KORCE - Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PDBNJ), Vangjel Dule nga Korça ka folur për incidentin e sotëm në Komisionin e Jashtëm, aleancat parazgjedhore, tre ligjet e integrimit si dhe takimin me kreun e PS-së, Edi Ramën.

Duke u ndalur tek Rezoluta Çame dhe largimin e tij nga Komisioni, Dule është shprehur se forca që ai drejton nuk do të bjerë pre e askujt që ka për qëllim që jetën politike ta kthejë në rrugaçëri politike.

“Këtij vendi ka nënvizuar, Vangjel Dule, -i duhet etika dhe qytetaria, po aq sa platformat dhe alternativat politike”.

Ndërkohë lidhur me aleancat parazgjedhore, pas koalicionit mes PS-së dhe LSI-së, Dule ka deklaruar se PBDNJ ka marrë ftesë nga dy forcat e mëdha politike dhe po i shqyrton ato, për të parë se ku janë hapësirat më të mëdha, ku përputhen vlerat dhe parimet politike.

“Së shpejti do jemi në pozitat për t’i komunikuar publikut qëndrimin tonë përfundimtar”, - ka deklaruar më tej kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Vangjel Dule ka siguruar gjithashtu një votë pozitive për tre ligjet e integrimit sapo ato të mbërrijnë në parlament për votim, pavarësisht se çfarë do të bëjnë forcat e tjera politike.

Ndërsa lidhur me deklaratat e kreut të FRD-së, Bamir Topit, për mundësinë e një poli të tretë, Dule ka deklaruar se FRD dëshmon seriozitet me një lidership të interesuar për fatet e vendit dhe se çdo zë që vjen nga kjo forcë politike është për t’u dëgjuar, pavarësisht se je në kushte bashkëpunimi apo oponence partiake.
Përsa i përket takimit me Edi Ramën, Vangjel Dule është shprehur se nuk ka në këtë moment një proces negocimi, PBDNJ ka në shqyrtim ftesat e marra nga dy polet.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)