Koalicioni pro Familjes dhe Jetës si dhe Diaspora Shqiptare dërguan në Gjykatën Kushtetuese ligjin për "Barazinë Gjinore". Ata depozituan një kërkesë padi prej afro 200 faqesh për anulimin e këtij ligji, që sipas tyre godet familjen dhe fëmijët.

“Ky ligji është ligj anti njeri, anti familje, antizot, antiliri, ligji që na kthen mbrapsht në kohë tek ligji për agjitacion propagandë, ligji që pezullonë kulturën, është kundërkulturë, është marksizëm kulturor, nuk është një ligj shqiptar.

Ky ligj duhet të shfuqizohet në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Dhe unë dëshiroj t'ju them sot që kjo është një nga betejat e mëdha, është një nga betejat të cilat ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Pra, do ta çojmë deri në fund betejën tonë për të mbrojtur familjen, fëmijët, dhe lirinë", tha Akil Pano.

Ligji “Për barazinë gjinore” u miratua në Kuvend më 6 nëntor mes debateve dhe përplasjeve nga ana e Partisë Demokratike, të cilët e kanë cilësuar si një ligj që shkatërron familjen tradicionale dhe shoqërinë shqiptare.

Në parim sipas mazhorancës që e propozoi dhe miratoi, ligji është i standardeve më të larta, garanton barazi mes burrit e gruas dhe ndalon diskriminimin me bazë përkatësinë gjinore, në fushë sociale, politike apo ekonomike. Pra heq të gjitha dallimet, përjashtimet, kufizimet me bazë gjinore dhe mos njohje të të drejtave të një gjinie të caktuar.

Por termi që i çoi në pozicione krejtësisht të kundërta palët dhe krijoi ndarjen e madhe ishte kuptimi i gjinisë. Gjinia, në nenin 4 pika "ë" të ligjit të miratuar, përkufizohet “Gjinia nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë”.

Pra gjinia si kontekst social dhe jo e lindur si sinonim i seksit. Me këtë koncept duket sikur lihet jashtë realiteti biologjik dhe bazohet në sjellje. Kjo sipas kundërshtuesve të këtij ligji, kryesisht opozitës, lë hapësira që në të ardhmen të shtohen gjini të tjera, disa thonë deri në 72 e të tjerë edhe më shumë. Por qeveria thotë se ligji e ka të qartë konceptin binar të gjinisë: vetëm burrë dhe grua.

Një tjetër term që ka ndarë është ai i përkatësisë së shumëfishtë gjinore që në ligj shpjegohet si “Ndërlidhja dhe kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”

Disa e interpretojnë si hapje për njohjen e më shumë gjinive por hartuesit e ligjit e lidhin këtë term me rastet kur një person mund të diskriminohet për disa arsye njëkohësisht: si gjinia, etnia, mosha, aftësia e kufizuar apo prejardhja shoqërore.