Mungesa e prokurorëve për shkak të shkarkimeve nga vettingu, konsiderohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si problemi kryesor që ka cenuar punën e organit të akuzës. Në seancën dëgjimore në komisionin e Ligjeve për punën gjatë 2021, kryetari i KLP Alfred Balla, tha se sistemi i prokurorisë po kalon një periudhë të vështirë, ndërsa theksoi se ka prokurorë që kanë në ngarkim 600-700 dosje.
“Kemi rënë dakord që mos të prishim strukturën e përgjithshme . Prokuroritë janë të mbytura, kanë shumë ngarkesë. Kemi prokurorë me 600-700 çështje. Spak ka gjithsej vetëm 50 çështje.”, Alfred Balla, kreu i KLP.
Por deputetët e dy kaheve e konsideruan të papranueshme faktin që KLP nuk ka plotësuar ende strukturën e prokurorisë së posaçme SPAK me 20 prokurorë, rekomandim kryesor i Kuvendit për vitin 2021
“Nuk kemi asnjë analizë të punës tuaj. Nuk është plotësuar spak, rekomandim kryesor i kuvendit për 2021. Nuk e kuptova pse nuk është përmbushur. Nuk keni menaxhim të prokurorive, merreni vetëm me prokurorët. Prokurori i përgjithshëm kërkoi më shumë bashkëpunim.”, tha kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
I ashpër në fjalën e tij ishte deputeti i PS Fatmir Xhafaj, i cili e konsideroi jozerioz raportin që KLP ka dorëzuar në kuvend, ndërsa ka shprehur habi sesi institucionit nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e fundit politike që merren me punën e SPAK.
“Keni miratuar rregulloren e brendshme dy vjet me vonesë, atë të vlerësimit, e keni detyrim. Si e keni bërë vlerësimin. Po tha që KLP se nuk ka sistem vlerësimi. Ka vënë në dijeni KLP se ka prokurorë që u binden urdhrave abuzive të drejtuesve. Sa nga emërimet tuaja janë shkarkuar nga vettingu. Sa janë kontestuar nga prokurori i përgjithshëm. A janë një pjesë e këtyre emërimeve e reflektimeve i interesave të brendshme të këshillit apo të jashtme. Pse nuk hapni vendet për emërimet në tiranë?”, tha deputeti i PS, Fatmir Xhafaj.
Pas kësaj menjëherë i është përgjiur Balla.
“Vetëm rasti i Elisabeta Imeraj, që kemi emëruar dhe është shkarkuar nga vettingu. Emërime të përkohshme edhe mund të ketë pasur. Retorikë politike ato që ka thënë Rama, nuk është hera e parë që ne dëgjojmë nga këto. Kur cenohen apo preken interesat e një prokurori , ne kemi dalë me qëndrim. Nuk intimidohen prokurorët. retorikë politike, nuk jemi të detyruar të dëgjojmë se çfarë thojini ju në forumet tuaja.”, tha ai.
Në një linjë me Xhafaj, ishte edhe deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi, i cili tha se KLP nuk mund të kalojë në heshtje deklaratën e kryeministrit që kërkon të garantojnë pavarësinë e drejtësisë, si dhe duke kërkuar edhe sqarime sesi garantohet pavarësia e prokurorëve me instrumentet që kanë në dorë
“Keni kapacitete për ta zgjidhur pa kërkuar ndryshime ligjor. Qeveria u kërkon të garantoni pavarësinë, më duket pa sens. E ka kushtetuta Duket të kishim dëgjuar bubullima. Duhet të dilni dhe të thonit të rrinte larg kryeministri, nuk e keni bërë. Pavarësia, si një granatim që shkon në çdo drejtim dhe jo andej e ketej. Kjo pavarësi është një shkop me thupra që godet e kush i duron.”, tha Bylykbashi.
Nga sa u tha në komisionin e ligjeve, shpresa për të përmbushur vakancat në prokurori, është emërimit i magjistratëve të rinj vit pas tij, që ka raste nuk arrijnë pikët e kërkuara për kualifikim