TIRANE-Numri dy i Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj është propozimi i Prokurorisë së Posaçme për të drejtuar me një mandat 5-vjeçar Byronë Kombëtare të Hetimit. Emri i Aida Hajnaj do i propozohet KLP-së për t'u miratuar zyrtarisht si kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Report Tv mësoi më herët se Aida Hjadaj do të vendosej në krye të BKH-së, pasi 3 rivalët e saj Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj u skualifikuan.

4 vite pas miratimit të reformës në drejtësi, më në fund është ngritur dhe struktura e hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta qeverisëse, Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky organ cilësohet ndryshe dhe si 'krahu i djathtë' i SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend në nivel zyrtarësh dhe përfaqësuesish politik.

Procesi për kreun e 'FBI-së shqiptare' u finalizua sot, ndërsa zgjedhja e kreut të BKH kaloi nëpërmjet një procesi ku u përdor edhe makina e të vërtetës.

Ky proces ka qenë i monitoruar nga amerikanët dhe partnerët europianë. Për herë të parë kreu i BKH-së do të jetë i ngjashëm me FBI për hetimin e krimeve, gjurmimin e parave dhe të paprekshmeve. BKH është plotësim i SPAK-ut dhe oficerët do të koordinojnë çdo hetim.

"Komisioni pasi shqyrtoi dokumentacion e katër kandidatëve që kishin ngelur ne garë, konkretisht. Z.Artur Beu, z.Ervin Hodaj, z.Idajet Faskaj dhe znj. Aida Hajnaj , në raport me kriteret e parashikuara që duhet të plotësojë Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendosi që t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, emërimin e znj.Aida Hajnaj, në pozicionin Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një mandat pesëvjeçar", thuhet në njoftimin e SPAK.

Zgjedhja e kreut të BKH-së u parapri nga një sulm i PD-së tre ditë më parë, ku Edi Paloka lëshoi akuza të forta në drejtim të Aida Hajnajt dhe me këtë argument kërkoi rikthimin e procesit në pikën zero. Por e menjëhershme ishte përgjigja e SHBA-së. Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, referuar hapur PD-së, u shpreh se kushdo që ëndërron se drejtësia e re nuk do të vijë kurrë, gabohet dhe duhet të zgjohet nga dremitja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:27
Aida Hajnaj në krye të BKH-së, Yuri Kim: Hap para për reformën në drejtësi! Gur, gur bëhet mur

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka përshëndetur dërgimin e emrit për kreun e BKH-së nga SPAK duke thënë se tashmë po ecet para me reformën në drejtësi drejt hapave konkrete duke përdorur shprehjen shqiptare 'Gur, gur bëhet mur'. Yuri Kim shprehet se tashmë hapi tjetër është ai i trajtimit të anëtarëve të BKH-së me më të mirët e FBI-së.

"Një hap tjetër përpara në rrugën drejt reformës në drejtësi pasi Komiteti i Përzgjedhjes dërgoi emrin e Aida Hajnaj në KLP për miratim. Ndalesa tjetër: Trajnimi i tyre me FBI-në dhe më të mirët e ligjzbatuesve amerikanë. Gurë mbi gu bëhet mur", shkruan Kim.