Kodi i Sjelljes/Deputeti: Çfarë
të ​bëj me dhuratat e sheikëve?

Kodi i Sjelljes/Deputeti: Çfarë<br />të ​bëj me dhuratat e sheikëve?<br>
Kodi i Sjelljes së deputetëve shqiptarë, i cili pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, falë presionit të fortë të ndërkombëtarëve, ka trazuar Parlamentin. Deputetët, sidomos përfaqësuesit e Partisë Demokratike, nuk e kanë mirëpritur një ndër parashikimet e Kodit të ri Etik, i cili ndalon ligjvënësin që të pranojë dhurata ose trajtime preferenciale, për shkak të pozicionit të tij. Shqiptarja.com zbardh debatet mes deputetëve të dy kampeve politike në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të datës 17 tetor, për çështjen e ndalimit të marrjes së dhuratave.

Deputeti demokrat, Myslim Murrizi e konsideron arbitrar nenin për kufizimin dhe ndalimin e dhuratave që bëhen në bazë të pozicionit si ligjvënës. Deputeti shton pyetjen se çfarë duhet bërë me dhuratat që mund t’u ofrohen deputetëve nga sheikët nga Dubai apo nga Kuvajti.

“Më jep një sheik nga Kuvajti, çfarë do të themi, se bëhemi hipokritë... Si mund ta ndash ti njohjen për shkak të punës? Ne të gjithë për shkak të punës i njohim ata, se jashtë punës njohim vetëm ata që ftojmë nëpër dasma, çfarë na ka bërë fisi, nëna e baba. Të mos bëhemi hipokritë! Të gjithë të tjerët i njohim, se jemi marrë me një aktivitet publik, politik në administratë, në fakultet, në ushtri, se nga i njohim ata?! Tani unë kam një njohje me një djalë që rri në Angli dhe më thotë: “Unë kam qejf të të jap 1 milion euro”, çfarë të bëj t’i marr apo jo, se unë e njoh atë jashtë politikës?

Keni edhe një tjetër atje, nga OSBE-ja, se këta na dinë se jemi në shekullin I, ku thuhet: “Pranohet peshqesh sipas traktatit që ka shteti”. Kjo do të thotë, po m’i dhanë ata të Dubait, unë mund t’i marr 20-30 milionë euro, po m’i dhanë këta të Bosnjës, është deri në 2 mijë euro! Si i bie?”, shprehet Murrizi.

Deputetët marrin dhuratat në shpi
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, ka pohuar se deputetët operojnë me dy standarde në raport me dhuratat. Zonja Hysi thotë se deputetët bëjnë dhurata me paratë e Kuvendit, ndërsa kur marrin dhurata, ato i çojnë në shtëpi. Deputetja Hysi thotë se duhet të ketë një regjistër dhe procedurë për çështjen e dhuratave. “Ne jemi deputetë që lëvizim, presim dhe përcjellim delegacione, marrim edhe pjesë në to. Lidhur me dhuratat ka rregulla sesa lejohet dhurata, por mënyrë sesi administrohen dhuratat nuk ka këtu. A e quani të gabuar që të ketë një regjistër nga administrata e Kuvendit, të ketë një procedurë sesi administrohen dhuratat? Ne kur ikim jashtë, i marrim dhuratat me paratë e Kuvendit të Shqipërisë, por kur ikin deputetët, dhuratat që vijnë në emër të... I marrin me vete në shtëpi dhe i boshatisin zyrat. Pra, ka një rregull. Duhet të ketë një rregull lidhur me dhuratat”, është shprehur Hysi. 

Debatet në Këshillit për Rregulloren për Kodin Etik

Gramoz Ruçi: Atëherë, hapim mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Rendi i ditës është “Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”. Siç jeni në dijeni, projekt-kodi që kemi përpara është depozituar nga një grup deputetësh dhe është menduar që të jetë aneks i Rregullores.

Sipas nenit 13 të Rregullores, organ përgjegjës për shqyrtimin e tij është ky këshill. Sigurisht që, përsëri sipas nenit 117 të Rregullores, edhe për raste të tilla, siç janë vendimet apo ndryshimet në Rregullore, ndiqet e njëjta procedurë e parashikuar për paraqitjen dhe shqyrtimin e projektligjeve.

