Pasi iu la organizatës Korçës të zgjithte të pestin anëtar të Komitetit Qëndror dhe pse të tjerët u kooptuan nga Moska.
Pa fjalë organizata e Korçës u la t’a zgjithte vetë përfaqësuesin e saj në Komitet për arësye se ajo organizatë konsiderohej prej Kominternit si mjaft e zhvilluar dhe e lidhur me masat sa që të kish të drejtë e të mundte t’a zgjithte demokratikisht pjestarin e saj n’atë Komitet.
Nga ana tjetër organizata e Korçës ish e kufizuar pak a shumë në Korçëe pra ajo s’kish karakter të gjërë nacional. Kështu që për Komitetin Qëndror e të gjith vëndit, ish e nevojshme kooptimi nga lart. Nga kjo del, se grupet e tjera komuniste nukë kishin konditat e nevojshme për të patur të drejtë e për të mundur t’i zgjedhin vetë, ose të marin pjesë në kooptimin e Komitetit Qëndror.
Komiteti Qëndror duhej të zgjerohej tue përmbledhur njerëz të nderçëm pa parti që pranonin programin, dhe në këtë Komitet bërthama do të përbëhej prej komunistave.
Ali Kelmendi, duhej, sipas udhëzimeve që kish nga Moska, të hynte legalisht në Shqipëri, dhe Aliu besonte se kish mundësi me anën e disa miqve të tij nga rethi i regjimit që t’a pranonte këtë punë. Po Aliu vdiq në Paris në fund të 1938-tës, ku u varros me nderime të mbëdha. Lazar Fundua, i cili kish qënë me Halim Xhelon, Demir Kodheli e të tjerë, në Komitetin Qëndror të më parshmë, tani u la jashtë dhe u caktua të rijë nën kontroll në Paris, ku do të shërbente si ndërlidhës midis nesh dhe Kominternit dhe njëkohësisht do kujdesej për punën në Francë.
Këtë herë u theksua mirë që i gjithë Komiteti Qëndror i një lëvizjeje duhej të ndodhej në vëndin e lëvizjes bashkë me organizatën që e udhëhiqte atë lëvizje e që ay komitet kryesonte. Nuk lejohej më që antarët të këtij komiteti të kishin qëndrim jashtë Shqipërisë, si më parë.
Komiteti Qëndror ish pa fjalë ilegal, por antarët e saj duhet të ishin persona qëndrim i të cilëve në Shqipëri të ish i legalizuar.
Me tradhëtinë e Lazar Fundos dhe vdekjen e Ali Kelmendit, Komiteti mbetej pa ndërlidhje dhe përbërja e saj zbriti në 4 e pastaj në 2 persona. Në Moskë nuk ish thënë asgjë për mënyrën e zëvëndësimit të antarve të K.Q. që për një arsye a tjetër binin jashtë. Nga ana ime, unë isha krejt axhami në punët organizative të Partisë për arësye se unë kurrë më parë s’kisha bërë pjesë në një Parti të regullt e të kisha punuar nënë udhëheqjen e saj në një vënt kapitalist.
Në Shkollën Leniniste, për shkak të sëmundjes, nuk e kisha bërë kursin mbi strukturën e Partisë, dhe në përgjithësi gjithë kurset (si historin e lëvizjes sindikale, ose kursi mbi strukturën e Partisë) që ishin praktikë, për mua ishin të pa kuptuarshme sa kohë që problemet praktike nukë i kisha patur jetuar. Edhe kurset theorike nuk kishin qënë për mua të mbështetura në praktikë, e pra ishin për së tepërmi filosofike.
Fakti që kisha bërë pjesë në P.K.B.S. nuk e ndryshoj karakterin e kuptimeve të mija ose mos-kuptimeve për çështjet organisative. Në Bashkimin Sovjetik problemet ishin të ndryshme nga ato të shteteve kapitaliste dhe Celula e një shkolle Sovjetike ish akoma më pak e përshtatshme për të më dhënë stërvitja organizative veç se në theori. Kjo është e vërtetë sidomos kur origjina ime dhe e gjithë e kaluara e ime në punën nacionaliste përparimtare me shqiptarët kish qënë individualiste, pa organizim e pa disiplinë. Nga mosha tani kisha kaluar të 30-tat, kur ariva në Shqipëri kisha mbushur 38 vjet.
