KLSH: Qeveria jo serioze me investimet, nënshkroi në shkelje të ligjit 500 kontrata me vlerë 190 mln euro pas 15 tetorit 2020

KLSH: Qeveria jo serioze me investimet, nënshkroi në shkelje të ligjit 500 kontrata me vlerë 190 mln euro pas 15 tetorit 2020

Foto ilustruese

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka patur jo pak kritika ndaj qeverisë në lidhje me zbatimin e buxhetit përgjatë vitit 2020, ku thuhet se ka treguar mungesë serioziteti, ndërsa në filtër është kaluar edhe sektori i turizmitm malor, ku u konstatua mungesë rakordimi mes institucioneve dhe federatave që do ta nxisnin këtë lloj turizmi më shumë

Sipas KLSH, qeveria nënshkroi mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë të kontraktuar rreth 23 miliard lekë (rreth 190 milionë euro), pas datës 15 Tetor 2020, jo në përputhje me kërkesat e ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor. Kontraktimet më të mëdha u bënë në Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë rreth 10 miliard lekë dhe Ministria e infrastrukturës me vlerë 7.8 miliard lekë.

Gjithashtu u gjetën rreth 10 milionë euro (1,23 miliardë lekë) shpenzime korente që në realitet janë klasifikuar si shpenzime kapitale. Për shembull Autoriteti Rrugor Shqiptar i raportoi si investim shpenzimet për vendime për shlyerjen e vendimeve gjyqësore. Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe AZHBR raportojnë si investim të realizuar kostot lokale të menaxhimit të projekteve. Programi buxhetor 6210 “Programe zhvillimi” nga FSHZH me Aktin Normativ nr. 28/2020 është rritur me 3 miliard lekë për hapjen e 21 projekteve të reja investimi të cilët nuk kanë kaluar ciklin e menaxhimit të investimeve publike në Programin afatmesëm 2020-2022.

Rezulton se, buxheti i kërkuar për vitin 2021 për këto 21 projekte paraqitet në shumën 6.99 miliard lekë, ndërkohë me ligj buxheti tavani buxhetor është miratuar në shumën 3.8 miliard lekë, duke lejuar kështu ndërmarrjen e angazhimeve përtej kufirit të miratuar, vëren KLSH. Në vijim, me Aktin Normativ nr. 34/2020 fondi këtij programi është ulur me 1.3 miliard lekë ndërkohë kontratat e nënshkruara janë në shumën 5.95 miliard lekë dhe fondet në dispozicion në muajin dhjetor 2020 për to paraqiten në shumën 880 milion lekë ose 1.27 miliard lekë angazhime përtej tavanit të miratuar për vitin 2021.

Disa nga këto projekte janë: Rikualifikimi dhe sistemimi i Lumit Gjanica, Loti iI, Fier me vlerë kontrate 630 milion lekë; Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë me vlerë kontrate 818 milion lekë; Rikualifikimi i zonës turistike Golem me vlerë 667 milion lekë. Përveç projekteve të mësipërme, në muajt shtator-tetor 2020, është miratuar rialokimi i projekteve të reja, duke detajuar vetëm vlerën e 20% të projektit të investimit në vitin e parë në shumën 543 milion lekë. Plani përfundimtar rezulton në shumën 238 milion lekë, ndërkohë që tashmë janë lidhur 4 kontrata me afat 8-12 muaj në shumën 1.4 miliard lekë në tejkalim të tavanit të viti 2021 në shumën 1.2 miliard lekë. Konkretisht: Ndërtimi i By Pass-it të Gjirokastrës, Ndërtimi i Rrugës Burrel-Sheshaj, Rruga e Vendit të Shenjtë Mali i Tomorrit, Loti 2, Rikualifikimi Urban dhe ndërtimi argjinaturës për mbrojtjen nga Vjosa.

