Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar unanimisht Aida Hajnan si drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të gjithë anëtarët kanë qenë prezent në këtë seancë plenare ku u mor këtë vendim.

Para tre ditësh, pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së. Kështu FBI-ja shqiptare, me miratimin e sotëm të KLP-së, do të drejtohet nga zëvëndës drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Pak ditë para zgjedhjes nga SPAK për Aida Hajnajn reagoi PD, e cila tha se ajo është nën hetim për shpërdorim detyre ndaj procesi për kreun e BKH-së duhet të niste nga fillimi. Por kësaj iu përgjigj ambasada amerikane e cila tha se zgjedhja e kreut të BKH-së është një tjetër gur i vendosur për drejtësinë e re.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:10
Zgjedhja e Hajnaj në krye të BKH-së, SHBA: Reforma në drejtësi po ecën para, të gjitha institucionet u ngritën

Aida Hajnaj është zgjedhur ditën e sotme në mënyrë unanime nga KLP për të qenë drejtuesja e BKH-së, një vend që ka marrë përgëzimet dhe mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së.

Ambasada e SHBA shkruan se ngritja e BKH-së është një pike historike në zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila me gjithë papërsosmëritë e saj po ecë para.

SHBA thekson se BKH do të trajnohet nga FBI-ja amerikane dhe tani do të fillojë rekrutimin e hetuesve të nevojshëm për të siguruar suksesin e SPAK, ndërsa shprehet se tashmë të gjitha institucionet e drejtësisë së re janë ngritur dhe gati për të vijuar punën e tyre.

Deklarata e plotë e SHBA-së

Urojmë Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnaj si Drejtoreshën e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kjo është një piketë historike në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme, po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë. Vendimet e sotme tregojnë se pavarësisht pengesave, Reforma në Drejtësi po bëhet realitet.

Me emërimin e Drejtores së re të BKH-së, të gjitha institucionet e parashikuara nga Reforma në Drejtësi tashmë janë ngritur. Ashtu si u përcaktua në ligjet e miratuara në vitin 2016, u themeluan Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Të dyja institucionet që përbëjnë SPAK – Zyra e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH – tashmë janë themeluar. Rezultatet do të mbërrijnë, ngadalë por është e sigurt.

BKH do të trajnohet nga FBI-ja amerikane dhe tani do të fillojë rekrutimin e hetuesve të nevojshëm për të siguruar suksesin e SPAK. Ne u bëjmë thirrje kandidatëve të palodhur dhe të ndershëm që të bashkohen në rradhët e BKH-së, nën udhëheqjen e Drejtores Hajnaj.

Ne i urojmë suksese Drejtores Hajnaj teksa ajo nis detyrën e saj historike! Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për zbatimin e plotë dhe të duhur të Reformës në Drejtësi, hap pas hapi.