Është në programin e Kuvendit për shqyrtim, kështu që, thirra këtë mbledhje të këshillit për të diskutuar rreth kësaj nisme dhe këtij projektvendimi, me qëllimin që edhe Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet të kryej funksionet e tij në funksion të përgatitjes për diskutime dhe miratim në seancën plenare. Dua të sjell në vëmendjen e kolegëve deputetë që kjo ka kohë që është depozituar me asistencë të OSBE-së, të Këshillit të Evropës. Në të gjitha kontaktet që unë kam pasur me ndërkombëtarët, kjo ka qenë një nga pikat e listuara si detyrim i pakryer i Kuvendit të Shqipërisë.

Mimoza Pano: Sikurse u paraqit, kjo nismë është hartuar dhe paraqitur nga administrata e Kuvendit në vitin 2014. Në kuadër të projektit të bashkëpunimit me OSBE-në, na janë rekomanduar eksperiencat e vendeve të tjera, dhe ne, duke bërë përshtatjen e eksperiencave të vendeve të tjera me legjislacionin e vendit tonë, jemi përpjekur dhe kemi arritur në përfundimin për të paraqitur këtë nismë, e cila nuk është në kundërshtim me legjislacionin që ka statusi i deputetit lidhur me rregullat e sjelljes dhe papajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit të tij.

Qëllimi bazë i tij është që këto rregulla të jenë në një dokument të vetëm edhe për arsye, sepse kjo ka qenë një kërkesë që Kuvendi i Shqipërisë të ketë një Kod Sjelljeje. Çdo gjë është e shkruar aty. Kuptohet që nuk mund të përsërisnim legjislacionin në fuqi, i cili është i detyrueshëm dhe që ju e zbatoni.

Eduard Halimi: Miratimi i Kodit të Sjelljes do të mirëpritej, absolutisht, nëse në radhë të parë do të adresonte qartë dukuritë e mësipërme që përfshin parlamenti shqiptar, do të paraqiste një tërësi normash të reja ligjore, që parlamenti, para së gjithash, të pastrohej, duke kaluar në karantinën e verifikimit dhe eliminimit të plotë të fenomeneve të mësipërme, të parandalonte përsëritjen e këtyre dukurive në të ardhmen, (dukurive që citova më sipër) me qëllim që deputetët të mos jenë suportues apo të suportuar nga krimi dhe nga bandat kriminale, që deputetët të mos marrin tenderë apo koncesione vetë personalisht, por edhe nëpërmjet familjarëve të tyre, si dhe të garantonte funksionimin normal si një parlament perëndimor.

Është e vërtetë që miratimi i Kodit të Sjelljes është tendencë në pothuajse shumicën e parlamenteve të Evropës, ku numërohen rreth 25 vende anëtare të OECD-së që e kanë miratuar një kod të tillë. Por ama, unë nuk gjej në ato 25 vende anëtare dhe 25 parlamente dukuri të ngjashme me ato që përshkruhet parlamenti shqiptar.

Ndaj, para se të merremi me çështje stilistike të Rregullores së parlamentit apo stilit të veshjeve dhe sjelljeve, duhet të merremi me zhveshjen e parlamentit nga fenomenet e rënda të lidhjes të tij me krimin e organizuar. Cilat do të ishin zgjidhjet? Këto ishin një sërë kritikash në aspektin teknik dhe legjislativ, të cilat donin zgjidhje. Zgjidhjet për ne do të ishin parashikimet e qarta, të strukturuara me koncepte të qëndrueshme, bazuar në standarde kushtetuese dhe në mekanizma efektive që do të bënin të mundur pastrimin e plotë të parlamentit aktual nga:

1. Deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, siç thotë OSBE-ja në faqen 11 dhe 13;

2. Deputetë, që janë suportuar në fushatën elektorale nga bota e errët e krimit, persona me të shkuar kriminale.

3. Deputetë, që kanë përdorur fonde, para të krimit të organizuar;

4. Deputetët, që kanë lidhje familjare me krimin e organizuar.

Vasilika Hysi: Në fakt unë nuk arrij ta kuptoj qëndrimin e opozitës lidhur me projektvendimin “Për miratimin e kodit të sjelljes së deputetëve” nëse duhet apo jo. Nga njëra anë thuhet që ka një që ka një tërësi ligjesh, që rregullojnë statusin e deputetit, deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesave, kemi edhe Rregulloren e Kuvendit nga ana tjetër. Ne jemi deputetë që lëvizim, presim dhe përcjellim delegacione, marrim edhe pjesë në to. Lidhur me dhuratat ka rregulla sesa lejohet dhurata, por mënyrë sesi administrohen dhuratat nuk ka këtu.

A e quani të gabuar që të ketë një regjistër nga administrata e Kuvendit, të ketë një procedurë sesi administrohen dhuratat? Ne kur ikim jashtë, i marrim dhuratat me paratë e Kuvendit të Shqipërisë, por kur ikin deputetët, dhuratat që vijnë në emër të... I marrin me vete në shtëpi dhe i boshatisin zyrat. Pra, ka një rregull. Duhet të ketë një rregull lidhur me dhuratat. E treta, ne flasim këtu për konfliktin e interesit.

Zonja Çupi, sa herë kemi diskutuar ne këtu që deputetët votojnë hapur në konflikt interesi dhe nuk kanë deklaruar konfliktin e interesit? Çfarë themi në kod? Ne kemi thënë që administrata, sekretari i Përgjithshëm, Kryetari i Kuvendit përgatitin një formular... Autorizon organet përkatëse, siç është, për shembull, Drejtoria e Trajtimit të Deputetëve, për një formular, ku secili deputet deklaron konfliktin e interesit. Nëse vjen një ligj dhe nga ai përfiton fëmija, vëllai, babai, burri duhet të themi se me këtë ligj përfitojnë familjarët e mi dhe kjo duhet thënë dhe ne e kemi në Kodin e Sjelljes.

Kjo është. Gjithashtu, është kërkuar që Kuvendi të jetë transparent për të gjitha shpenzimet që bën. A ka ndonjë gjë të keqe që Kryetari i Kuvendit të autorizojë që në faqen e Kuvendit të publikohen shpenzimet që bëhen për deputetët? Nuk ka.

Nasip Naço: Sigurisht, edhe nga diskutimi i Vasilikës unë jam i bindur se duhet të kemi një kod sjelljeje. Po të lexohet relacioni e kupton më së miri, por kur e shikon pastaj sipas neneve nuk kupton asgjë, sepse kemi përsëritje. Pra, ne kemi Rregulloren e Kuvendit ku ka disa nene që përsëriten; lexon relacionin, thotë se do të luftojë korrupsionin. Tani, nuk shikoj ndonjë pikë te Kodi i Etikës që do të luftojë korrupsionin. Ky është mekanizmi më i mirë. Pra, kemi disa faqe relacion, por nuk janë të përputhura në këtë Kod të Etikës.

Kemi përsëritje të legjislacionit, të Rregullores së Kuvendit, si dhe kemi terma të ndryshëm që duhen riparë. Pra, unë jam i mendimit se ky kod duhet parë edhe një herë, duhet plotësuar, pasi ka mangësi të theksuara për mua. Nga qëllimi që është nisur janë marrë shabllon disa nene të ligjeve të ndryshme apo të Rregullores së Kuvendit dhe janë vënë këtu. Nëse duam të themi se e kemi bërë kodin, hajdeni ta miratojmë sot. U themi edhe atyre në Romë që ne e bëmë Kodin e Etikës. Por besoj se ky kod ka nevojë të plotësohet edhe më shumë, të plotësohet më mirë, të merret një ekspertizë më e kualifikuar në këtë drejtim.