Sipas KLSH-së, konstatohen rishikime të shpeshta në programin buxhetor 4520 “Transporti rrugor”, për MIE dhe ARRSH planifikuar me ligjin e buxhetit në shumën 14.5 miliard lekë. Me aktin Normativ nr. 28 vlera e financimit është rritur me 7.1 miliard lekë. Në muajin Tetor 2020 janë kryer përsëri rialokime duke shtuar fondin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit në shumën 370 milion lekë të tjera dhe duke shtuar dhe projektin Ndërtim rruga Palasë Dhërmi” në shumën 440 milion lekë përballuar nga ulja e financimit të “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvine Loti 7”.

Në muajin Nëntor është ulur përsëri vlera e shpronësimeve të planifikuara dhe janë shtuar dy projekte të reja të investimeve: projekti “Rikonstruksion i rrugës Dukaj – Sinanaj, Tepelenë” në shumën 100 milion lekë dhe projekti “Ndërtim i rrugës, lidhja e Autostradës Milot – Morine me Aeroportin e Kukësit” në shumën 144 milion lekë. Gjithashtu në këtë program konstatohen 5 projekte të cilat kanë ndërmarrë angazhime në mungesë të fondeve disponël në vlerën 4.5 miliard lekë.

Në Programi buxhetor 6370 “Furnizimi me ujë dhe kanalizime” janë konstatuar 7 projekte që kanë marrë angazhime në tejkalim ose në mungesë të fondeve disponbël në shumën 7.1 miliard lekë

Sa i përket turizmit malor, audituesit konstatojnë se regjistrimi i strukturave, mungesa e kategorizimit të tyre bën që informaliteti të jetë problem.

“Mungesa e përgatitjes së planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore, e realizimit të objektivit strategjik, për regjistrimin e 80% të strukturave akomoduese të vogla familjare (kryesisht në zonat malore), duke ndikuar negativisht në uljen e informalitetit në sektorin e turizmit, si dhe mungesa e një programi pune me qëllim përcaktimin e masave konkrete, afateve, institucionet me të cilat do të bashkëpunojë MTM, për reduktimin e fenomenit të informalitetit, në gjykimin e grupit të auditimit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të ofruar, cenimin e sigurisë së turistit, uljen e numrit të turistëve në zonat malore, e për rrjedhojë zhvillimin me ritme të ulta të turizmit malor”, thuhet në dokument.

Për audituesit duhet të ketë një bashkërendim më të mirë që të dixhitalizohen shtigjet si dhe të pasqyrohen ne e-turizmi destinacionet në mënyrë që turistët ta kenë më të thjeshtë aksesin. Kjo duhet të ecë paralelisht me mbulimin me valë.

Nga ana e institucioneve nuk ka një produkt final që të ketë identifikuar zonat ku mund të ngihen pista skijimi apo të zhvillohet alpinizmi e po kështu nuk ka një paketë turistike për aktivitetet dimërore.

I njëjti auditim vlerëson se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional (horizontalisht dhe vertikalisht) ndërmjet Ministrisë së Turizmit-së dhe Institucioneve të tjera nga ministritë e linjës tek dhe grupet e interesit (Federata/shoqata të ndryshme sportive, si Alpinizmi, Aeronautika, Çiklizmi, etj), për: -përgatitjen e planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore;  lirimin e paketës turistike për aktivitetet dimërore; krijimin e stacioneve të transportit turistik  tregon për dobësi në realizimin e detyrimeve ligjore dhe strategjike dhe mungesë koordinimi.

“Për pasojë sjell infrastrukturë mbështetëse të dobët për ofruesit dhe përfituesit e shërbimit turistik, mungesë të alternativave argëtuese në turizmin malor, ndikon negativisht në promovimin e produkteve turistike, në hartimin e planeve dhe përcaktimin e objektivave real për zhvillimin e produktit turistik dhe në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të turizmit malor” thuhet në auditimin e KLSH.

Ky institucion ka rekomanduar një sërë masash që mund të merren nga autoritetet për të ndryshuar situatën dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit malor./ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë