Ylli Pata: Kodet politike të mbrojtjes së korrupsionit!

Ylli Pata: Kodet politike të mbrojtjes së korrupsionit!

Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir mediu i akuzuar nga SPAK për tragjedinë e Gërdecit

Rasti e solli që nuk kaloi shumë dhe afera e bujshme e këtyre ditëve të pastrueses që grabiti para në banesat e VIP-ave, të kryqëzohet me një zhvillim të fortë për rastin “Gërdeci”.

Natyrisht të dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, nuk janë të ngjashme, e nuk kanë të njëjtat pasoja. Por në thelb të dyja çështjet kanë si bazë, si nisje, dyshime për korrupsion të zyrtarëve të shtetit. Gjithsesi edhe këtu ka ndryshime, pasi në rastin e Gërdecit, ka pasur shumë hulumtime, artikuj të rëndësishëm të mediave shqiptare, atyre ndërkombëtare deri edhe New York Times, libër best seller, por edhe film nga Hollywood-i. Për rastin e këtyre ditëve, pra të parave që vodhi Rozeta Dobi në shtëpitë e disa qytetarëve, ka pasur shumë zhurmë këto ditë. Zhurmë, krejtësisht legjitime, pasi kemi të bëjmë me shuma mjaft të mëdha parash të marra në banesa njerëzish që punojnë në zyra të rëndësishme të shtetit.

Në rastin aktual, hetimet kanë nisur nga Policia e Shtetit, e cila ka dërguar materialet në Prokurori, e cila nga ana e saj, ka përpiluar dosjen e cila ka shkuar në Gjykatë. Dhe këto materiale, me të cilën Gjykata vlerësoi masën e sigurisë së pastrueses dhe të birit, bënë xhiron e botës. Pra publiku u njoh me materialet e para të kësaj ngjarjeje.

Madje kishte aq detaje, sa investigativët e paneleve ju futën analizave dhe qëndrimeve politike të tipit: “Këtu është trash zullumi”, “korrupsioni është gangrenë” e konkluzione të tjera të “nivelit të lartë”.

Në këtë zallamahi informacionesh, lidhjesh live, panelesh e diskutimesh pa fund, pati edhe një prononcim politik të kryeministrit dhe kreut të mazhorancës. Edi Ramës pra, i cili deklaroi se vullneti politik është që hetimet të shkojnë deri në fund të nxjerrin lakra dhe llum. Natyrisht pati vlerësime të ndryshme sipas midesë, apo humorit momental, por sot, në këtë moment, hetimi vijon, dhe prokuroria bëri të ditur se po heton jo vetëm grabitjen, por edhe për paratë e gjetura të zyrtarja shtetërore.

Ka pasur deri tani, disa versione për origjinën e parave, dikush e ka mbrojtur zyrtaren, dikush ka hedhur dyshime, një tjetër ka gjetur një shteg akuze për të përfituar edhe politikisht në këtë rast, çka është e pritshme e natyrisht brenda rregullave të lojës. Por askush, nuk ka sulmuar prokurorët, askush nuk ka kërcënuar gjyqtarët, askush nuk ka bërë deklaratë publike për të treguar se i hetuari është mik i ngushtë, aq më shumë një zyrtar me post.

I gjithë ky kontekst sipas gjasave nuk mund të jetë i plotë, por mund të ketë ide të tjera për ta luftuar korrupsionin, për të arritur realisht aty ku duhet, pra sa më brenda e sa më lart. Ku mund të kërkohet qoftë edhe nga opozita zyrtarisht që SPAK të dërgojë për shqyrtim shkencor të parave në FBI, siç ndodhi me balistikën e 21 janarit, apo edhe ekspertizë ndërkombëtare kontabile të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Veçse këtu, si gjithmonë vjen diskutimi i atij korrupsioni që është ndaluar të hetohet. Është bllokuar çdo provë, dhe me vendime politike janë dëbuar me shantazh e linçim publik prokurorët që hetonin çështjet ndaj zyrtarëve të lartë. Siç është rasti i Zamir Shtyllës, për të cilin u shpik i ashtuquajturi ligj antigjenocid, vetëm për të kërcënuar prokurorët e penguar drejtësinë.

Po ja të vijmë sot, meqë rasti “Gërdeci” zyrtarisht është një dosje që do të shkojë sërish në gjyq. Dhe po shkon në gjyq vetëm falë Zamira Durdës dhe djalit të saj jurist, të cilët kanë përpiluar dosjen në atë mënyrë që ka bindur prokurorët, se çështja nuk ishte gjykuar në themel, gjë që është e vërtetë. Ja do të shikojmë sot, a do ta ftojnë Zamira Durdën apo të birin e tij Gëraldon në panele për të shpjeguar, ose për të rrëfyer anën e tyre dhe qëndrimin e kësaj fitoreje të madhe. Është një betejë me shpirt nëpër dhëmbë e Zamirës dhe më pas e të birit që u rrit e mësoi ligjin, me etjen për kërkuar drejtësi për Edisonin 7 vjeçar, që u hodh në erë ndërsa po i çonte bukën djalit të xhaxhait të tij në punishten e vdekjes. 

A ka betejë më fisnike, më sublime se një “hakmarrje” me gjykatë, një civilizim që Zamira dhe dy fëmijët e saj sot të rritur i dhanë politikës e shoqërisë shqiptare, të cilët i mënjanuan e i tallën për 14 vjet rresht? Qofsha i gabuar, por as sonte nuk do t’i marrë kush edhe pse janë protagonistët e ditës. Sepse të vetëm, arritën të rihapin dosjen, të cilët investiguesit e quanin “të parashkruar që nuk hapet”. 

Po a mund të parashkruhet hedhja në erë e Edisonit 7 vjeçar dhe 25 të tjerëve? Sepse nuk parashkruhet në radhë ta parë korrupsioni që e krijoi atë monstër që shkaktoi atë katastrofë të tmerrshme të 15 marsit 2008. E për atë korrupsion u bë nami, e sot siç pamë e sulmuan SPAK e drejtësinë si vegël të mazhorancës. Po përse nuk kërkojnë, apo kërkuan hetim ndërkombëtar? Zamira Durda nga ana e saj, e ka çuar çështjen edhe në Strazburg, e ka fituar.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë