ARVIZU: E HUMBA BASTIN
“Të jem i sinqertë nuk e kisha menduar që do ta miratonin. E kuptoj Dulen, Oketën e Mediun, sepse e di që ka pasur diskutim për mekanizmin ndërkombëtar të korigjimit. Të jemi të sinqetë nuk mendoja se do votohej. Humba disa baste.”
Ai ftoi deputetët të punojnë për të votuar ligjin për heqjen e imunitetit. Duke folur për heqjen e imunitetit Arvizu tha se ka kohë të mjaftueshme për të punuar në lidhje me ligjin. Ai u shpreh se koha mes 19 korrikut- 6 gushtit është përjetësi për kohën shqiptare.
“Imuniteti duhet të hiqen, duhet shqyrtuar me kujdes, por të jemi të ndershëm, që nuk është diçka që ka ndodhur brenda natës, por e kanë diskutuar prej një vit, pra nuk është një tematikë e re. Ekspertët ndërkombëtar nga EURALIUS, kanë kontribuar në këtë proces dhe gjatë ditëve të fundit kemi zhvilluar takime intensive dhe gjatë ditëve të ardhshme duhet të ketë një debat publit dhe diskutime. Sot është 19 korrik dhe koha mes tani deri më 6 gusht në kohën shqiptare është një përjetësi dhe nuk është tematikë e re dhe nëse ka vullnet mund ta arrijnë heqjen e imunitetit."- tha Arvizu.
Adhe ambasada amerikane përshëndeti me një deklaratë miratimin e reformës zgjedhore. Por duhet vënë në dukje se deklaratës i mungonte sinqeriteti qëtregoi ambasadori Arvizu gjatë përgjigjes së pyetjeve që gazetarët i bënë jashtë parlmentit thuhet:
"Ambasada e SHBA mirëpret miratimin e legjislacionit të kodit zgjedhor dhe përgëzon frymën e kompromisit të demonstruar nga të gjitha partitë për trajtimin e rekomandimeve të OSBE dhe ODIHR. Gjithashtu njohim punën e madhe të anëtarëve të Komisionit Ad Hoc për Reformën e Kodit Zgjedhor për përmbushjen e kësaj detyre të rëndësishme. Tani parlamenti duhet ta kthejë menjëherë vëmendjen në përmbushjen e reformës parlamentare dhe punës për heqjen e imuniteteve, çka sipas të gjitha palëve përbën një pengesë madhore në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Nxisim palët që të punojnë me seriozitet për të gjetur emëruesin e përbashkët, i cili dimë që ekziston, dhe të votojnë për këtë legjislacion më 6 gusht."
BE, SEQUI: TANI HIQNI IMUNITETIN DHE REFORMA PARLAMENTARE
Ambasadori i BE-së Ettore Sequi përgëzoi miratimin e Kodit pasi puna për të arritur në këtë pikë nuk ishte e thjeshtë.Ai e vlerësoi këtë si tepër të rëndësishme për Shqipërinë. “Nga Tirana dhe Brukseli ndoqëm cdo hap e etapë të refromës zgjedhore. Ka pasur momente të vështitra, por jemi të lumtur që shohim rezultatin. Si opozita dhe mazhoranca dëshmuan gadishmëri dhe nivel të lartë kompromisi. Na duhet të përgëzojmë të dyja palët për rezultatin e sotëm. Tani merruni me heqjen e imunitetit dhe rregulloren e parlamentit.”- tha Sequi për gazetarët menjëherë pas mbarimit të seancës.
WOLLFARTH MIREPRET REFORMEN ZGJEDHORE
Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, u mirëprit sot edhe nga kryetari i OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, i cili tha se “pas një procesi gjithëpërfshirës negociatash, miratimi përbën një hap të madh për Shqipërinë drejt demokratizimit të mëtejshëm të vendit”.
Nga ana tjetër, ambasadori theksoi nevojën për vullnet të vazhduar politik “si garanci për zbatimin e plotë të legjislacionit të ri, i cili ka rëndësi të veçantë për periudhën përgatitore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013”. Duke folur edhe për çështjen e imuniteteve, Wllfarth tha se “tani duket se është koha e duhur për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hequr imunitetin që gëzojnë këta zyrtarë”.Sipas tij, nënshtrimi ndaj ligjit është i rëndësishëm për çdo zyrtarë dhe për këtë arsye “nuk duhet të ekzistojë asnjë lloj pandëshkueshmërie kur ka shkelje të tij". "Imunitetet e deputetëve dhe gjyqtarëve mbeten një pengesë madhore për hetimin e rasteve të mundshme të korrupsionit", tha ai. Wollfarth i bëri thirrje Kuvendit që ta shfrytëzojë siç duhet kohën e mbetur, duke synuar arritjen e një marrëveshjeje deri me 6 gusht.
KE: NJE LAJM I MIRE, TANI MERRUNI ME IMUNITETIN E GJYKATEN E LARTE
Edhe Komisioni Europian përshëndeti miratimin e amendimeve të Kodit Zgjedhor, në vijim të marrëveshjes ndër-partiake të arritur javën e kaluar në komisionin e posaçëm parlamentar. Stefan Fyle nëpërmjet Twitter përshëndet miratimin e reformës zgjedhore dhe e cilëson si një hap të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.
“Mirëpres lajmin e mirë nga Shqipëria në lidhje me reformën zgjedhore. Është vetëm një lajm i mirë, megjithatë i rëndësishëm drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Është mirë që konsensusi funksionon. Pas reformës zgjedhore sfida tjetër mbetet heqja e imunitetit dhe ligji për Gjykatën e Lartë.”
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga zëdhënësi i Fyle, Peter Stano
“Si maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të përgëzohen për punën e mirë të përfunduar dhe për bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë. Arritja e kësaj marrëveshje të rëndësishme përbën një hap domethënës përpara në përmbushjen e marrëveshjes politike të Nëntorit 2011 si dhe drejt arritjes së një prioriteti kyç të Opinionit. Megjithatë reforma zgjedhore nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të Opinionit, por është esenciale në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.”- thuhet në njoftimin për shtyp të përgatitur nga zëdhënësi i Stefan Fyle, Peter Stano.
Më tej BE i bën thirrje si maxhorancës qeverisëse dhe opozitës të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për priotitetet e tjera kyçe të Opinionit si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit. Reformat për drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugë së integrimit në BE. Lidhur me këtë, votimi për reformën e sistemit të imuniteteve dhe për Gjykatën e Lartë, në përputhje me standartet Evropiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.