Deputeti socialist, Koço Kokëdhima ndërsa ka vlerësuar pritjen madhështore që shqiptarët e  komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit i bënë kryeministrit Rama, vuri në dukje se ata kanë shumë nevoja dhe shumë mungesa. 

Kokëdhima shprehet se qeveria i ka të gjitha mundësitë dhe se beson se do të shtohen përkujdesja për banorët shqiptarë në këtë pjesë të Republikës së Serbisë.

Duke përmendur premtimin e qeverisë se do të ketë kuota pa limit për çdo të ri dhe të re nga Lugina që dëshiron të shkollohet në Shqipëri, Kokëdhima u bën thirrje drejtuesit e institucioneve private të arsimit të lartë, që të akordojnë kuota falas për të rinjtë dhe të rejat e Luginës së Preshevës. 

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje drejtuesve të spitaleve private në Shqipëri, që të heqin diçka nga vetja e tyre dhe në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në Luginë.

Reagimi i plotë i deputetit të PS, për vizitën e Ramës në Preshevë. 
Pritja madhështore që i bënë sot shqiptarët e komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit kryeministrit Rama tregoi se ata e kanë në zemër shtetin amë. 

Por ata kanë shumë nevoja dhe shumë mungesa. Disa prej tyre i tha kryeministri Rama, në fjalimin e tij aq të ndjerë dhe të sinqertë në shtëpinë e kulturës “Iliria”, duke theksuar se me gjithë premtimet dhe angazhimet e qeverisë së Serbisë, pakica shqiptare ende ka shumë probleme në arsimim apo mjekësi.

Qeveria jonë i ka mundësitë dhe besoj do të shtojë përkujdesjen për banorët shqiptarë në këtë pjesë të Republikës së Serbisë. Ajo premtoi se do të ketë kuota pa limit për çdo të ri dhe të re nga Lugina që dëshiron të shkollohet në Shqipëri. Dhe me marrëveshjen e re mes qeverive të Republikës së Serbisë dhe të Shqipërisë diplomat e tyre do të njihen në të dyja vendet. Unë i ftoj drejtuesit e institucioneve private të arsimit të lartë, që brenda mundësive të tyre, të akordojnë kuota falas për të rinjtë dhe të rejat e Luginës që duan të arsimohen në Shqipëri.

Qeveria jonë dha një fond modest për maternitetin e Preshevës. Por nevojat e tyre janë më të mëdha, jo vetëm që gratë shqiptare të mos udhëtojnë dhjetëra kilometra për të lindur, por edhe për të përfituar shërbim dinjitoz dhe njerëzor në strukturat e atjeshme spitalore. Ndaj unë u bëj thirrje drejtuesve të spitaleve private në Shqipëri, që të heqin diçka nga vetja e tyre dhe në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në Luginë.

Lugina e Preshevës, sot ka nevojë për vëmendjen e të gjithë shqiptarëve.


Vizita e Ramës në Serbi, Kokëdhima: Një ditë europiane për Ballkanin!
Më herët deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima ka komentuar vizitën historike të kryeministrit Edi Rama në Beograd, duke e cilësuar këtë si një ditë evropiane për Ballkanin. Vizita e Ramës në Serbi, Kokëdhima: Një ditë europiane për Ballkanin!

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, deputeti Kokëdhima, thekson se vizita pas 68 vitesh e një kryeministri shqiptar në Beograd, është një shenjë e progresit të rajonit, drejt rrugës së integrimit në BE.

Në këtë kuadër deputeti socialist nënvizon se një njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, do të përmbyllte një proces integrues të këtyre dy vendeve.

Në emër të mazhorancës, Kokëdhima shprehet se qeveria është e angazhuar në këtë proces të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit me synim integrimin e tyre në BE.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)