Një banor të cilit iu prish ndërtimi pa leje në Theth vitin e kaluar, është një nga përfituesit e Paketës së Maleve. Me batuta e zhvilloi kryeministri Edi Rama bisedën më të, duke i thënë “koka bën, koka pëson”. Rama u tha banorëve të zonës se zhvillimi i pakontrolluar prish magjinë e Thethit, duke theksuar se ka ardhur koha për turizëm luksi. Zvicrën e vogël e keni këtu, u tha Rama banorëve.
Banori i Thethit: Jam një nga të dëmtuarit e korrikut të kaluar. Ju falënderoj për mundësinë që po na jepni në mënyrë të ligjshme. Nusen e kam nga Ukraina, jetoj në Angli. Kam vendosur që me këtë mundësi të vazhdoj përpara. Pas çdo të keqeje vjen një e mirë. Jam optimist që të kthehem në vendin tim.
Rama: Thotë një shprehje: ‘Koka bën, koka pëson’. Duke të parë ty, them se koka e fortë bëhet edhe më e fortë kur e pëson. Do të të mbështesim me gjithë zemër që të bësh diçka fantastike. Më vjen keq, sepse në atë periudhë kam marrë plot mesazhe nga ata që u turrën të hidhnin llum e gurë këtu.
Çështja është shumë e thjeshtë. Ju jeni të bekuar që keni fatin të jeni trashëgimtarë të kësaj zone, sepse magjia e këtyre maleve dhe historia e tyre ju japin mundësinë ta nisni një sipërmarrje turistike sikur ta nisni një ndeshje me rezultatin 3 me 0. Por duhet të jeni shumë të vetëdijshëm: po u prish magjia, nuk do ta keni më këtë perspektivë. Magjinë e prish zhvillimi i pakontrolluar.
Nëse ne nuk do të kishim ndërhyrë dhe shëruar atë plagë në zemër të Thethit, që ua mori të gjithëve ju dhe fytyrës së Thethit, që është fytyra e maleve të Shqipërisë në sytë e gjithë botës, atëherë të jeni të sigurt se do të binte edhe numri i turistëve.
Duhet të jeni veç në sipërmarrjet tuaja, por bashkë në produkt. Produkti juaj nuk është vetëm kulla, por Thethi. Ju nuk shisni kullën, ju shisni Thethin. Duhet të jeni shumë solidarë.
Duhet të jeni si korsikanët. Në Corsica nuk ndërton dot ku të duash. Ata shesin Korsikën, jo thjesht hotelin e tyre. Po të jetë Korsika rrëmujë, nuk vjen njeri në hotel.
Synimi është të rriten të ardhurat. E keni nisur me një turizëm për bukën e gojës, keni mbërritur te një turizëm për mirëqenien e familjes. Tani duhet të kaloni te një turizëm që krijon pasuri. Zvicrën e vogël e keni këtu. Mundësinë për të zhvilluar turizëm luksi e keni këtu. Ato "plisa" që kthehen në vila e shtëpiza janë luks, janë eksperiencë; nuk është thjesht të futesh në një shtëpi dhe të flesh.
Lajmi kryesor:
Paketa e Maleve/ Rama nga Thethi: S’është për uzurpatorë e oligarkë, por për zhvillim! Shembja e ndërtimeve pa leje? Banorët u keqkuptuan, legalizim vetëm objekteve ekzistuese










