KLSH: Skema e sigurimeve 'gropë'
në 2013 s’u mblodhën 10 mld lekë

TIRANE - 10 miliardë lekë të reja apo rreth 99 milionë dollarë amerikanë është shifra jashtëzakonisht e lartë që mungon në kontributet e sigurimeve të punonjësve, që, sipas Kontrollit i Lartë i Shtetit, përfaqësojnë detyrime të papaguara ndaj skemës së sigurimeve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, stoku i detyrimeve është rritur me rreth 1,9 miliardë lekë. Këto detyrime përfaqësojnë kontributet, interesat dhe gjobat e papaguara dhe përbëjnë rreth 21% të totalit të të ardhurave të planifikuara, theksohet në raportin e auditimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), me temë “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së aktivitetit ekonomiko-financiar” për periudhën 01.01.2013 deri më 31.12.2013.

KLSH ka konstatuar mosrealizim të të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga punëdhënësit për të punësuarit e tyre në subjektet juridike dhe fizike. Ndërkohë, lidhur me mbledhjen e kontributeve, problem shqetësues është mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të madh dhe të biznesit të vogël, sidomos ato të biznesit të vogël. Llogaritet që nga 749,320 listëpagesa që duhet të vinin në format elektronik pranë ISSH, kanë mbërritur vetëm 64,500 listëpagesa.

Sipas auditimit, edhe skemës së sigurimeve shoqërore në fshat i mungon një numër relativisht i lartë i personash, që për vitin 2013 vlerësohen të jenë 113,377 vetë.
Në Fondin e Pensioneve, në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, Dibër dhe Elbasan, janë përfituar padrejtësisht pensione në 12 raste, me vlerë të përgjithshme 12.849.768 lekë, me anë të mashtrimit dhe përdorimit të dokumentacionit fiktiv nga përfituesit.

Ne lidhje me shkeljet e fundit, KLSH ka bërë dy kallëzime penale për 12 përfituesit e pensioneve dyfish, për konsumimin e elementeve të veprave penale “mashtrim” dhe “falsifikim i dokumentave”, Neni 143 dhe Neni 186 i Kodit Penal.
Për përmirësimin e punës në ISSH, KLSH ka rekomanduar 25 masa ndryshimi në legjislacion dhe masa organizative, si dhe katër masa shpërblim dëmi.



 





ISSH: E kemi tejkaluar planin e të ardhurave për vitin 2013
ISSH ka deklaruar dje, në reagim të njoftimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, se i ka pritur me habi dhe skepticizëm kritikat nga ana e KLSH-së. Sipas zyrës së shtypit të Institutit, të ardhurat në përgjegjësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2013 janë realizuar në masën 114.4 për qind. Kështu, të ardhurat nga të vetëpunësuarit në sektorin e bujqësisë janë realizuar në masën 110 për qind, ato nga sigurimet vullnetare janë realizuar në masën 101 për qind, ndërsa të ardhurat e tjera, madje, kanë sjellë një shifër në masën 222 për qind krahasuar me planifikimin fillestar sipas Ligjit për Buxhetin e Shtetit të vitit të kaluar. Ndërkohë, sipas ISSH-së, 9.9 miliardë lekë që mungojnë në bilanc janë borxhe për kontribute të pambledhura ndër vite nga Tatimet. Pra, sipas ISSH-së, difekti për grumbullimin e tyre duhet të gjendet tek administrata tatimore.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndiqni intuitën dhe mos kini frikë të merrni vendime të guximshme... Çfarë thonë yjet për ju sot

Ndiqni intuitën dhe mos kini frikë të merrni vendime të guximshme... Çfarë thonë yjet për ju sot