Pas shkarkimit nga Asambleja, Taulant Balla ka deklaruar se Koço Kokëdhima nuk do të jetë më as anëtar i thjeshtë, pasi përzgjedhja ka qenë në kundërshtim me statutin.
"Që nga ky moment Koço Kokëdhima nuk është më as anëtar, pasi përzgjedhja ka qenë në kundërshtim me statutin sepse u fut në mënyrë jo të rregullt te lista e delegatëve të Vlorës" deklaroi ai.
Pavarësisht se Kokëdhima deklaroi se largohet nga posti i Sekretarit për Emigracionin, kërkesa e delegatëve për shkarkimin e tij u hodh në votim dhe mori mbi 300 vota pro dhe vetëm 3 kundër.
Asambleja, Kokëdhima para shkarkimit: Iki vetë më mirë!
Koço Kokëdhima humb një tjetër post me rëndësi në Partinë Socialiste. Sot ai humbi dhe funksionin si Sekretar Për Reformën Struktutore dhe Emigracionin. Asambleja e PS e shkarkon sot nga Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin, por Koço Kokëdhima thekson se dorëhiqet vetë nga ky funksion.
“Unë bëj dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i sekretarit të Reformës Strukturore dhe Emigracionin. Nuk e kërkova këtë post në Asamblenë e 23 prillit. Propozimi i Ramës për t’u zgjedhur unë në këtë funksion nuk ishte i sinqertë, por u bë thjesht dhe vetëm si mbulesë për atë që po përgatitej me Gjykatën Kushtetuese. Mua nuk më shton gjë në komunikimin publik dhe politik asnjë titull e funksion.”, u shpreh Kokëdhima teksa ka mbajtur fjalën e fundit para Asamblesë së PS si Sekretar i Emigracioni.
Pas fjalimit në Asamble, Kokëdhima u shpreh për mediat se do të vazhdojë lëvizjen në PS.
"Do të vazhdoj luftën time si anëtar i Kongresit dhe i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Po përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme" deklaroi ai.
Kokëdhima pretendon se po dënohet si greket ndëshkuan Sokratin, ndërsa drejton gishtin si përgjegjës tek Edi Rama e Gramoz Ruçi.
"Është duke më dënuar siç dënuan grekët Sokratin 2400 vjet më parë, vetëm se ky i fundit besonte se populli qe i vetmi Zot. Ai e kishte humbur besimin te perënditë e Olimpit. Rama është shumë i keqkuptuar kur e mendon veten si zot në këtë vend.
E gjithë kjo që po ndodh është vazhdimi i një plani gjakftohtë për të më likuiduar politikisht. Kjo nuk ka lidhje me ju si anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Ka lidhje vetëm me drejtuesit më të lartë të PS-së, Edi Ramën e Gramoz Ruçin".
(Për më tepër lexo, Fjala e Koço Kokëdhimës në Asamblenë e PS)
Shkarkimi i Koco Kokëdhimes u kerkua nga Kryesia e PS, nën shqetësimin se Kokëdhima po përdor në popull një retorikë përcarëse.
Report Tv zbardhi dokumentin që kërkonte shkarkimin e Koço Kokëdhimës. Sipas këtij dokumenti Koço Kokëdhima prej muajsh ka përdorur retorikë përçarëse brenda Partisë Socialiste.
Në këtë dokument thuhet se aktiviteti i Kokëdhimës është i shkëputur nga kuadri i partisë.
"Bazuar në faktet se Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin Kocci Kokëdhima, prej disa muajsh ka krijuar një shqetësim konstant ne bazën e partisë me retorikën përçarëse dhe me aktivitetin vetjak të shkëputur nga kuadri i veprimtarisë së partisë, të përcaktuar nga Asambleja Kombëtare dhe Kryesia e Partisë Socialiste.
Bazuar në nenet 18, 22 dhe 71 të Statutit të PSSH si dhe në nenet 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores “ Për Votëbesimin në Parti”, kërkojmë:
Shkarkimin e Kocco Kokëdhima nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin të PSSH-së", shkruhet në dokument të propozuar nga Kryesoa e PS.