyre sa më mirë. Për të realizuar këtë qëllim, ne po kërkojmë sot nga Vlora dhe kudo në Shqipëri që të ringrejmë  strukturat tona dhe të rivitalizojmë ato dhe të kemi mundësinë që PS pas 32 vitesh eksperiencë të jetë një parti profesionale jo vetëm për proceset zgjedhore por një parti që gjatë gjithë kohës jeton, funksionon dhe punon në shërbim të qytetarëve. Energjimi i PS është një reforma që partia e ka bërë gjatë gjithë historikut të saj, qëllimi është shtimi i radhëve të partisë, rigjetja e vetes tonë, vlerësimi i strukturave dhe i asaj që ne ndër vite japim për qytetarët dhe hapja e partisë për të rinjtë dhe profesionistët”, u shpreh Klosi.