Gent Strazimiri: Në këtë sallë kemi qenë kur kemi debatuar fort për Koço Kokëdhimën, konflikt interesi ishte, atëherë nuk ishte, por sot kam përshtypjen se është. Kjo Byro është investuar nga kjo anë për të mbrojtur çdo gjë, që pastaj gjykata e ka hedhur poshtë, që në kohën e Beqjes, të Koço Kokëdhimës e të tjerë me radhë. I keni gjërat dhe nuk po ndodhin. Në qoftë se më thua sot se me Kodin e Sjelljes së parlamentit, shërbimet e Kuvendit do të shikojnë konfliktet e interesit mes deputetëve, ke ligje të tëra, institucione të tëra që i paguan për këtë punë dhe i mban si pashallarë atje dhe nuk ke asnjë rezultat.

Në qoftë se kjo duhet bërë për konferencën e Romës, në qoftë se kjo duhet bërë thjesht që t’i bëjmë qejfin OSBE-së, pasi ka tre vjet që e sjell nëpër duar këtë dhe ka bërë 15 nene të ndarë në katër krerë, të cilin e quan Kod, Vasilika, kjo as nga pikëpamja e teknikës legjislative nuk shkon, sepse ne jemi juristë dhe nuk mund ta kalojmë në këtë mënyrë. A na duhet një gjë që të përcaktojë standardet? Po, na duhet. A do të quhet Kodi i Sjelljeve apo Kodi i Standardeve? Cili do ta supervizionojë dhe sa seriozisht do ta marrim këtë gjë?

Të mos fshihet makina, që u është shitur trafikantëve dhe është përdorur nga trafikantët dhe mosdeklarimi i 10 mijë eurove që janë pak, pas Vasilikës, as pas tjetrit. Pra, hajdeni o burra ta bisedojmë! Kjo nuk e bën këtë punë. Ne kemi sot dhe gjithë ditën në çdo seancë problem, por ky që e quani Kod Sjellje, nuk e zgjidh as problemin e veshjes, sepse të vjen Kryeministri i veshur siç ka dalë nga rruga dhe nuk i ka bërë përshtypje askujt. Për 6 orë seancë, Kryeministri nuk tha asnjë fjalë, kurse në mëngjes, akoma me sy të fryrë sa është zgjuar nga krevati, çohet dhe sapo merr fjalën në parlament shan dhe fyen opozitën, por Kryetari i Kuvendit nuk i dëgjon këto.

Vasilika Hysi: Çfarë të keqe ka që Kuvendi, shërbimet e Financës dhe të Buxhetit të marrin informacion për dhuratat që ne marrim, sepse ligji i konfliktit të interesit ngarkon institucioni përkatës. Neni i ka të përcaktuar se cilat janë institucionet dhe me cilin institucion e kemi lidhjen. Çfarë të keqe ka që Kryetari i Kuvendit, kur një deputet kryen veprimtari parlamentare, të njoftohet për të?

Për shembull, në qoftë se unë jap mësim në universitet, e quaj më se normale që ta vë në dijeni Kryetarin e Kuvendit, që në një ditë dhe në një orë të caktuar unë do të jap mësim. A ka ndonjë gjë të keqe? Deri tani kjo metodë nuk është zbatuar, por është kërkesë e Kodit të Sjelljes dhe duhet ta zbatojmë. A ka ndonjë të keqe që të ketë një regjistër për dhuratat? Ligji thotë: “Organi epror përcakton rregullat e administrimit të dhuratave, vlerën e tyre dhe dhuratat e lejueshme dhe të palejueshme dhe këto rregullohen në mënyrë të detajuar”. Prandaj, nëse flasim, në radhë të parë, të mos etiketojmë njëri-tjetrin, sepse pastërtinë e integritetit të secilit prej nesh e dimë ne dhe ata që na kontrollojnë.

Myslim Murrizi: Së pari, kush e ka hartuar këtë, se shoh që propozuesit janë 5 deputetë? Është e zorshme për t’u thënë përsëri që ta dëgjoj unë?

Vasilika Hysi: Stafi i Kuvendit me asistencën e OSBE-së.

Myslim Murrizi: Pra, OSBE-ja. Te neni 2, pika 2, ju thoni se të gjitha ca thuhen këtu janë te ligjet e tjera të Shqipërisë. Neni 3, pika 1, është formula e betimit të deputetit. Ditën e parë e ka lexuar zoti Ruçi dhe ne kemi thënë: “Betohemi që do të jemi besnikë ndaj atdheut! Nuk do ta tradhtojmë elektoratin, do t’i shërbejmë kombit”.

Neni 1, pika 3, është te ligji “Për konfliktin e interesit”. Neni 4, pika 2, është përsëri te ligji “Për konfliktin e interesit”. Neni 6, ligji “Për deklarimin e pasurive”, ka ardhur i shkurtuar te ky Kod. Te neni 7, pika B (nuk e kuptoj, Vasilika) thuhet: “Nuk lejohet deputeti të ketë...” Çfarë? Neni 8, pika 4, ma tërhoqi shumë vëmendjen dhe për këtë e kisha më shumë pyetjen. Kush quhet personi i njohur personal që të jep dhurata? Ata që nuk u njohkan të dhënkan dhurata pse jemi deputetë dhe ne duhet t’i deklarojmë ose t’i refuzojmë! Kush është ai që nuk e njohim që na jep?!

Se ndryshe me jep edhe Bill Gate, por nuk më njeh ai mua; më jep një Sheik nga Kuvajti, çfarë do të themi, se bëhemi hipokritë... Si mund ta ndash ti njohjen për shkak të punës? Ne të gjithë për shkak të punës i njohim ata, se jashtë punës njohim vetëm ata që ftojmë nëpër dasma, çfarë na ka bërë fisi, nëna e baba. Të mos bëhemi hipokritë! Të gjithë të tjerët i njohim, se jemi marrë me një aktivitet publik, politik në administratë, në fakultet, në ushtri, se nga i njohim ata?! Tani unë kam një njohje me një djalë që rri në Angli dhe më thotë: “Unë kam qejf të të jap 1 milion euro”, çfarë të bëj t’i marr apo jo, se unë e njoh atë jashtë politikës?!

Keni edhe një tjetër atje, nga OSBE-ja, se këta na dinë se jemi në shekullin I, ku thuhet: “Pranohet peshqesh sipas traktatit që ka shteti”. Kjo do të thotë, po m’i dhanë ata të Dubait, unë mund t’i marr 20-30 milionë euro, po m’i dhanë këta të Bosnjës, është deri në 2 mijë euro! Si i bie? Pra, thuhet “sipas traktatit financiar që kanë shtetet”. Po ma dha Putini, se është i pasur ai... Luan Ramën do ta pyesim sa i dha... Edhe ai e ka të njohur, e ka shok jashtë politikës. Nuk ndikon Putini te Luani. Kështu që, në qoftë se duam ta bëjmë Kodin për t’i thënë botës që ne bëjmë si papagalli... Çfarë thoni ju?!

Duhet ta bëjmë me këmbë në tokë. Unë i shoh si shumë abstrakte këto nene. Çfarë t’u bëjmë, t’i votojmë kështu?! Detajojini para se të vini këtu, se edhe Gramozi e harxhoi kohën kot, edhe ne po ashtu. Kështu që ndajini këto, Vasilika, se kush është i njohur... Se më tha: “E kam hartuar unë”. Po të jetë ndonjë nga ata të huajt... A ka ndonjë “kinez” këtu nga OSBE-ja? Kaq kisha.

Eduard Halimi: Në përfundim të diskutimit që bënë deputetët e opozitës dhe të maxhorancës, qëndrimi ynë është se ka nevojë për një kuadër rregullash, sepse ka një boshllëk në Rregullore, që duhet të zgjidhet. Kjo tërësi rregullash, normash nuk përputhet në parim me shqetësimin që kanë disa deputetë të maxhorancës, parafolësja apo edhe të tjerët, pra mënyra se si vishet njëri apo tjetri. Gramozi vishet me kollare, Rama vishet me bluzë, për ne të vishen si të duan. Sot për ne rëndësi ka të zhvishen nga kontrata me krimin dhe nga financimi i krimit. Ky është shqetësimi ynë. 

dokument gazeta

dokument gazeta

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi