Kodheli mohon kandidimin për
Tiranën: Nuk kthehem në bashki

Kodheli mohon kandidimin për<br />Tiranën: Nuk kthehem në bashki
TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka mohuar dje zërat për një kandidim të mundshëm të saj për Bashkinë e Tiranës. Emri i ministres u rikthye në vëmendjen mediatike, pas deklaratave të kryeministrit Rama se kandidati i së Majtës për Tiranën mund të jetë një femër.

Ndërkohë që vetë Kodheli ka deklaruar se për të puna në Bashki është diçka që i përket së kaluarës dhe nuk do të rikthehet. “Qetësohuni, nuk jam unë kandidatja. Unë kam një parim, të cilit i përmbahem gjithmonë, nuk rikthehem prapa në punët që kam bërë.

​E kam mbyllur kapitullin me Bashkinë e Tiranës kur vendosa të jap dorëheqjen si nënkryetare dhe të kandidoj në zgjedhjet për Kuvend përballë Bamir Topit”, deklaroi dje në një takim me gazetarët ministrja e Mbrojtjes.

Kodheli është një figurë që gëzon mbështetje të plotë brenda strukturave socialiste, kjo edhe për shkak të eksperiencës që ajo ka pasur si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës gjatë kohës që Edi Rama ishte kryetar Bashkie. Propozimi për kandidimin e saj erdhi pikërisht nga strukturat, por është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme nga vetë Kodheli. Ministrja ka propozuar vazhdimisht që në krye të Tiranës të vijë një administrator, i cili të punojë fort për qytetarët.

“Puna e Bashkisë është punë që e shohin dhe ndeshin përditë qytetarët. Mjafton të shohësh pusetat e hapura në Tiranë për të kuptuar se qytetit i duhet një njeri që ta dojë dhe të punojë fort për këtë qytet”, shtoi Kodheli. Megjithatë, brenda strukturave të PS-së, vazhdojnë sondazhet për të përzgjedhur emrin më të përshtatshëm për ta kandiduar në zgjedhjet e 21 qershorit.

Burime nga selia rozë bëjnë me dije se aktualisht emrat më të kuotuar brenda PS-së për Tiranën janë Pandeli Majko, Lindita Nikolla dhe Erjon Veliaj. Ish-kryeministri Majko është ndër emrat më të përfolur për Tiranën për shkak të popullaritetit që gëzon dhe punës që ka bërë në drejtimin e njësisë nr.5 në kryeqytet. Ministrja Nikolla gëzon mbështetje të konsiderueshme në kryeqytet dhe mund të jetë e avantazhuar pas tërheqjes së Kodhelit nga gara, nëse kryeministri Rama do vërtet një grua për Bashkinë e Tiranës.

Emri i ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, gëzon mbështetje të fortë nga kryeministri. Ministri Veliaj tregoi se mund të menaxhoj dhe të rris “vlerën” e dikasterit që drejton, duke qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes me këstet e dhëna për ish-të përndjekurit politikë dhe skemën e re të pensioneve. Dilemat për Tiranën dhe 60 njësitë e tjera vendore, aleatët kryesorë në mazhoranca Rama-Meta janë zotuar se do t’i përmbyllin deri në datën 1 prill.

Opozita
Dilemat për të zgjedhur një personalitet të fortë që të mund të rimbaj mandatin e së djathtës në kryeqytet, vijojnë të jenë edhe brenda Partisë Demokratike. Megjithatë duke ju përmbajtur propozimit të kreut të PD, Lulzim Basha, demokratët kanë përmbyllur fazën e propozimeve për të gjitha njësitë e reja vendore, përfshirë edhe Tiranën. Në kryeqytet baza e PD sugjeron si kandidatët më potencial, kreun aktual Lulzim Basha, ish-ministren e Integrimit Majlinda Bregu dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Halim Kosova.

Vetë kryetari demokrat Basha nuk ka konfirmuar apo mohuar rikandidimin për Tiranën, duke theksuar se vendimi për kryeqytetin do të meret në fund. Megjithatë ish-kryeministri Berisha së bashku me aleatin e demokratëve Dashamir Shehi, publikisht i kanë kërkuar Bashës të rikandidojë për Tiranën. Emri i ish-ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, është përcaktuar si kandidura më e pëlqyer për Tiranën nëse e majta do të zgjedhë që për bashkinë e kryeqytetit të kandidojë një grua.

Ndërkohë që vetë Bregu, pak kohë më parë deklaroi se nuk e ka në ambiciet e saj kandidimin për bashkinë, duke theksuar se angazhimi me drejtimin e Komisionit të Integrimit dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit janë prioritare për të. Në këtë situatë, demokratët mund të përzgjedhin një figurë aspak të kontestuar si ajo e Halim Kosovës. Ish-ministri i Shëndetësisë në fund të mandatit të dytë të demokratëve, shihet si një kandidat potencial nga e djathta për Tiranën për shkak të popullaritet që ai gëzon dhe faktit që për shumë kohë ka treguar se është i zoti të administrojë maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe më pas Ministrinë e Shëndetësisë.  

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Foshnja 5 muajsh vdiq në spitalin e Vlorës, babai mes lotësh: Fajin e ka mjekja, nuk më tha se ishte i sëmurë! Çfarë mjekimi i ka dhënë?! Dua drejtësi

Foshnja 5 muajsh vdiq në spitalin e Vlorës, babai mes lotësh: Fajin e ka mjekja, nuk më tha se ishte i sëmurë! Çfarë mjekimi i ka dhënë?! Dua drejtësi