Sipas vendimit të marrë shpronësimi i tyre do të bëhet në dy faza ku shifra totale e shpronësimeve do të kapë vlerën e rreth 3.2 milionë lekëve, dhe do të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
Ndërkaq afati i shpronësimit të pronarëve të tokave do të bëhet brenda tre muajve pas miratimit të projektit, ndërsa regjistrimi i tokës prej 8600 metra katrorëve ku do të kryhen punimet do të duhet të bëhet nga pronarët brenda 30 ditëve.
Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, FAZAT I DHE II, NË BASHKINË E SHKODRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave publike, fazat I dhe II, në bashkinë e Shkodrës, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Shkodrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas vlerave të mëposhtme:
a) Për fazën I, për sipërfaqen 4 395 (katër mijë e treqind e nëntëdhjetë e pesë) m², tokë arë, në vlerën 1 643 730 (një milion e gjashtëqind e dyzet e tre mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekë;
b) Për fazën II, për sipërfaqen 4 189 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e nëntë) m2, tokë arë, në vlerën 1 566 686 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 210 416 (tre milionë e dyqind e dhjetë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Shkodrës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Shkodrës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit: “Zgjerimi i varrezave publike”, fazat I dhe II, në bashkinë e Shkodrës të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 8 584 (tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e katër) m², tokë arë, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Shkodrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)