Kodi i etikës – rregullatori i
 munguar i mediave shqiptare

Kodi i etikës – rregullatori i<br /> munguar i mediave shqiptare
“Kodi etikës ka aq efekt te gazetarët sa edhe urdhri i oficerit te ushtarët një ditë para lirimit të tyre nga shërbimi ushtarak.” – Kjo thënie cinike të images (3)vjen ndërmend sa herë që flitet për kodin e etikës dhe efektet e tij në punën e gazetarëve.
Kodi i etikës në Shqipëri ka një histori 15-vjeçare. Në vitet e para pas ’90-s, lektorë dhe trajnerë perëndimorë vinin në Tiranë dhe flisnin për etikën e Nju Jork Times, dhe të gazetave të tjera perëndimore. Në disa seminare dhe work shop-e, gazetarët kishin mundësi të lexonin në shqip, kodin e etikës, nevojën e ndarjes së lajmit nga opinioni, ndarjen e sektorit të reklamës nga sektori lajmeve, objektivitetin, paanësinë etj. etj.

Por seminaret shkonin e vinin dhe kodi i etikës nuk gjeti vend në tryezat e gazetarëve dhe redaktorëve.
Në fund të vitit 1996 nis përpjekja e parë për të pasur një kod “made in Albania”! Me ndihmën e Institutit të Medias, kryeredaktorë dhe botues gazetash hartuan dhe miratuan kodin etik të gazetarëve shqiptarë. Neni 1 i të cilit nënvizonte nevojën e respektimit të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe shmangien sa më shumë të ishte e mundur e përdorimit të fjalëve në gjuhë të huaj.
Më 1996, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon ku gazetarët kishin një kod etike. Por “zbatimi” praktik i kodit të etikës u pa një vit më pas me ngjarjet e vitit 1997! Vendi në prag të anarkisë dhe gazetat kryesore të ndara më dysh në përkrahje të qeverisë dhe opozitës! Kodi i parë etik nuk kishte parasysh televizionet, sepse në atë kohë “violinë e parë” ishin gazetat dhe ekrani përfaqësohej vetëm nga Televizioni Publik Shqiptar.
10 vite më pas, sërish Instituti i Medias, pas një procesi të gjatë konsultimi me aktorët e medias, harton Kodin e Etikës, këtë radhë duke marrë parasysh edhe zhvillimet e vrullshme në median elektronike! (për t’u shënuar është se gazeta ‘Shekulli’, që në themelimin e saj [1998] kishte hartuar kodin e brendshëm etik dhe për disa vite funksiononte edhe zyra e etikës).
Projekt-kodi u hartua duke pasur për bazë 46 kodet etike të gazetarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Gjatë diskutimeve me gazetarë, redaktorë, drejtues mediash dhe publikun kodi mori formën përfundimtare – atë që kemi sot. Kodi etik i gjithëpranuar në fazën e konsultimit dhe miratimit, nuk ka mundur të zërë vend në punën e përditshme të reporterëve.
Me zhvillimin e platformave on line, problemet dhe debatet për etikën janë shtuar. Kufiri mes “prodhuesve” të lajmit dhe konsumatorëve të tij është shuar. Fenomeni i osmozës mes gazetarëve dhe konsumatorëve është gjithnjë e më i pranishëm dhe pyetja “kush është gazetar sot?” – nuk merr dot përgjigje të shpejtë dhe të lehtë.
Pse nuk mundi të zërë rrënjë kodi i etikës në truallin e medias shqiptare?
Përgjigjen (jo shteruese) do të përpiqem ta jap me tri histori nga diskutimet në redaksitë e gazetave për kodin etik (botim i vitit 2006).
Në përfundim të seminarit treditor me një nga gazetat më të mëdha në vend, – duke menduar se gjithçka kishte shkuar më së miri gjatë debateve për kodin e ri, në momentin e daljes nga dera e redaksisë, një reporter i ri mërmëriti: “mirë shumë me kodin, por si i bëhet që u bënë tre muaj pa marrë rrogat…”. Kushtet e punës dhe niveli i pagës është një prej faktorëve që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Sigurisht që nuk ka asnjë garanci se një pagë shumë e lartë do ta bëjë reporterin/redaktorin shumë më etik – por gjithsesi është një faktor që nuk mund të neglizhohet. Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, kur gazetarët punojnë pa kontrata pune – gjëja e fundit që u shkon në mendje është kodi etikës! Madje druaj se u tingëllon si tallje.
Koha e diskutimit të kodit të etikës nëpër disa redaksi televizionesh përkoi me një ngjarje të rëndë në Tiranë, ku 17 persona humbën jetën në liqenin e Lundrës, përfshi gra dhe fëmijë. Shumica e stacioneve televizive (sidomos kanalet me 24 orë lajme) u vunë në garë për të qenë “live” gjatë gjithë kohës me gjithfarë lloj detajesh. Atë ditë dukej sikur kryeqyteti ishte me neurozë.
A duhet që televizioni të ishte “live” gjatë gjithë kohës me këtë ngjarje? A kishte vërtet lëndë për të raportuar “live” gjithë ditën? – Përgjigjja e redaktorëve në të tre televizionet ishte: jo. Por vendimi ishte marrë për po… për shkak se “televizioni tjetër” (konkurrenti) ishte live dhe do të dukej sikur ne nuk i kishim mundësitë për të qenë “live”.
Konkurrenca mes operatorëve mediatikë është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Me një skenë mediatike të “mbipopulluar”, ku ka mbi 20 gazeta të përditshme, mbi 60 stacione televizive dhe po aq stacione radio, – thepi i etikës gjithmonë do të jetë i ulur. Një kryeredaktor gazete është nën presionin e shitjes së gazetës. Në momentin e faqosjes së faqes së parë, gjëja e fundit që do t’i bjerë ndërmend është “kodi etikës”! Presioni i tregut sa vjen dhe rritet. A ka logjikë tregu që të jenë kaq shumë të përditshme në treg sot, aq më tepër kur e ardhmja e gazetës nuk shihet më në letër, por në platforma të tjera? Pyetja është retorike. Përgjigjja është jo! Nga numri i lartë i të përditshmeve që në fillim të viteve 2000 pritej që “vdekshmëria foshnjore” mes gazetave të ishte shumë e lartë. Nuk ndodhi kështu. Pak gazeta falimentuan, por si për të sfiduar shenjat ogurzeza të së ardhmes së gazetës, gazetat e falimentuara u zëvendësuan me tituj të rinj. Nëse sot revista e njohur Newsweek nuk shtypet më në letër, por është vetëm në formatin dixhital, nëse Financial Times në Gjermani mbyllet sepse është me humbje… si është e mundur që gjunjët e gazetave shqiptare rezultojnë më të forta, për më tepër dalin gazeta të reja?! Përgjigjja shteruese merr kohë dhe vend, por nëse shikohet sa gazetarë punojnë në gazetë kupton se më shumë se reporterë për të mbledhur, përpunuar informacion, gazetarët i ngjajnë punonjësve të ngarkim shkarkimit që duhet të mbushin faqe çdo ditë. Pyetja është: sa faqe ke për të bërë sot? Është luks i pashijuar për shumicën e reporterëve, të kenë dy apo tri ditë kohë për të bërë një artikull të mirë.
Ka një lidhje të fortë mes profesionalizmit dhe etikës. Sa më profesional gazetari/redaktori aq më etik është. Por stafi i gazetave është shumë i vogël dhe nën efektin e presionit ekonomik, prirja është që gazetat të përfundojnë me 4-5 njerëz! Gazetarët nuk kanë kohë për të bërë gazetari, nuk kanë kushte dhe është shumë e vështirë të flasësh për etikën e profesionit në një terren që nuk nxit zhvillimin e profesionit. Tek e fundit reporterët e rinj do të kërkojnë aq etikë sa është tradita etike që do të gjejnë në redaksi.
Kodi i etikës i botuar më 2006-ën nuk ka marrë parasysh median on line, ku problemet etike janë edhe më të mprehta se në median tradicionale.
Një komentator i njohur politik vendosi të mos bashkëpunojë më me një të përditshme për shkak të gjuhës denigruese (pa lidhje me artikullin), fyerjeve, sharjeve e shpifjeve të komentuesve anonimë në faqen on line të gazetës!
Pse duhen lejuar komente fyese? A nuk është më mirë të mos botohen fare komentet që nuk kanë lidhje me temën e shkruar? – Po, – ishte përgjigjja e një redaktori të njohur, por nuk i fshijmë se u tregojmë atyre që janë të interesuar për reklamë se gazeta lexohet dhe komentohet shumë on line. Pak më vonë e njëjta gazetë nisi të fshijë komentet, por për të mos humbur numrin e komentuesve në çdo koment të fshirë vinte rreshtin: koment i fshirë për arsye etike.
“Një gazetari e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës”- ky postulat është gjithmonë i vlefshëm, por ende në Shqipëri nuk ka të regjistruar një rast në gjykatë ndaj një mediaje për “fyerjet, shpifjet, denigrimet on line”. Duket se redaktorët e gazetave nuk e konsiderojnë veten përgjegjës për produktin e tyre on line. Etika on line është një terren i pashkelur, por më shumë problematik sesa etika në media tradicionale.
Si është e ardhmja e kodit të etikës? Po kaq e pasigurt sa vetë e ardhmja e medias tradicionale. Etika nuk është një detyrim ligjor, as detyrë shtëpie për t’u kryer, është një “detyrë” e brendshme e medias.
Përvoja e mediave më të mira ka treguar se në biznesin e medias, “besueshmëria” është monedha kryesore. Për ta pasur këtë “monedhë”, rruga kalon nga kodi etikës. E vetmja rrugë që të rrit besueshmërinë te lexuesi, shikuesi, përdoruesi!


*Botuar fillimisht në revistën on line Medi@Link të Institutit Shqiptar të Medias.
* Marrë nga MAPO


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar