Janë parë me mjete kërkuese 25% e gjithë zonës së dëmtuar apo problem me risk. 30% e zonës është parë me sy por s’është verifikuar me mjetet mina kërkuese. Po merremi intensivisht. 25 pjesëtarë të FA përballen me këtë situatë” tha Kodheli duke lënë për të kuptuar se ka ende predha të pazbuluara. Ndërkohë, në përkujtim të viktimave që humbën jetën nga shpërthimi i 15 marsit të 2008, ministrja Kodheli vendosi në memorialin e ngritur në kujtim të të rënëve një buqetë me lule.
“Ne duhet ta përkujtojmë këtë ditë për të mos u kthyer më kurrë, për të mos u bërë më kurrë ato gabime e abuzime që u bënë me ligjin, që u bënë me të drejtën për të jetuar, që u bënë me të drejtën për të punuar, në kushtet e një vendi që nuk meritonte të kishte këtë përgjigje që mori, por kishte një qeveri që keqmenaxhoi, keqpërdori e abuzoi me një biznes të tillë. Sot ka akoma disa procese gjyqësore të pambyllura, të gjitha janë drejt fundit. Qeveria do bëjë atë çka është më e mira për qytetarët e bizneset e dëmtuara këtu”, tha ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli që ishte dje në Gërdec.
Ku më 15 mars 2008 nga shpërthimi i një punishteje demontimi municionesh, e licencuar nga shteti i mori jetën 26 personave, mbi 300 u plagosën ndërsa mijëra banesa e biznese u dëmtuan. Pas 6 vitesh, zona mbetet ende një nga hot spotet më të rrezikshme, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për jetët e humbura, të tjerë dëmshpërblim për mbetjen të gjymtuar e prishjen e shtëpive. “Jemi këtu për të reformuar një pushtet që jo domosdoshmërisht ka qenë nga ana e të drejtit. Po e vëzhgojmë nga afër. Kemi bërë shumë në opozitë dhe akoma më shumë do bëjmë tani në qeveri. Shteti ligjor është vënë në pikëpyetje, sepse ka korrupsion. Ka nevojë për reforma dhe ristrukturim e riformatim të proceseve e ligjeve“, tha Kodheli.
Ministrja: “Shqipëria ka mbi 13 hot spote gjithsej”
Ministrja Kodheli shpjegoi sa është sasia e municioneve në total, në të gjithë vendin, që ka ngelur për t’u demontuar. “Shqipëria sot numëron 12-13 hot spote të një natyre të ngjashme, por jo të këtyre përmasave. Është në fokusin tonë, ne kemi bërë një tryezë të rrumbullakët pak kohë më parë për të realizuar një fond me donatorë të huaj, me një organizëm si OSBE në krye të punëve, por dhe donatorëve të tjerë nga vende partnere e mike të Shqipërisë, për të mundësuar një pastrim total. Shqipëria ka nevojë të pastrohet, jo vetëm nga hot spotet që kanë një rrezikshmëri të caktuar, siç janë ato me background militar, por dhe të natyrave të tjera”, tha Kodheli.
Sipas saj, FA e Ministria e Mbrojtjes gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë në ballë të disa aksioneve e proceseve që realisht kanë pasur impaktin e tyre pozitiv. “Ju ftoj ta vazhdojmë këtë betejë së bashku sepse është shumë e rëndësishme të jetojmë në një ambient më të sigurtë të gjithë bashkë, që të gjitha hot spotet janë të rrethuara, të siguruara e nuk ka asnjë akses të qytetarëve në to. Do vazhdojmë të jemi pjesë e këtij procesi deri në pastrimin e gjithçkaje që është e rrezikshme për Shqipërinë e shqiptarët”, tha Kodheli.
Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)