Po unë e dinja këtë dobësi, ose mungesë t’imen? E dinja dhe shpresonja që ajo që më mungonte mua do t’a gjenja në shokët e organizatës së Korçës, në puntorët të cilët kishin vjetërsi e nuk kishin origjinën t’ime, as që kishin jetuar jetën individualiste që kisha bërë si emigrant politik i përplasur andej këndej në gjithë botën po thuaj, dhe i drejtuar prej shokësh jo më të mirë se unë vetë. Mirpo shokëve t’anë të organizatës së Korçës, - sa do më të zgjuar në punë praktike, sa do që ishin puntorë, u mungonte edhe atyre eksperienca. Pra ata prisnin prej meje dhe unë prisja prej atyre. Bile puntorija e jonë ish edhe ajo mjaft mikro borgjeze. Shokët t’anë quheshin puntorë në krahësim me mua, por në krahësim me proletariatin ishin zanatçinj, mjetet e prodhimit i kishin pronë të tyre dhe shpesh herë, si pas fatit të tregut, bëheshin dhe ustallarë me disa shegerta në shërbim të tyre.
Po aherej Kominterni përse më kooptoj në Komitetin Qëndror kurse ay i dinte mungesat e mija, si dhe plogështinë t’ime gjenerike të cilën ma kishin vëbë re dhe më kishin folur për atë në shkollë e në Partinë të P.K.B.S? Përgjegjen mund t’a dijë më mirë se kush do tjetër vetë Kominterni. Unë mendoj vetëm këto arësye. E para: unë isha një festë që s’ishte as më e mirë as shumë më e keqe për kallëpin e asaj kohe.
E dyta: se Kominterni kish bindje në nderçmëninë t’ime dhe unë këtë besim kurrë nuk u çmanga t’a meritoj e t’a justifikoj përsa i përket sinqeritetit t’im. Bëra sa dita dhe bëra sa munda brënda kuadrit të trashëgimeve të mija. Pa këto trashëgime do të kisha mundur të bënja më tepër. Ma u bë e qartë që në Moskë që anëtarësinë në Komitetin Qëndror nukë e kishin marrë me tapi, dhe kur ardhi koha, kur u binda që pa mua mund t’i shërbehej më mirë kauzës, dhashë provën që e kisha kuptuar që s’kisha marrë ndonjë tapi. E treta arësye besoj se ka qënë konsiderata që unë isha i përshtatshëm për organizimin dhe taktikën e vijës së re, me që kisha punuar në S.R.I. në Francë dhe në M.L.SH.
(Shkolla Leniniste Ndërkombëtare) kisha lundruar drejt përmes çfaqjeve oportuniste shoveniste të anglezve dhe amerikanëve të sektorit ku bënja pjesë (anglo-amerikan).
Nuk mbaj mënt tamam se kush më tha (më duket që ish një shok gjerman që shërbente në Paris si ndërlidhës) që shokët e seksionit të Ballkanit në Komintern mendojnë mirë për mua se pranova pa hezitim të vete drejt nga Moska në Shqipëri të punoj atje duke ditur terrorin që mbretëronte në Shqipëri. Pak kohë para se të nisem për në Shqipëri ishin bërë arestime në Korçë, internime në Gramsh, dhe Selim Shpuza kish prerë damarë (arterë) e dorës. Ditët që po mbrinja në Tiranë, po varej Ismat Totoja.
PROGRAMI TAKTIKA DHE ORGANIZIMI I RI
Në pjesën e biografisë t’ime që dorëzova përpara se të nisem për në Moskë në Prill të 1946-tës, mundet të kem folur mbi “Vijën e Re”. Sidoqoftë, për siguri ja se ku po e përsërit:
Programi ish i thjeshtë dhe përmblidhej në dy pika kryesore:
1. – Mbrojtja e të drejtave demokratike të popullit.
2. – Mbrojtja e të drejtave nacionale të popullit.
Regjimi dhe politika e jashtme e saj nuk do të atakoheshin me goditje frontale por do të bazoheshin në kërkesat më elementare të popullit, e sidomos në kërkesat ekonomike, për t’i çuar të mbrojnë programin.
Do të çfrytëzonim për këtë qëllim të gjitha mundësitë legale që ofronin ligjet e Zogut si dhe organizatat, institutet, shoqëritë e masave dhe vendet publike të formuara ose lejuara prej regjimit. Tash për tash nuk do të formonim shoqëritë ose organizata t’ona masash po të ish se këto vinin në përpjekje të hapur me regjimin dhe detyroheshin nga ditët e para të ekzistencës së tyre të hynin në ilegalitet. Si shëmbëll të një organi të krijuar me inisjativën t’onë por me lejen e regjimit si pas ligjeve të tij në fuqi, do të ish botimi i një reviste legale siç kish qënë “Bota e Re”.
ORGANIZIMI. Gjithë celulat do të çpërndaheshin dhe antarët do të hynin në shoqëritë legale të masave e në aktivitetet e tjera legale.
Përfshirja sa më e gjërë e njerzve pa parti e nacionalista të ndershëm në radhët e aktivistave që nga posht e deri në organin më të lartë të lëvizjes.
Lidhja individuale e aktivistave (komunista e jo komunista) që nga poshtë e gjer në krye në formë piramidale.
Botimi i një buletini ilegal (të fshehtë) për stërvitjen dhe udhëzimin e aktivistave më të mirë.
Pa fjalë, sa do që lidhjet do të ishin individuale dhe celulat do të suprimoheshin dhe puna do të bëhej me mjete legale ajo s’do të thotë që s’do të ekzistonte më organizata dhe që kjo organizatë që do të ekzistonte, nuk do të ish legale dhe konspirative. Këtë e them për arësye se kundërshtarët e “vijës së re” na akuzuan sikur deshim të shkriheshim në regjimin.
LEGALIZIMI I SHOKËVE TË ARDHUR NGA MOSKA.
Programi dhe taktika që do të ndiqej e bënin më të volitëshme përdorimin e shokëve që kishin mundësi të legalizonin vehten. Veç kësaj eksperienca e së kaluarës, veçanërisht eksperienca nga paraardhësit e mij (të ardhur nga Moska përpara meje) kish treguar që (veçanërisht pas shtypjes së lëvizjes së Fierit) populli shqiptar ish i intimiduar gjer në atë shkallë sa ay denonconte në xhandarmëri edhe më të afërmit e tij vetëm e vetëm që të shpëtonte vehtë.
Vetëm tre veta kishin ardhur ilegalisht në Shqipëri, Selim Shpuza, Rexhep Çami dhe Halim Xhelua dhe, që të tre, brenda një kohe fare të shkurtër u denoncuan prej njerëzve të tyre. I pari u detyrua të legalizohet dhe kish mundësinë të legalizohej me që Ministri i brendshëm i ahershëm ish Musa Juka, njeriu i familjes së tij para 1924 “e për punë” që po bënte në emigracion. Selimi kish mundësi të hynte legalisht që nëfillim por ish vendosur të provohej në se mund të ekzistohej ilegalisht në Shqipëri. Po ashtu edhe Rexhep Çami.
Shokët e tjerë që kishin hyrë në Shqipëri nga Moska përpara meje ishin Demir Kodheli, Tajar Zavalani, Mafuz Laze, pa fjalë edhe Ali Kelmendi. Të gjithë këta kishin hyrë në mënyrë legale (shënim: Zija Këlliçi kish ardhur në Shqipëri nga Moska me ndihmën e Ambasadës Italiane në Moskë dhe kundër vullnetit të Kominternit).
Mafuz Lazja kish ikur si puntor nga Shqipëria për të punuar në Francë. Nga Fabrikat e Francës vate në Moskë ku nuk i a mësuan qëndrimin e tij atje as shokët Shqiptarë, veç Fundos dhe Sejfulla Malëshovës. U kthye në Shqipëri si puntor i riatdhesuar prej Francës. Punoj mirë në Kuçovë. U martua dhe u ftoh. Në kohën e okupacionit italian bëri disa kompromise me fashizmin: lejoj gruan t’i shpjerë një peshqesh (si antare e një delegacioni grash të organizuar prej partisë fashiste) princeshës italiane që kish lindur.
Partija Fashiste kërkoj t’a dërgoj për së dyti herë gruan e tij në Itali, me një tjetër delegacion, por Mafuzi refuzoj, jo se ishte kundër pjesëmarrjes në delegacionet fashiste, por se nuk e pranuan që ay t’a shoqëronte gruan në Itali. Puna e tij në Kuçovë ish lehtësuar prej faktit që, më 1934, Zogu i kish punët keq me Musolinin e pra i shihte me sy të mirë grevat e puntorëve të Kuçovës se këto greva drejtoheshin kundër patronëve italianë.
(Vijon nesër)
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)