Koka: Kaluam emergjencën në mjedis, tani ndërhyrje afatgjatë

Ministri i Mjedisit Lefter Koka,në një dalje publike bëri  një analizë të zhvillimeve në këtë ministri.

Sipas tij, në këtë kohë janë bërë ndryshime cilësore për sa i përket cilësisë së ajrit. Minstri u shpreh se krijimi i dy agjencive që i shërbejnë mjedisit po funksionojnë.

Ndalimi i importit të plehrave si dhe moratoriumi i gjuetisë, por edhe pastrimi i territorit nga mbetjet po japin rezultatet e pritshme tha më tej ministri, pasi vendi ishte në emergjencë mjedisore.

"Në analizën e 300 ditëve u ndjeva krenar, pasi rendisim ndryshime cilësore në cilësinë e ajrit. Dëmi  në pyjet shqiptare ishte i lartë dhe ne e ndalëm, ndaluam importin e mbetjeve. Me rëndësi shpallja e emergjencës  mjedisore. Rezultate konkrete dhe pozitive, monitorohet cilësia e ajrit. Bëjmë analizat e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore. Ndodheshim përballë një emergjence, pasi fauna ishte përballë shkatërrimit, armët e gjahut të pakontrolluara. Rëndësi nuk ka që të bëhen ligje por që ai të zbatohet do shkojmë drejt regjistrimit të armëve. Kjo ndër punët tona më të mira.Po rehabilitojmë parqet kombëtare, veçojmë parkun në Lurë ku do të zhbëhet masakra e pyjeve", tha ai.

Ministri  shtoi më tej, se qeveria ka mundësuar një fond prej "10 milionë dollarësh për erozionin dhe pyllëzimin e vendit, nuk jemi drejt shkatërrimit por drejt mbjelljes dhe gjelbërimit. Kjo faktohet edhe në kodrën e Currilave, mundësuam së bashku me kontributin e qeverisë ta kthenim nga një zonë problematike në një zonë të dimensioneve elitare. Projekti brenda vitit përfundon", konfirmoi ai.

Ministri Koka theksoi se modeli i rrugës Rinas-Tiranë ku rruga është e gjelbëruar krahas sinjalistikës dhe sigurisë do ndiqet edhe në projekte të tjera rrugore.
"Vetëm këtë vit po zbatojmë projektin Rinas-Tiranë nëpërmjet fondit kombëtar të zhvillimit, ky do jetë modeli i akseve. Akset kombëtare do jenë të gjelbra në këtë dimension".

Sipas tij, sot mjedisi është vënë në qendër të opinionit publik, njerëzit kanë fituar besimin tek institucionet duke denoncuar raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, etj. Për sa i përket menaxhimit të pyjeve Koka shtoi se reforma territoriale pritet ta ndihmojë.

Ai tha ndër të tjera se do të ketë kadastër pyjore, se do të ndërtohet një landfill për menaxhimin e mbetjeve në Durrës e Korçë, ndërsa në qytete të tjera do të ndërtohen impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimin më pas të energjisë apo gazit, nëpërmjet tyre.

Koka kërkoi ndër të tjera edhe bashkëpunimin qytetar, për të ndërtuar një Shqipëri më të pastër

ATSH
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë