Kodi e ligji antimafia, debatet e
diskutimet tek Ligjet në Kuvend

Kodi e ligji antimafia, debatet e<br />diskutimet tek Ligjet në Kuvend
TIRANE-  Ka nisur mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, ku po diskutohet projekt-ligji për Kodin e Procedurës Penale. Të pranishëm në këtë mbledhje në ndryshim nga dje, janë përfaqësues nga EURALIUS, OPDAT dhe OSCE.

Kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafa ka bërë të ditur se, ndryshimet në dy projekt ligjet janë në faqen zyrtare të Kuvendit dhe kërkohet edhe mbështetja e ekspertëve dhe publikut. Duke folur në komision, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha se, sondazhet e bëra tregojnë se, korrupsioni në Shqipëri është i lartë. “Jemi njësoj si në Vietnam dhe Nepal”, ka thënë Naço.
 
Duke folur para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, Naço tha se, do të ndryshohen disa nene që lidhen me imunitetin, por njëkohësisht që jnë të nevojshme edhe ndryshime të tjera. “Paketa me ndryshimet tona nuk prek Kodin Penal, pasi ne propozojmë unifikim e praktikës Gjyqësore dhe Hetimore”, tha ministri Naço.

Duke folur për korrupsionin, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha se, videoja e Pukës tregon gjendjen se ku është katandisur gjyqësori. Ai paralajmëroi marrjen e masave të ashpra ndaj korrupsionit dhe sipas tij, me ligjin Antimafia do ti sekuestrohet pasuria kujdo që e ka vënë me të padrejtë.

Sipas tij, nëse korrupsioni do të hetohet nga Krimet e Rënda, do të japë rezultate më të mira dhe konkrete. “Siç luftojmë banda dhe organizatat kriminale, duhet të luftojmë edhe korrupsionin”, tha ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Gjithashtu, ministri ka bërë të ditur edhe shifrat e të dënuarve për korrupsion në vitet e fundit. Në 2008 janë 40 persona të dënuar, në 2009, 36, në 2012, 38, në 2011, 72 persona të dënuar, tha Naço.

Pas tij, e ka marrë fjalën deputetja Ermonela Feja, e cila tha se, mazhoranca ka rastin për t’ju kundërvënë korrupsionit. Sipas saj në Kodin e Procedurës Penale do të ndryshohen 3 dispozita.  

“Janë 21 vepra penale që do ti shtohen Krimeve të Rënda me këto ndryshime. Korrupsioni aktiv dhe pasiv, shkeljet në tendera, aferat e gjyqtarëve etj do ti kalojnë tek Krimet e Rënda”, tha deputetja Felaj.

Ndryshimet që janë propozuar në dy projektligje që pritet të diskutohen sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me Kodin e Procedurës Penale si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, kanë sjellë një reagim kritikues të SHBA ndaj qeverisë tonë.

Bëhet fjalë për dy nisma që janë propozuar nga Ministria e Drejtësisë, ku sipas një letre që i është dërguan Komisionit të Ligjeve nga Ambasada Amerikane në Tiranë shprehen kritikat që këto dy nisma nuk janë konsultuar me OPDAT, misioni amerikan që asiston palën shqiptare në fushën e drejtësisë penale.

Gjatë diskutimeve nuk kanë munguar dhe replikat midis kreut të komisionit Fatmir Xhafa dhe deputetit të opozitës Oert Bylykbashi.
 
Bylykbashi: Dje erdhi projekt ligji, do e shqyrtojmë
Xhafa: Ne ndryshe nga çkeni bërë ju të PD, ju kemi ftuar të jeni bashkë relator. Ju su përgjigjet.
Halimi: Për ligjet me 3 të 5, ka patur dy relatorë. Të opozitës e mazhorancës. Ju nuk vinit në komision jo se ne nuk ju jepnim për bashkë relator.
Xhafa: Dje nuk kërkuat të keni bashkërelator.
Fino: Nuk do i dëgjojmë të gjitha për procedurë
Xhafa: Bylykbash, mos bëj si një fëmijë i pabindur.
Islami: Po ka hapësirë te mos ndahemi në luftën ndaj korrupsionit, të ketë 2 bashkërelatorë. Ja gabuam dje, e kërkojmë sot.
Bylykbashi: Dje e morëm vesh që ambasada e SHBA, ka sjellë një shkresë që më 26 nëntor që e dërrmon këtë iniciativë të qeverisë. Nuk ka pasur diskutim publik me partnerët, ambasadori i OSBE, thotë në shkresën e tij se këto ndryshime janë një hap pas për luftën ndaj korrupsionit.
Xhafa: Për letrën e OPDAT, i është dërguar kryetarit të Komisionit, Ministrit të Drejtësisë, ku kërkohet kontributi i tyre në këto ndryshime. Për materialin e OSBE, uk kam akoma asnjë dokument.
Vasili: Ta marim seriozisht këtë punë, të gjitha vërejtjet do të dëgjohen. Të mbarojmë pyetjet, e pastaj në seancën tjetër ti japim fund.
Braho: Ti japim mundësi opozitës që të kenë relator
Naço: Në këtë projekt-ligj janë ndryshuar vetëm 3 nene, mazhoranca e djeshme nuk ka pasur vullnet për të luftuar korrupsionin.
Bylykbashi: Ju nuk jeni konsultuar me partnerët. Keni bërë analizë për korrupsionin apo keni parë vetëm “Fiksin” në televizion.  
 
Ndërsa debatit për përfshirjen e argumentave të zyrës së misionit Opdat nga departamenti i drejtësisë në ambasadën së SHBA-së dhe përfaqësisë së OSBE-së. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ndër të tjera, me këto ndryshime synohet të konsiderohet korrupsioni, si një krim i rëndë.


LETRA E SHBA PER DY LIGJET
“Në letrën e SHBA, thuhet se, “OPDAT-i e vlerëson shumë mundësinë për dialog të vazhdueshëm me ju, veçanërisht në perpjekjet e Shqipërisë në fushën e reformave në sistemin e drejtësisë. Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshem e te fuqishëm që misioni OPDAT i Departamentit të Drejtësisë se ka patur përgjatë shumë vitesh me Komisionin për çështjet Ligjore, ne i mbështesim përpjekjet tuaja, ofrojmë komentet e sugjerimet tona për projekt-ligjet e titulluara, “Për disa shtesa e ndryshime në Ligjin nr. 5 datë 21.3.1995, 'Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë', i ndryshuar" dhe “Për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr. L 0192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen krimit të organizëir dhe tratikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.

Ne do të kishim preferuar që këto ndryshime të ishin diskutuar në grupi punës dhe dhe jo në mënyrë të ndarë, por si pjesë e reformës së përgjithshme në KPP. Ne nuk besojmë se ndryshimet pjesë- pjesë të KPP-së ndihmojnë në efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale”, thuhet në letrën drejtuar Kuvendit. Ambasada e SHBA-së, thotë se, nxit Kuvendin që të marrë kohën e nevojshme për të vlerësuar, komentet dhe propozimet e të gjithë institucioneve që punojnë në fushën e të drejtës penale.

“Prokurorët dhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda duhet të kenë pavarësinë, mbështetjen dhe logjistikën që nevojiten për të bërë çështje të suksesshme kundër grupeve të krimit të organizuar. Ata do të kenë gjithmonë më pak çështje se prokurorët e tjerë, por rëndësia dhe shtrirja e ketyre çështjeve do ta justifikojnë më së miri ekzistencën e tyre. Në të njëjtën menyre, prokurorët e NjPH-ve duhet të kenë pavarësinë, financimin dhe mbështetjen logjistike për të luftuar korrupsionin në të gjithë territorin e vendit”, theksohet në letër.

Hetimet
Sipas OPDAT, centralizmi i hetimeve për rastet e korrupsionit, mund të sjellë gjithashtu rritjen e mundësive për kontroll politik ndaj vendimarrjes së Prokurorisë. Duke u ndalur tek heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë vihet në dukje se dispozitat e propozuara nuk parashikojnë procedurat që u nevojiten Prokurorëve për të kërkuar në mënyrë të efektshme autorizimin për arrestimin dhe kontrollin e zyrtarëve të lartë.

Paketa e qeverisë për ligjin antimafia dhe Kodin e Procedurës Penale
Qeveria ka çuar në Kuvend paketën anti-korrupsion me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që t’i hapet rruga krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, ndër të tjera, synon ta konsiderojë korrupsionin, ndër krimet e rënda në vendin tonë dhe që duhet të gjykohet nga një gjykatë e specializuar dhe të hetohet nga një prokurori e specializuar.
 
Paloka: Amerika tha se qeveria s`është konsultuar
Xhafaj: Çështje e Ministrisë së Drejtësisë 
 
Bylykbashi: Një nga elementët thelbësorë që ngrihet nga ekspertët e Ambasadës Amerikane që është që këto dy projektligje nuk janë konsultuar me ta, nuk janë konsultuar as me organet të cilët janë të përfshira drejtpërdrejt dhe janë të interesuara jo vetëm në fazën e hartimit, pro edhe të zbatimit. Por as me ekspertët e huaj. Unë gjykoj që këto dy projektligje as nuk duhet të vinin pa u kryer më parë këto konsulta dhe për rrjedhojë nuk duhet të ishin as për shqyrtim.
Xhafaj: Ne nuk mund të bëjmë projektligje pa kaluar në komision edhe sikur të kemi vullnetin të gjithë bashkë. Së dyti i takon ministrit të Drejtësisë nëse e ka bërë këtë proces konsultimi. Sa na takon ne, ne kemi për detyrë që të fillojmë procesin konformë rregullores, gjë që është parashikuar në kalendar. Javën e ardhshme do të jetë seancë dëgjimore në komision dhe natyrisht do të ftohen sipas kalendarit, konformë rregullores edhe grupe interesi, edhe organizmat ndërkombëtare të interesuara që kanë shprehur ose mund të shprehin interesin në interes të çështjes që do të niset ditën e sotme.

Paloka: Unë jam dakord me ju që Komisioni ka detyrat e tij dhe nuk interferohet. Por ajo që ne vëmë në dukje dhe nga informacioni që kam unë nga leximi i asaj letre është që amerikanët kanë thënë që ky ligj nuk duhet të kalonte as në qeveri. Thjesht për të sqaruar anëtarët e komisionit. Amerikanët kanë thënë që ky ligj nuk duhet të hynte as në qeveri. Meqë kjo qeveri ka vendosur ti thotë vetëm jo amerikanëve, kjo është çështje e kësaj qeverie.
Fino: E kush flet o derbardhë
Xhafaj: Duke i çmuar dhe i vlerësuar ndjenjat edhe respektin pro amerikan të spikatur të njohur të opozitës ne do të vazhdojmë me procedurën dhe nesër keni të drejtë ti bëni pyetje ministrit.
Bylykbashi: Neni 68 përcakton se kur shihet se s’ka përputhje me legjislacionin ekzistues, kryetari i kuvendit mund ta kthejë nismëtarit projektligjin. Duke qenë se del qartë mungesa totale e konsultimit me ekspertët e ambasadës amerikane, të BE-së dhe të OSBE-së, ju duhet t’i sugjeronit kryetarit të Kuvendit që ta ktheni mbrapsht.

faksimile shba

Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë