TIRANË, 27 Dhjetor/ATSH/.- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, generalmajor Jeronim Bazo dhe komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, ishte sot në Batalionin e Këmbësorisë në Poshnje, Berat.
Kjo vizitë e ministres Kodheli zhvillohet në kuadër të një turi që ajo ka ndërmarrë për të takuar dhe uruar efektivat e njësive dhe reparteve të FA-së, si dhe fëmijët e tyre për festat e fundvitit.
Ministrja Kodheli u prit nga komandanti i batalionit, nënkolonel Gëzim Marku dhe u takua me efektivët e këtij reparti dhe fëmijët e tyre, të cilët kishin mbushur plot një nga sallat e batalionit. Me këtë rast nga fëmijët u dha një koncert i shkurtër artistik, duke krijuar një atmosferë të vërtetë festive.
Duke përshëndetur fëmijët dhe ushtarakët e pranishëm, ministrja Kodheli siguroi se do të vazhdojë të mbetet pranë fëmijëve, që pa as më të voglin dyshim janë e ardhmja e vendit.Përkujdesja që i duhet kushtuar fëmijëve, ka vijuar më tej ajo, qofshin këta të ushtarakëve apo civilëve brenda FA-së, është një investim të cilin ne asnjëherë dhe në asnjë rast nuk duhet ta neglizhojmë. "Shqipëria e gjeneratës tjetër do të jetë një vend më i mirë për të gjithë ne", vijoi ajo.
Më pas, duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij batalioni, ministrja Kodheli theksoi se, ju jeni heronj të heshtur, heronjtë e çdo dite në shërbim të atdheut, të kombit, të komunitetit.
"FA sot nuk kanë nevojë për supernjerëz, as për superheroj, kanë nevojë për dedikimin tuaj të përditshëm, për pasionin tuaj të përditshëm, për punën, mundin, sakrificën tuaj të përditshme për ta bërë vendin më të sigurtë, ndaj ju të gjithë jeni pjesë e këtij heroizmi. Mesazhi që dua të përçoj është një dhe i vetëm: Vazhdoni të punoni në këtë rrugë të drejtë dhe të ndershme të sakrificës dhe të mundit, sepse këtë e bëni për atdheun tuaj, për fëmijët tuaj dhe për të ardhmen tuaj", tha Kodheli.
Në fund, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe gjeneralmajor Bazo shpërndanë dhurata për Vitin e Ri për 170 fëmijët e ushtarakëve të këtij batalioni./m.m/