“Është një ditë e shënuar për marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, doganave shqiptare dhe importuesve dhe eksportuesve. Shënon ndërmarrjen e një hapi të madh të përbashkët e të shumëpritur në drejtim të rritjes së sigurisë për eksportuesit dhe importuesit, në drejtim të futjes së inovacionit në funksion të luftës ndaj burokracisë dhe korrupsionit. Doganat shqiptare janë në një fazë transformimi rrënjësor. Për të bërë ndryshim nga një epokë boshllëku të madh në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, në një epokë me një qasje të re ndaj biznesit. Më parë biznesi është parë si burim të ardhurash për t’u nxjerrë me hir e pahir, në një epokë ku biznesi trajtohet si partner strategjik në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Tashmë dogana dhe tatimet janë krahët më të cilët shteti iu shërben njerëzve të biznesit.
Ky kod është njehsimi i kodit doganor shqiptar me kodin europian. Ky transformim kërkon një seri masash dhe politikash të reja, dhe mne 1 janar të vitit të ardhshëm të bëhet e mundur që marrëdhënia e re të doganave dhe biznesit të ndërtohet në këtë formë”, u shpreh kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë tha se punonjësit e doganave dhe të gjitha drejtorive përkatëse do të trajnohen për të realizuar në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase punën e tyre. Ndërkaq, kryeministri theksoi se në themel të Kodit të ri Doganor është shërbimi ndaj qytetarit dhe biznesit.
“Do të përgatitet administrata e doganave të Shqipërisë për të përballuar sfidat që sjell ky kod i ri që në themel ka lehtësimin e skajshëm të të gjitha procedurave, dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Në themel të kodit shërbimi ndaj biznesit. Nuk kanë munguar ligjet tek ne, por vullneti për aplikim. Me këtë kod për ne sfida nuk është vullneti, pasi këtë e kemi, por kërkohet aftësimi i punonjësve në dogana në nivel europian. Që të punojnë me standarde evropiane. Për këtë nevojitet një proces trajnimi”, tha Rama.
ORA 12:30 TRANSPORTUESIT NGRENË SHQETËSIME. SPIROPALI: KODI HYN NË FUQI NË 1 JANAR 2015
Nga Shoqata e Transportit u ngritën shqetësime lidhur me problematikat që ata hasin në punën e tyre të përditshme. Transportuesit kërkuan rishikim të tarifave dhe procedurave burokratike.
“Na e zgjidhni tani problemin, jo në janar, ne vdesim deri në janar”, tha një transportues.
“Ne po punojmë për të njehsuar kostot. Po shohim mundësinë për rishikimin e kontratave. Ne nuk mund të ndryshojmë. Në 1 janar kodi është parashikuar të hyjë në fuqi, dhe të implementohet.
Ndërkaq nuk kanë munguar as batutat e kryeministrit Rama me transportuesit.
“Sa fëmijë keni, i keni bërë një nga një apo të tre me radhë. Keni të drejtë për kërkesat tuaja, por na jepni 9 muaj për t’i realizuar. Do t’i bëjmë të tre në të njëjtën kohë. Por duhet koha e nevojshme”, tha kryeministri Rama.
ORA 11:40 KODI I RI DOGANOR, SPIROPALI: LEHTËSON RAPORTET DOGANË-BIZNES
Sipas drejtores së Përgjithshme të Doganave Elisa Spiropali, ky Kod lehtëson raportet doganë-biznes, si dhe afron administratën doganore shqiptare me standardet e Bashkimit Europian.
“Me kodin e ri të doganave kursehet kohë dhe para”, tha Spiropali.
Më tej drejtoresha e Doganave tha se me këtë projekt synohet modernizim i sistemit të doganave dhe mbrojtjen e vendit nga tregtia e paligjshme.
Sipas drejtoreshës, Spiropali kodi i ri është përpiluar në bazë të praktikave Europiane. ‘Kodi i ri ka një set risish që lehtësojnë marrëdhënien mes doganës dhe biznesit. Mbrohen interesat e financuesve të Shqipërisë nga tregtia e paligjshme duke mbështetur në këtë mënyrë biznesin e ligjshëm”, tha ajo.