Në Shqipëri pritet që të ngrihet një Qendër Ekselente për luftëtarët e Huaj. Ky propozim është bërë nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, propozim të cilin e kanë mirëpritur ushtarakët, ndonëse kanë thënë se ngritja e tyre është një vendimmarrje që i përket anës politike të NATO-s.

I pyetur për propozimin e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, gjenerali me tre yje Graham Stacey u shpreh i hapur për çdolloj propozimi. “Sigurisht që ne jemi të hapur për çfarëdolloj sugjerimi. Por zhvillimi i mëtejshëm i këtyre qendrave të ekselencës dhe ngritja e tyre është një vendimmarrje që i përket anës politike të NATO-s. Pasi të merret ky vendim, cilido qoftë ai, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë, për ta ndihmuar atë në çdo aspekt.”- tha ai.

Kjo është bërë e ditur gjatë ditës së dytë të Konferencës për Sinkronizimin dhe Transformimin që është mbledhja vjetore e specialistëve të edukimit, trajnimit, praktikës dhe vlerësimit nga komandat, vendet anëtare dhe partnere të NATO-s, institucione partnere dhe trajnimi të NATO-s, për të diskutuar zhvillimet më të reja përtej spektrit të trajnimit të Aleancës.

Në ditën e dytë të këtij aktiviteti mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneralmajor Jeronim Bazo, i cili përshëndeti pjesëmarrësit në këtë konferencë.
Më pas u zhvillua një konferencë për shtyp e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Dedë Prenga, shefi i Shtabit i Komandës së Aleancës për Transformimin (ACT) gjeneral me tre yje i Forcës Ajrore Graham Stacey dhe zëvendësshefi Shtabit ACT i Forcave të Bashkuara të Trajnimit, kundëradmiral Javier Gonzalez-Huix i Forcës Detare spanjolle.

Dëshiroj të theksoj sesa mirënjohës jemi për mbajtjen e kësaj konference në Shqipëri. Falenderoj Shqipërinë për një organizim kaq të suksesshëm të kësaj konference, e cila është konferenca jonë e gjashtë, por e para që mbahet në Shqipëri.”- tha nga ana e tij kundëradmirali i Forcës Detare spanjolle Javier Gonzalez-Huix.

Gjeneral brigade Prenga e konsideroi këtë konferencë si aktivitetin më të rëndësishëm në lidhje më trajnimin dhe edukimin e ushtarakëve. Gjeneral brigade Prenga në emër të FA-ve shqiptare u shpreh se “jemi shumë të privilegjuar dhe vlerësuar që vendi ynë është mikpritës i një aktiviteti kaq të rëndësishëm.”

Dy ushtarakët e lartë të NATO-s vlerësuan mikpritjen dhe organizimin e kësaj konference nga vendi ynë. “Është kënaqësi dhe gjithashtu privilegj që jemi të gjithë këtu dhe me vend pritës Shqipërinë, e cila ka organizuar ngjarje dhe ngjarje shumë të rëndësishme dhe shumë të suksesshme.”- tha gjenerali me tre yje Graham Stacey.

Formati i Konferencës për Sinkronizimin dhe Transformimin 2016 është adaptuar në mënyrë të tillë që të përfshijë më shumë pjesëmarrës me rol kyç në edukim dhe trajnim, me qëllim kryesor arritjen e një sinkronizimi më të mirë. Ky aktivitet është projektuar për të bashkuar njerëzit e duhur dhe për të diskutuar mbi çështje lidhur me edukimin, trajnimin, praktikën dhe vlerësimin e NATO-s.

Konferenca e treditore e NATO-s për Sinkronizimin dhe Transformimin, e cila po zhvillohet në ambientet e Hotel Tirana International, i mbyll punimet ditën e nesërme më 3 mars.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)